Shqiptarët në Philadelphia uruan dhe festuan 105-vjetorin e pavarësisë

Nga Tajar Domi

Nga ndërtesa më e lartë e kompanisë energjitike PECO në qendër të qytetit, për tre netë me radhë, shkrimi ndricues me germa të mëdha “HAPPY 105 ANNIVERSARY ALBANIA”, ishte emocion dhe krenari bashkë, për shqiptarët në Filadelfia. Ishte urimi i bërë nga Shoqata “Bijte e Shqipes”, tashmë përfaqësuese e komunitetit shqiptar të këtij qyteti. Për shumë nga bashkatdhetarët, ai u bë shkak për tu tërhequr nga rutina e punës dhe e jetës që të rrëmben cdo ditë në Amerikë, duke u kujtuar atyre këtë ditë historike të vendlindjes, të atdheut të tyre.

Për të gjithë diasporën besoj, pra edhe për shoqatën tonë, Nëntori i këtij viti ishte tepër i ngarkuar dhe i vecantë. Ishte viti i 105-të i shpalljes se pavarësisë, e për këtë duhej me shumë punë, angazhim e programim paraprak i asaj se cfarë do të bëhej. Sigurisht, kjo ishte realizuar kohë më parë nga këshilli drejtues i shoqates “Bijte e Shqipes” dhe me një program pune të detajuar ishin përcaktuar veprimtaritë, grupet e punës me veprimtar të komunitetit, dhe cdo imtësi tjetër që nevoitej. Eshte një experiencë e përvitëshme e jona, por cdo vit vjen me dicka të re në aktivitetet tona. Kështu ishte edhe ky 105 vjetor. Ky Nëntor erdhi me me shumë veprimtari e ceremonira, me më shumë vizita e urime. Gjithcka u bë bukur, kuq e zi kudo ndër shqiptarët. Shoqata “Bijte e Shqipes” është e mirë organizuar. Strukturat drejtuese të saj punojnë në grup, ku secili mundohet të jap kontributin e tij jashtë cdo interesi të para parë individualist, politik, fetar apo krahinor. Cdo angazhim i anëtarëve të kryesisë apo veprimtarëve të shumtë të shoqatës, motivohet me dashurinë për kombin dhe dashurinë që atdheu na jep, pavarësisht problemeve të shumta që jeta dhe politika mbartin atje. Për ne e rëndësishme është bashkimi i shqiptarëve në komunitet pasi vetëm kështu mund të rritemi edhe larg vendlindjes, trashëgimia e gjuhës dhe kulturës ndër fëmijtë tanë pasi vetëm kështu shpëtojmë veten nga asimilimi duke ruajtur dashurinë për dheun mëmë.

Pas pjesëmarrjes me datën 19 Nëntor në Paradën e Ditës së Falenderimeve (Thanksgiving) me nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jone”e prindër të tyre, ku u manifestua me kostumet tona të bukura kombëtare, me këngët e muzikën shqip dhe me hymnin e flamurit, ditët në vazhdim ishin për 105 vjetorin e pavaresisë.  Cfarë u organizua konkretisht, dhe cfarë ishte e reja e këtij viti?

 

I – JAVA E FLAMURIT

Nisma e këshillit drejtues të shoqatës “Bijte e Shqipes” për ta emërtuar javën e fundit të Nëntorit si “JAVA E FLAMURIT”, është një nismë që ne mendojmë se duhet përkrahur kudo në diasporë. Ajo u pa si nevojë që jehona e festës së pavarësisë të jetë e pranishme jo vetëm në sheshet e vendet publike, në grupet e organizatat e ndryshme, por edhe në shtëpitë e cdo bashkatdhetari, në familjet tona. Pra qëllimi i kësaj nisme ishte që dyert të ishin të hapura për vizita të ndërsjellta tek njëri-tjetri, në nderim e përkujtim të kësaj dite. Kjo do të sjellë edhe njohje më të thella midis nesh, ndërsa fëmijtë tanë do të ruajnë në kujtesën e tyre pas shumë vitesh këto biseda e shkuarje tek njeri tjetri, cka do të ishte një thirrje e memories nga vendlindja e tyre, për të ruajtur gjuhën, historinë e kulturën, duke u ndjerë krenar me to.

Meqenëse ishte viti i parë i kësaj nisme, kryesia e shoqatës mendoi që grupe të ndryshme me veprimtar të komunitetit të organizoheshin e të fillonin vizitat fillimisht ndër miq, shokë e të afërm të tyre, duke shpresuar se shumë shpejt kjo të shëndrrohet në traditë të përvitshme.

Këto ditë e vertetuan faktin se një ide e tillë ishte e mirëpritur. Shumë nga familjet e komunitetetit tonë këtu në Filadelfia e rreth saj, prindër të nxënësve të shkollës shqipe “Gjuha Jone” e mësues të kësaj shkolle, bisnesmen e intelektual të ndryshëm, patën kënaqësinë të shijojnë përcjelljen e këtyre vizitave. Në cdo familje, në mënyrë simbolike u dhurua një flamur i vogël kombëtar. Kjo simbolikë sigurisht orientonte biseden rreth flamurit e ditës tij, luftërave ndër shekuj, silleshin kujtime të thëna e të jetuara në ditët tona, se si respektohet flamuri në zona të ndryshme të atdheut, në vatrat e tryezat e tyre.

Në familjen e Ahmet Shabanit (Shahut), në oborrin e shtëpisë, flamuri qëndron i ngritur deri në catinë e saj, vazhdimisht, në cdo kohë, dimër e verë. Aty bëmë edhe vizitën e parë në kuadrin e Javës së Flamurit. U pritëm me zemër të hapur, ndërsa aty gjejmë edhe të tjerë bashkatdhetar të nderuar si Daut Ahmetin, Xhemali Elezin e Hysë Hasën, të cilët ishin ftuar sipas traditës shqiptare , për të pritur miqtë që vinin. “Mirë se erdhet, të rrojë Flamuri “– uron i zoti i shtëpisë 82 vjecar, por që shërben si djalë i ri. “Nuk kam ndjerë gëzim më të madh se ky, ku shqiptarët kanë arrit të festojnë bashkë ditën e flamurit, e të bëjnë vizita tek njeri- tjetri në përkujtim të kësaj dite – vazhdon baci Ahmet. Unë kam mbi 50 vite në Amerikë dhe na merrte malli të shihnim një shqiptar, ndërsa sot…”. E uruam dhe e falenderuam Bacën për pritjen dhe së bashku me Llazarin, Bujarin Dritanin, Hidajetin e Hysën  trokitem tek bashkatdhetarët tanë nga Librazhdi të cilët shquhen për qëndrimin bashkë dhe mbështetjen ndaj njëri- tjetrit.Në fillim në familjen e ing. Muhamet Bicit, të cilët plot buzqëeshje hapin derën dhe presin. Dollinë e parë për Flamurin, ndërsa vjehrri i Muhametit, Beluli nga Rrajca shton: “Rroftë e valoftë në duart e shqiptarëve”. Dy djemtë e Muhametit ishin ndër të parët që ndoqën shkollën shqipe 10 vite më parë, e tani janë në kolegj. Me i vogli, Danieli trup-gjatë, na tregon një “mal” me medalje të fituara në vrapimet e gjata ku ai merr pjesë vazhdimisht, janë mbi 20 copë, cka na bëri edhe ne krenar e jo më familjen e tij. Kur ne donim të coheshim, znj. Drita nxiton të sjellë bakllavanë…, e kam gatuar për këtë rast, provojeni. Me shijen e saj të mrekullueshme në gojë, dalim nga Muhameti, për të ndaluar tek një familje tjetër po nga Librazhdi, tek ajo e dr. Hajredin Kaces. Eshtë ndër anëtarët e rinj të shoqatës, megjithëse ka mbi 15 vite këtu në Filadelfia. Po shoh dicka të bukur që bëni nëpërmjet kësaj shoqate, prandaj vendosa të jem aty, -thote ai. Këtë vit po sjell edhe fëmijtë tek shkolla shqipe, shumë angazhim keni, ju lumtë. Ndërkohë që flamuri i dhuruar vendoset në tavolinë, urimin na e bën edhe znj Mereme, vjehrra e doktorit, e cila ka filluar te kontribojë duke punuar si mësuese e klasës së tretë të shkollës “Gjuha Jone”.

Disa blloqe me larg, bisnesmeni Agim Bajrami na fton për një kafe. Njerëz të dashur, të respektuar, që kënaqen me miq e shokë. Vajza e Agimit, Lejla, studente e vitit të dytë në Universitetin e Tempull-it, shkon cdo vit në Shqipëri. Kënaqem gjatë verës,-thotë ajo, kemi shumë njerëz atje dhe ndjehem shumë mirë mes tyre, është vendi ynë, atdheu. Ndërsa mbesa e Agimit, e sapo ardhur nga Shqipëria me llotari, që po mendon të organizojë jetën e saj të re, duket edhe me e gëzuar me vizitorët dhe qëllimin e kësaj vizite. Një kafe expres mbyll vizitën në këtë familje të nderuar e puntore shqiptare në Northeast të Filadelfias, ndërsa pas nje fotoje te përbashkët përpara shtëpisë, ndahemi me to me urimin Gëzuar ditën e flamurit dhe gezime paci gjithmonë.

Shumë familje të tjera kishin njoftuar se pritnin vizita për ditën e flamurit. Por Amerika të lejon pak kohë në dispozicion, përvec punës e gjumit. Kështu nuk shkuam dot tek Mexhit Koboci, prandaj i kërkuam falje. Por ai na thotë me shaka: “Më keni borxh një tepsi me fli, që nëna ime gatoi për atë ditë”.  Ditën tjetër , një vizitë tek shtëpia e familja e Lazar Veros dhe Dritan Matrakut , nga një grup shokësh, krijon një ndjesi të vecantë, pavarësisht se takohemi shpesh jashtë në kafene e tek godina e shoqatës. Dr. Tatjana, e shoqja e Llazarit, e cila kaloi një situatë shumë të vështirë shëndetësore pas një operacioni, e ka marrë veten dhe hyn në bisedë: “Unë jam gjithmonë kritike, kështu jam. Por këtë që po bëni për ditën e flamurit, më pëlqen shumë dhe duhet bërë traditë”. Ndërsa Dritani nga Korca, që është edhe zv. Kryetar i shoqatës, ka qejf për më gjatë, pasi “një raki mani është ilac në ketë kohe”.., djali dhe vajza që vazhdojnë kolegjin nuk janë kthyer akoma.

Shqiptari ndjehet mirë e I respektuar kur i troket në derë. Këtë e pamë edhe një herë këto ditë. Kemi nevojë të trokasim tek njëri -tjetri, për cdo rast. Për ndryshe, ftohja sjell sëmundjen, në këtë rast humbje të vlerave tona kombëtare.

Nuk kishte se si të mos i përgjigjeshim ftesës së z.Milot Rukiqi me origjinë nga Prishtina, megjithëse në një distancë jo të vogël nga Filadelfia. Ai prej më shumë se dy vitesh cdo të dielë sjell djalin e tij, Artin 8 vjecar, në shkollën shqipe dhe është një kontribues financiar i shoqatës. Një atmospherë vërtet vëllazërore prej tij dhe znj. Doruntina. Babai i Milotit, avokati i nderuar Destan Rukiqi, që sapo kishte ardhur nga Kosova, pasi uron mirëseardhjen i fton mysafirët për një gotë konjak kosove 40 vjecar i mbajtur në enë lisi, një shije e vecantë. Dollia “Për Flamur”, kudo. Sigurisht, përvec urimit të ditës së flamurit, biseda kalon edhe në vendlindje, ku punët në të dy shtetet shqiptare nuk ecin sic duhet, ku për hir të interesit, disa politikan janë gati të djegin e shesin vendin.

Në respekt të traditës shqiptare, Miloti e shoqëron grupin e miqve edhe në vizitat e tjera në atë zonë. Tek gjirokastriti Bastri Bajo dhe zonja Dashamira, që në mbrëmjen festive të para tre ditëve ishte nderuar me “MIRENJOHJE” nga shoqata “Bijte e Shqipes”, po ajo dashuri dhe respekt.  Dy vajzat dhe djali u shkolluan në universitetet e këtushme, por malli për vendlindjen është i dukshëm. Duke u njohur me këtë familje, njërit nga shokët i kujtohet biseda me një mik amerikan, i cili i kishte thënë: “O zot më bëj mik me një shqiptar”. Dhe ai kishte të drejtë.

Rreth 20 minuta udhëtim me larg, dhe gjendemi tek shtëpia e një tjetër shqiptari me origjinë nga Lipjani i Kosoves. Cifti Lumni dhe Sahadete Shurdhiqi gjatë pesë viteve kishin udhëtuar cdo të dielë rreth 1 orë, për të sjellë vajzat e tyre në shkollën shqipe në Filadelfia. Të dy shqiptar të mirë, atdhetar të devotshëm e gojë embël. Kështu ishte edhe pritja e tyre, si dhe biseda e zhvilluar. E uruam familjen Shurdhiqi, për ditën e flamurit dhe për më shumë suksese në të ardhmen, duke marrë me vete kënaqësinë e madhe të asaj dite që kishim hyrë dhe njohur me disa familje të komunitetit tonë.

Java e Flamurit, që kishim shpallur, u mbyll si javë kalendarike shumë shpejt, por shumë bashkatdhetar nuk patën mundësi të shkëmbenin apo të bënin vizita ndër miq, shokë e të njohur. Le të mbetet për tu vazhduar në vitet e ardhëshme, të zgjerohet më tej dhe të shëndrrohet në një traditë të bukur të shqiptarëve në diasporë.

 

II- MBREMJA FESTIVE E 105 VJETORIT

Eshtë veprimtaria më massive që u zhvillua në Filadelfia, e për organizimin e saj u shpenzua mjaft kohë e mund nga organizatorët. Rreth 500 bashkatdhetar ishin të pranishëm në sallën e madhe të Restaurant Cannstatter, e cila ishte zbukuruar me mjaft shije, kuq e zi në cdo pjesë të saj. Tavolinat e rrumbullakëta që nga mbulesat, pecetat kuq e zi, flamuri ynë kombëtar ne qendër të saj, e mjaft tullumbace gjithashtu kuq e zi, prezantonin motivin e kësaj mbrëmje. Pamja plotësohet me një pankartë të madhe të varur në pjesën ballore të skenës ku me germa të mëdha në shqip e anglisht shkruhej: “Gëzuar 105 vjetorin e pavarësisë, Shqipëri”, ndërsa në anën tjetër të sallës ishte ngritur këndi i fotove, ku flamuj shqiptar e amerikan të vendosur në një piedestal jo të lartë shoqëroheshin edhe nga fotografitë e heroit tonë kombëtar Gj. K. Skenderbeu e të diplomatit Ismail Qemali, duke shtuar hijeshinë e sallës dhe krenarinë e pjesëmarrësve. Për të gjitha këto, kishin punuar disa veta, por më të angazhuar ishin Haki Collaku, Bujar Gjoka etj.

Pasi uroj mirëseardhjen të pranishmeve dhe bëri prezantimin e të ftuarve, kryetari i shoqatës “Bijte e Shqipes”, ja dha fjalën antarit të kryesise së saj, z. Bujar Cela, i cili shkurtimisht evidentoi rëndësinë e madhe të shpalljes së pavarësisë, që erdhi si rezultat i përpjekjeve dhe luftës së madhe të bërë nga patriotët e atdhetarët e mëdhenj të udhëhequr nga Ismail Qemali, trimi Isa Boletini, Luigj Gurakuqi e shumë të tjerë. Menjëherë pas tij, muzika e bukur shqipe e kengëtarëve Edi Duro, Nazife Bonjaku e Mira Konci shoqëruar nga kompozitori i shquar Shpetim Saraci, i fton njerezit ne valle. Gjithcka ishte bukur, këngë e valle nga të gjitha trevat, me motive popullore, vallëzim etj.  Më pas grupi artistik i shkollës shqipe “Gjuha Jonë” veshur me kostume popullore nën drejtimin e mjeshtrit Hamdi Gjana kënduan dy këngë për të pranishmit.

Surpriza e mbrëmjes ishte prania e të ftuarit special , artistit te merituar , “Nderi I Kombit” z. Mirush Kabashi, i cili me shpirtin dhe zërin e tij të fuqishëm, solli për publikun interpretimin e poezive  “Gjuha shqype” të At Gjergj Fishtes ,  “Shprese” të Naim Frasherit dhe krijimin “Ah moj demokraci”. Mesazhet dhe emocionet e këtyre interpretimeve si dhe të fjalëve e porosive plot zjarr për trashëgiminë e gjuhës në diasporë, që aktori i madh solli në sallë, do të mbeten të pa shlyera për komunitetin tone.  “… Ju përgëzoj për këtë shoqatë kaq të zjarrtë që ju paskeni – thotë z. Kabashi nga lartësia e skenës, dhe më pas vazhdon: “Të dashur bashkatdhetarët e mi, dërgoni femijtë tuaj në shkollën shqipe “Gjuha Jone”, të mësojnë gjuhën e nënës e të këndojnë për mëmëdheun, sic ky grup I mrekullueshëm fëmijësh nën drejtimin e mjeshtrit Hamdi Gjana, bëri sonte para nesh… “ . Ishin fjalë zemre që plot emocion dilnin lirshem si porosi atdhetare të këtij njeriu dhe aktori të madh, c’ka mori duartrokitje të stuhishme të sallës. Në vizitën e një dite më parë në ambjentet e Qendrës tonë social-kulturore, që aktori bëri, ishin grumbulluar një grup antarësh të komunitetit në respekt të tij, që mbanin simbolet tona kombëtare si shalla, kapele e bluza kuq e zi me shqiponjë, ai nuk mundi ta fsheh kënaqësinë e këtij momenti: “Faleminderit shumë për këto emocione që po më dhuroni, dhe nuk gjej fjalë për ti shprehur…, shoh një mrekulli në këtë godinë, shumë punë të bërë…Ju lumtë “! E respektuam aktorin e madh duke angazhuar dy zv.kryetarët e shoqatës Bujar Gjoka e Dritan Matraku, me akomodimin e tij në hotel, vizitat në qytetin e Filadelfias si dhe marrjen dhe kthimin në Nju Jork. E ndjenim detyrim tonin dhe mendojmë se e bëmë mirë këtë detyrim.

Le të kthehemi përsëri tek mbrëmja. Midis të ftuarve ishin edhe Ambasadorja e Shqiperisë në SHBA znj. Floreta Faber me bashkeshortin e saj dr. Edmond Faber, Kryetari i Akademisë shqiptaro-amerikane të shkencave Dr. Skender Kodra, Ish deputeti i parlamentit shqiptar, përfaqesues i brezit të ri të politikes, z. Gerti Bogdani si dhe cifti Artur e Tatiana Elezi, përfaqësues nga diaspora e Washington DC.

Në përshëndetjen e saj znj. Faber, pasi theksoi rëndësinë historike të 28 nëntorit për kombin, vuri theksin tek brezi i ri në diasporë që po lartësohet nepërmjet shkollimit këtu, duke ruajtur e trashëguar gjuhën e kulturën shqiptare. Ajo falenderoi “Bijte e Shqipes” për punën e madhe që ato kanë bërë në këtë drejtim nëpërmjet shkollës shqipe “Gjuha Jone” e veprimtarive të tjera. Në shenjë të një fillimi bashkëpunues të punës të Ministrit të Diasporës me shoqatat e organizuara në komunitet, ambasadorja i dhuroi kryetarit të shoqatës një Libër shënimesh të vitit 2018 si viti i heroit tonë kombëtar Gj.K- Skenderbeut, me logon e këtij institucioni.

Ndërkohë që mbrëmja vazhdonte dhe pjesëmarrësit përvec muzikës që buciste plot ritëm, filluan të shijonin edhe ushqimin e bollshëm e të gatuar mirë, pra në një kohë pushimi, nga moderatori i mbrëmjes z. Dritan Matraku, ftohet në skenë kryesia e shoqatës për të dhënë vlerësimet e vitit që ajo ka akorduar për disa persona e subjekte, antar ose jo të shoqatës.    Në këtë rast lexohen emrat e dy bashkatdhetareve tanë me banim në Shqipëri, bisnesmen, të dy antar të shoqates prej nje viti, z. Bajram Berisha dhe z. Mezan Resuli, të cilët ishin të ftuar dhe vlerësuar me “MIRENJOHJE” për kontributin e tyre në furnizimin e nevojave të festimit të 105 vjetorit me simbolet kombëtare në Filadelfia, si flamuj, shalla, kapele e bluza. Gjithashtu u vlerësuan me “MIRENJOHJE” edhe mësuesi Shpetim Brahaj (për të cilin është shkruar më parë) si dhe shtëpitë botuese “Shkronjë pas shkronje”, “Pegi” dhe “Albas” për furnizimin me libra shkollor të shkollës shqipe “Gjuha Jonë”. Më certifikatë “MIRENJOHJE” u vlerësua z. Bastri Baja për ndihmën e vazhdueshme financiare për shoqatën tonë. Këngëtarja jonë me famë botërore Ermonela Jaho u vlerësua me certifikatën “Antare Nderi” e shoqates “Bijte e Shqipes” Filadelfia.

Dy anëtar të tjerë të shoqatës, z. Hysë Hasa dhe z. Kico Kokthi, u vlerësuan me “NDERI I KOMUNITETIT”, i pari për mbështetjen e vazhdueshme të bashkimit midis shqiptarëve nepërmjet shkrimeve e publikimeve të përditshme, si dhe evidentimin e vlerave intelektuale në librat e tij të botuar, ndërsa i dyti për dhurimin e mbi 30 copë kostumeve kombëtare, Qendrës tonë social-kulturore.

Kështu, pas këtyre vlerësimeve që morën duartrokitjet e të pranishmeve, muzika përsëri e ndez sallën, e me kalimin e kohës edhe kësaj kënaqësie të madhe festive po i vjen fundi, ndërsa dëgjojmë zërin e z. Bujar Gjoka për tu grumbulluar në afërsi të skenës për një foto masive, e cila do të mbetet kujtim i bukur i festimit të 105 vjetorit të Pavarësisë të Shqipërisë, në Filadelfia.

(Shënim: Për ceremoninë e ngritjes së flamurit ne City Hall në Philadelphia, është botuar një shkrim i vecantë më përpara).

Filadelfia, 5 dhjetor 2017

Comment

*