Shqiptarët nderojnë presidentin amerikan Woodrow Wilson

Burim Goxhuli, Zëri i Amerikës

Një delegacion shqiptarësh po viziton Shtetet e Bashkuara për të shprehur mirënjohjen e tyre për ndihmën amerikane, me rastin e 100 vjetorit të Traktatit të Versajës, që njihet edhe si traktati i paqes . Nderim i veçantë iu bë presidentit amerikan,Woodrow Wilson, në një ekspozitë me fotografi e dokumente arkivore në Ambasadën e Kosovës në Uashington. Aty u kujtua roli i presidentit Wilson në krijimin e shtetit të Shqipërisë dhe rrugëtimin e Kosovës drejt pavarësisë. Aktivitete si këto rikonfirmojnë raportin e veçantë mes shqiptarëve dhe amerikanëve, raport ky që i ka rrënjët qysh nga koha e presidentit Wilson. Kolegu Burim Goxhuli ka përgatitur materialin.

Presidenti i 28 i Shteteve të Bashkuara, Woodrow Wilson, gëzon një vend të veçantë në historinë shqiptare.

Ai vuri themelet e para të miqësisë shqiptaro-amerikane, raport ky që ruhet edhe sot.

Kontributi i presidentit Wilson u nderua në një ekspozitë në ambasadën e Kosovës në Uashington, me rastin e 100 vjetorit të traktatit të Versajës, organizuar nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore Shqiptare në Shkup, Instituti për Studime Shqiptaro-Protestante dhe qeveria e Kosovës.

Historiani Skënder Asani, tregoi arsyen pse figura e presidentit Wilson zë vend kaq të rëndësishëm në historinë shqiptare.

“Presidenti Wilson gjatë fushatës zgjedhore angazhohej për paqe dhe jo për luftë dhe ai ishte i detyruar që në fund të mandatit të tij të kyçet në luftën e parë botërore dhe pikerisht nga tmerri që pësuan me dhjetra milionë njerëz gjatë luftës së parë botërore, ai konceptoi kërkesat të cilat do të jenë edhe një proces i cili do tu mundësoj popujve të vegjël të kenë shtetin e tyre kombëtarë dhe të ecin në rrugën që janë shtetet tjera”.

Asani thotë se në Traktatin e Versajës egzistonin dy koncepte ai i presidentit Wilson dhe ai i shteteve që fituan Luftën e Parë Botërore, të cilat dëshironin të merrnin gjithçka.

Ishin pikërisht kërkesat e presidentit Wilson që rikonfirmuan krijimin e shtetit shqiptarë.

“Kjo miqësi ka rrënjë, ka një arsye dhe nuk e dija si amerikan kur shkova në Shqipëri për herë të parë, nuk e dija historinë e Wilsonit dhe marrëdhënien e tij me çështjen shqiptare. Por pastaj kur zbulova dhe tani po zbuloj çdo ditë e më tepër çfarë ka bërë, atëherë e kuptoj që ishte Wilsoni që ka themeluar në menyrë zyrtare këtë miqësi që qëndron tani e 100 vjet më pas. Madje shohim që shqiptarët i japin emrin Wilson djemve të tyre, ka nje arsye dhe është pikërisht puna e Wilson-it në konferencën e paqes.” thotë David Hosaflook, me Institutin për Studime Shqiptaro-Protestante.

Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Jahja Lluka, thotë se shqiptarët do të vazhdojnë të nderojnë dhe ndjekin këtë rrugë.

“Besoj që ne duhet mos i harrojmë të gjitha të mirat e miqve tanë, në rend të parë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Arsya është shumë e thjeshtë, pa përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me siguri që shteti shqiptar kishte me qenë i mangët e mos të flas që Kosova do të përjetonte tragjedi të shumta, për shkak të gjenocidit të hapur të Serbisë ndaj shqiptarëve.”

Nëse Presidenti Wilson do të shihte sot Kosovën e Shqipërinë, do të ishte krenar thotë avokati amerikan që vizitoi ekspozitën, Robert Higdon.

“Nëse do të arrinim t’ia shpjegojmë presidentit Wilson natyrën e marrëdhenieve dhe punës që po bëjmë sot, mendoj se do të ishte shumë krenar sepse parimet për të cilat ai luftoi janë ato që po i jetojme”, thotë Robert Higdon, me profesion avokat.

Veç ekspozitës, delegacioni shqiptar vizitoi edhe muzeun e Wilsonit në Virxhinia.

Kjo vizitë ndryshe u quajt edhe kthimi i shqiptarëve në SHBA për të shprehur mirënjohjen e tyre për presidentin Wilson dhe Shtetet e Bashkuara, për ndihmën e vazhdueshme.

Comment

*