Shqiptarët në 100 foto, në 100 vjetorin e Luftës I Botërore

Materiale që publikohen për herë të parë, ndër të cilat 100 foto  bardhë e zi me një cilësi të admirueshme për kohën. Gazetari dhe studiuesi Armand Plaka çel ekspozitën “Lufta e Madhe dhe shqiptarët”.  Në cilin krah luftuan shqiptarët, çfarë u fiksua në celuloid dhe në gazetat e kohës

 

Anila Dedaj

Në një kohë që vëmendja mediatike, e historianëve por jo vetëm është fokusuar në zbardhjen e krimeve të periudhës së komunizmit, gazetari dhe studiuesi Armand Plaka sjell nëpërmjet ekspozitës “Lufta e Madhe dhe shqiptarët” një fond arkivor me materiale grafike ku përfshihen foto, skica, gazeta, revista, harta, thirrje e pllakate. Plaka është fokusuar gjatë punës së tij kërkimore në burime arkivore jashtë vendit, në ato fizike dhe digjitale , të cilat revokojnë periudhën e Luftës së Parë Botërore në territoret shqiptare, ku veç përgatitjeve e atmosferës së luftës, bien në sy edhe fragmente nga përditshmëria në qytete e fshatra të ndryshme të Shqipërisë ( Shkodra, Lezha, Shëngjini, Tirana, Durrësi, Vlora, Saranda,rajoni Korçë-Kolonjë, Berati, Fieri, Lushnjë, rajoni i Mallakastrës, Labërisë dhe zona e lumit Vjosa). Shmangia nga studiuesi i hulumtimeve në materialet arkivore shqiptare është bërë me synimin që të mos bjerë në përsëritje, pasi afro 50 përqind e materialeve të ekspozuara vijnë për publikun për herë të parë. Plaka në këtë ekspozitë të çelur mbrëmjen e djeshme rrëfen të ketë përdorur edhe simbolikën, një prej të cilave lidhet me numrin e fotove të ekspozuara. “Janë 100, çka përkon edhe me 100 vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë (11 nëntor 1918)”, rrëfen ai për “Shekullin”.  Shumica e materialeve të ekspozuara (120) janë marrë përgjithësisht në arkivat e vendeve pjesëmarrëse në luftë në frontin shqiptar: Austro-Hungaria, Franca, Italia, Serbia(edhe pse pak e përfaqësuar, edhe Bullgaria e Gjermania ).  Ekspozita përfshin gjithashtu disa video-kronika të kohës. Nëpërmjet këtyre materialeve studiuesi synon të vendosë në dukje një sërë realitetesh të harruara (është ky mbititulli i parë i menduar për ekspozitën), por mbi të gjitha të jepen mesazhet e duhura mbi pasojat e luftës. “Një thirrje për politikanët në mbarë botën e pikësëpari për ata shqiptarë, për të punuar më shumë për paqen, fqinjësinë e mirë dhe përparimin. Ekspozita përbën një ftesë edhe për brezin e ri të pasviteve ’90, të cilët kanë rastin të njihen edhe më në detaj me një fragment të historisë së tyre kombëtare, pak të njohur e të vlerësuar, duke lundruar përtej tabuve e shablloneve skematike”, shprehet Plaka. Ekspozita do të mbahet e hapur me akses të lirë për publikun për një javë, mandej pritet të udhëtojë edhe në dy-tre bashki të tjera në Shqipëri si dhe më tej në Prishtinë e Gjilan, ku veç të tjerash, priten të vihen në dispozicion materiale shtesë, ekskluzive nga periudha 1915-1918 në territoret që i përkasin Kosovës.

Zoti Plaka, pse u ndalët pikërisht tek kjo temë “Lufta e Madhe dhe shqiptarët”?

100 vjetori i përfundimit të Luftës së Parë Botërore nuk është shkaku i vetëm. Gjatë kësaj kohe kam konstatuar se përpjekjet për të hedhur më shumë dritë rreth kësaj periudhe kanë qenë të pakta, dhe unë jam ndër të vetmit iniciatorë. Në këtë ekspozitë unë hulumtoj “Luftën e Madhe”, por sigurisht në kontekstet shqiptare. Jam përpjekur që gjatë gjithë kësaj kohe të bëj kërkimet e mia, por përsa i përket pasojave dhe ndikimeve në vendin tonë.

Ku jeni fokusuar për kërkimet tuaja?

Të kërkosh në arkiva do të thotë të zhytesh në fleta të zverdhura e të mykura për të zbuluar diçka me vlerë, por jo vetëm, sepse shumë fonde janë  digjitalizuar prej vitesh. Mua më është dashur të punoj duke ndjekur të dyja metodikat, qoftë me arkivat fizike dhe ato digjitale. Sigurisht që për një punë të tillë kam shpenzuar, jo vetëm mund e kohë, por edhe nga ana financiare, pasi më është dashur të bëj porosi të veçanta. Unë kam hulumtuar kudo që gjendeshin materiale që lidheshin me temën “Lufta e Madhe dhe Shqipëria”, kronologjikisht nga fundi i vitit 1914 deri në vitin 1920, sepse duhet theksuar, se për Shqipërinë atmosfera e luftës zgjati pak më shumë. Duke kërkuar në këto arkiva kam arritur të mbledh një fond të konsiderueshëm, materiale si foto, skica, gazeta, revista, harta, thirrje e pllakate. Sigurisht që fondi më i madh u përket fotografive, të cilat janë bardh e zi me një cilësi, për kohën të admirueshme.

Materialet që keni ekspozuar përbëjnë të gjithë fondin që lidhet me këtë temë “Lufta e Madhe dhe shqiptarët”?

Në fakt, jo. Materialet që janë ekspozuar, janë vetëm ¼ e të gjithë fondit që posedoj, sepse fondi i plotë do të jetë objekt i një tjetër aktiviteti, ose të paktën i një albumi të plotë fotografik me rreth 350 deri në 400 foto, i shoqëruar me diçiturat përkatëse në shqip dhe në anglisht për Luftën e Parë, apo prova që i përkasin kësaj periudhe . Pra, bëhen fjalë për materiale më të shumta në krahasim me ato që po ekspozoj. Mirëpo në këtë ekspozitë kam vendosur të përdor edhe simbolikën. Një nga simbolikat është vetë numri i fotove. Janë 100, çka përkon edhe me 100 vjetorin e përfundimit të Luftës së Parë. Pjesën tjetër kam vendosur ta ruaj dhe ta shfaq për herë të parë në Kosovë, sepse vetë ekspozita mban titullin “Lufta e Madhe dhe Shqiptarët”, pra jo vetëm Shqipëria, por edhe shqiptarët në të gjitha trojet e tyre. Një pjesë e konsiderueshme e fondit i takon Kosovës dhe unë kam ndërmend ta shfaq pikërisht aty, kurse gjithë pjesa tjetër që mbetet do të jetë pjesë e albumit që ju përmenda më sipër, të cilin kam planifikuar ta përgatis gjatë muajve në vazhdim.

Mund të na thoni diçka më shumë rreth materialeve të ekspozuara?

Përfshin 4 fronte, pra mund të themi ishin frontet klasike të Luftës së Parë që njihen nga historigrafia shqiptare, megjithëse faktikisht kanë qenë 7 ushtri që e shkelën Shqipërinë. Një pjesë jo të vogël e zë ai që njihet si “Eksodi i serbëve”, në dimrin e vitit 1915-1916, mirëpo natyrisht pjesën më të konsiderueshme e zë elementi shqiptar, që është pjesë e të gjitha fronteve. Si përshembull ushtria e Esat Pashës, që u vu në dispozicion të aleatëve, po kështu edhe çeta komitësh shqiptarë, të cilët ndër të tjerash edhe trajnoheshin nga francezët, italianët etj., sikurse një pjesë tjetër nga austro-hungarezët dhe që rëndom quheshin “vullnetarë”. Këto përbëjnë fondin në përgjithësi, pastaj ka foto  të veçanta që tërheqin vëmendjen, ka dhe foto që për publikun mund të konsiderohen të njohura, por të cilat kurrsesi nuk mund t’i shmangia, sepse mendoj se pa to panorama nuk do të ishte e plotë.

Një ekspozitë që përfshin edhe personazhe të njohur, por që më shumë i mëshon masës…

Është e vërtetë ekspozita i mëshon më shumë jetës së përditshme në zona të caktuara, pra përfshin pjesë të tilla si investimet, ndryshimet infrastrukturore etj. Por mbi të gjitha del në pah, se si qoftë italianët, apo austro-hungarezët u përpoqën t’i bënin shqiptarët për vete edhe sigurisht fakti që donin t’i shfrytëzonin për interesat e tyre koloniale, ushtarake të luftës, por edhe për interesa që ata i mendonin afatgjata. Dalin në pah personazhe si Arqipeshkvi i Shkodrës apo politikanë  të asaj kohe etj. Por unë më shumë kam dashur t’i mëshoj masave popullore të thjeshta, sesa të bëja një homazh për figurat e asaj periudhe, të cilat ndoshta do të jenë objekt i një tjetër aktiviteti. Tërheq vëmendje në ekspozitë përshembull figura e Esat Pashës, si kopertinë e një reviste franceze të njohur të asaj kohe, e cila ka një diçiturë shumë interesante, ku bëheshin vlerësime për të, e gjitha kjo pasi bëhet fjalë për momentin kur sapo i kishte shpallur luftë Austro-Hungarisë dhe fuqive të boshtit. E përdornin këtë edhe si element propagandistik, për të treguar se deri ku shkonte fuqia e tyre.

Interesant është edhe mesazhi që ju i delegoni kësaj ekspozite që fokusohet mbi pasojat e luftës…

Nuk është i rastësishëm nëntitulli i ekspozitës: “Mësime për të mos u harruar”. Për të qenë i sinqertë, deri në fund kam qenë në dyshim për pjesën e nëntitullit, sepse gjatë gjithë kërkimeve në drafte apo projekte  më tundonte mendimi për ta quajtur ekspozitën “Lufta e Madhe dhe shqiptarët, realitete të harruara”. Mirëpo mandej vendosa ta lë me këtë nëntitull , sepse nga kjo luftë nuk mori mësime vetëm Evropa apo bota , por edhe shqiptarët patën raste të nxirrnim mësimet e veta. Madje mund të themi se pas kësaj Lufte shqiptarët arritën shkallën më të lartë të ndërgjegjësimit kombëtar. Është pikërisht  periudha pas Luftës së Parë Botërore që vendi ynë fillon tentativat realisht të qenësishme në shtet-formim.

Sa e vështirë ka qenë të sillje materiale risi, që publikohen për herë të parë në këtë ekspozitë?

Në këtë ekspozitë, ku janë inkorporuar katër fronte, mbi 50 përqind e materialeve janë risi dhe shfaqen absolutisht për herë të parë. Diçka e tillë sigurisht që kushton shumë. Veçanërisht në kohë si kjo të globalizimit dhe digjitalizimit, ku resurset shfrytëzohen në mënyrë maksimale dhe imputet që njerëzit hedhin në rrjetet sociale, apo edhe në botime janë të panumërta është shumë e vështirë të sjellësh diçka, e cila nuk ka dalë kurrë dhe që i ka rezistuar hulumtimeve.

A keni pasur mbështetje nga ana e institucioneve?

Me thënë të drejtën kam hasur një lloj neglizhence , megjithëse draftin ua kam paraqitur prej kohësh. Edhe unë nuk isha shumë këmbëngulës në këtë, pasi fatmirësisht gjeta miq dashamirës, të cilëve u jam mirënjohës,  që ishin të gatshëm të më mbështesnim, për t’i dhënë jetë këtij projekti, që nëse do ta kishim neglizhuar mund të rrinte vetëm një projekt në letër…

Po nga arkiva shqiptare ka materiale?

Arkivat shqiptare i kam shmangur me një synim të caktuar, pasi mund të merrja shumë nga fototeka “Marubi”, që ka qenë prezente në atë periudhë. Mund të fokusohesha edhe te koleksione si ajo e studiuesit Robert Elsie etj., por  jam munduar t’i shmang në mënyrë që të kërkoj diçka përtej rrymës, përtej këtyre. Sepse nëse do të risillja studimet e tyre nuk do të nxirrte asgjë në pah, do të ishte një riciklim i punës të të tjerëve. Unë jam munduar të sjell fakte që nuk janë bërë të njohura deri më sot. Pasi në një kohë që shumë po merren me dosjet e komunizmit, shpesh duke shkuar edhe në drejtim të gabuar askush nuk po kujtohet për “Luftën e Madhe”, për pasojat që ajo la.

Çfarë pritshmërish keni pas kësaj ekspozite?

Kam vërejtur interes nga historianë, politikanë, veçanërisht brezi i ri dhe studentë, tek të cilët  kam hasur të njëjtin pasion timin të dikurshëm. E gjitha kjo natyrisht më ka entuziazmuar. Mandej pres që përpos faktit që këto materiale të bëhen objekt studimesh, ekspozita të vijojë rrugëtimin e saj në dy tre bashki të Shqipërisë e më tej edhe në Kosovë…

BIOGRAFIA

Armand Plaka ka lindur në Tiranë më 1975. Është gazetar, përkthyes e studiues, diplomuar për gjuhë e kulturë gjermane nga Universiteti i Tiranës. Ka kryer disa studime pasuniversitare e trajnime në fushat e politikës, shkencave të komunikimit e diplomacisë, në Shqipëri, RFGJ, e rajon. Ka bashkëpunuar me të përditshme të ndryshme shqiptare si “Panorama”, “Shqip”, “Shqiptarja.com”, “Gazeta Shqiptare”, “Albanian Daily Neës” , revista periodike si “Shqip” e “KLAN” e së fundmi edhe në RTV “Ora Neës” e Report TV, duke sjellë një volum të madh artikujsh studimorë, dossier-ësh, intervista, komente dhe analiza. Ka përkthyer gjithashtu qindra artikuj në shtypin e përditshëm, si dhe ka botuar e përkthyer disa libra. Armand Plaka ka qenë bursanti i parë shqiptar në Bundestagun Gjerman, dhe po ashtu edhe bursanti i parë shqiptar në Berlin, pranë Fondacionit “Konrad Adenauer”. Ai ka bashkëpunuar shpesh edhe me media gjermano-folëse dhe ka qenë anëtar i rrjeteve të korrespondentëve të rajonit, duke kontribuar me artikuj e intervista. Në periudha të ndryshme kohore ka drejtuar suplemente gazetash dhe ka drejtuar gjithashtu sektorët e lajmeve të botes në disa nga të përditshmet shqiptare. Kontributi i tij është sidomos i spikatur në fushën e studimeve deontologjiko–mediatike; në trajtimin e figurave e fenomeneve të ndryshme, duke i vlerësuar ato në aspektin profesional gazetaresk, atë politik e historik. Është njohës i mirë i kulturës e politikës së vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Europës Qendrore e Lindore, Gjermanisë, të ish–republikave sovjetike e çështjeve të integrimit europian.

marrë nga gazeta Shekulli

Comment

*