Shqiptarët që janë kundër Engelit

Ruben Avxhiu

Nga Ruben Avxhiu

Kongresisti Eliot Engel, një nga përkrahësit më të mëdhenj të shqiptarëve në Washington si dhe themelues i Kaukusit të Çështjeve Shqiptare në Kongresin Amerikan është në betejën e tij më të vështirë zgjedhore. Një anketim i botuar së fundi e tregonte gati 10% mbrapa rivalit të tij kryesore, Jamaal Bowman.
Fushata e Engelit e ka shpërfillur anketimin si joserioz, mirëpo nuk është e vështirë të kuptosh nga zhvillimet e fundit se sfida është vërtetë serioze. Rivali i tij është shumë i papërgatitur dhe aspak i përshtatshëm për postin e kongresistit, mirëpo ai gëzon mbështetjen e një rrjeti mbarëkombëtar, kryesisht i bazuar në fushatën presidenciale të Bernie Sanders. Ky është një koalicion shumë më i madh dhe i fuqishëm sesa ekipi i vogël i fushatës së një kongresisti.
Në këtë betejë që ka shumë faktorë ndikues, po shfaqen edhe disa shqiptarë që kanë vendosur të sulmojnë Engelin.
Sigurisht, ne shqiptarët nuk jemi një bllok ideologjik. Një pjesë e madhe e shqiptarëve janë republikanë, kurse mes demokratëve sigurisht ka plot – sidomos ata të moshës së re – që janë të majtë radikalë.
E megjithatë, nuk arrij ta shpjegoj përzjerjen e tyre kundër kongresistit Engel.
E para, në qoftë se je Republikan, nuk është se Engeli do të zëvendësohet nga ndonjë i partisë tjetër. Kjo është një zonë fuqimisht demokratësh. Beteja është mes Engelit dhe një politikani që pretendon se është shumë më i majtë. Me një fjalë, pa shtuar asnjë republikan në Kongres po kërkon të heqesh një kongresist që të paktën e njohim.
Nëse je Demokrat i krahut të majtë si puna e kongresistes Octavio-Cortez, jam kurioz se pse mes 400 ++ kongresistë që ka në Ëashington, e gjen kohën të flasësh kundër Eliot Engelit. Fillo me të Demokratë të tjerë, që as na njohin as i njohim, ndërroi ata me disa më të majtë. Pse ta nisësh nga ky? Një “progresiv” më shumë nuk ndryshon gjë për krahun e majtë të Demokratëve. Kurse pa Engelin, shqiptarët humbasin shumë.

Edhe fëmijët mirëpresin kongresistin Engel në Pejë.

Ne thjesht kemi shumë pak kongresistë që na njohin se kush jemi, apo kanë interes për kauzat tona.
Ka edhe shqiptarë që mendojnë se nuk ka bërë sa duhet. Por, edhe kjo nuk është arsye për të dashur që ta zëvendësojnë. Në 400++ anëtarë të Kongresit, më shumë se 400 janë ata që nuk kanë bërë asgjë. Asbolutisht asgjë për ne. Pse duhet të ikë ky që të paktën ka bërë diçka?
Po pse ka bërë për këtë çështje e nuk ka bërë për këtë tjetrën? E vërteta është se shqiptarët e shkretë janë të ndarë në shtete e probleme të ndryshme. Disa janë të nxehta, disa janë të harruara e të shkuara. Nuk do të ketë ndonjëherë ndonjë kongresist që do të bëjë diçka për të gjitha. Nëse ka një temë që Engel nuk ka punuar sa duhet, pse të mos gjejmë një kongresist tjetër që ta përqafojë atë temë. Engel është përqendruar kryesisht te kauza e Kosovës, se ajo ishte më dramatikja kur u bë kongresist e u njoh me shqiptarët. Ai ka qenë kudo, në Tiranë, Tuz, Tetovë, Preshevë etj, po është absurd të mendosh se do të dijë të argumentojë diçka që ne vetë nuk jemi të gjithë dakord e të jemi në gjendje ta artikulojmë. Ndryshimi fillon nga ne, jo nga kongresistët që njohim.
Më tej, disa kanë parë që e kanë mbështetur shqiptarë që janë afër me ndonjë parti të caktuar apo politikan shqiptar që nuk e duan dhe nga inati me ta, flasin kundër Engelit. Kongresisti i njohur amerikan e ka thënë shumë e shumë herë, që nuk përzihet në politikën e brendshme të Shqipërisë, Kosovës, e shqiptarëve të shteteve të tjera. Nuk ka asnjë politikan shqiptar që nuk e ka pritur në zyrën e tij, apo që të ketë refuzuar që ta dëgjojë e ta ndihmojë. Por, përkushtimi i tij është ndaj Shqipërisë, Kosovës, dhe kauzave shqiptare, jo ndaj ndonjë partie politike të veçantë.

Asnjë politikan nuk është i përjetshëm. Në mos prej kësaj gare, Engel do të largohet prej ndonjë tjetre. Mbase del vetë në pension edhe po fitoi. Por sa kohë që është në garë, unë mendoj se ne shqiptarëve na takon ta ndihmojmë e të punojmë për të si ka punuar ai për ne.
Engel u dashurua me kauzën e Kosovës dhe pastaj u bë mik personal me plot shqiptarë në SHBA. Kjo nuk ishte pse i dhamë para apo prej votave tona, si pretendohet, sidomos nga serbët që nuk mund të pranojnë që dikush mban anën e shqiptarëve për arsye parimore. Mjafton të shohësh këtë garë të fundit, sesa të pafuqishëm jemi relativisht për ta çimentuar fitoren e tij. Shqiptarët kanë ndihmuar shumë dhe kanë qenë bujarë me të, por më shumë se gjithshka kjo ka qenë një marrëdhënie bashkëpunimi. Atyre që nuk du duket ideale, le të gjejnë politikanë të tjerë amerikanë e të krijojnë një partneritet akoma edhe më të mirë. Sa më shumë miq të kemi në Ëashington aq më mirë për ne.
Javën që vjen, le të shpresojmë që të paktën të mbeten aty ata pak që kemi.

Gjatë një vizite në Kosovë nga e majta, Vehbi Bajrami (botues i gazetës “Illyria”), Eliot Engel, dhe aktivisti Harry Bajraktari.

3 Responses to “Shqiptarët që janë kundër Engelit”

Read below or add a comment...

  1. Llazar says:

    Me plotesishi te drejte Ruben! Kultura jone politike eshte nen nivelin ballkanik e jo me ate europian dhe amerikane. Ne vendosim ato te ashtuquajtura parti apo bajraqe mbi interesat e kombit. Keshtu ka qene, keshtu eshte,le te shpresojme se do te ndryshoje ne te ardhmen. Eshte turp dhe miopi per cdo shqiptar qe nuk mbeshtet kongresistin Eliot Engel. Mosmirenjohja eshte tipar i njeriut te celery dhe te lig. KJO nuk ka qene dhe eshte karakteristike e shqiptarit. Mendoj qe ata qe perhapjen nje frame te tille nuk jane shqiptare dhe ja kane shitur shpirtin nderin dhe Atdheun dikujt tjeter.

  2. Sami Repishti, PhD. says:

    Kongresmeni i nderuem Eliot Engel meritron perkrahjen e te gjithe shqiptareve per vijen e drejte te qendrimit tij ndaj prolemeve tona ketu dhe ne vendet e prejardhjes sone, I njohun si miku ma i madh i shqiptareve ne Kongres ai do e veproje edhe ne te ardhmen me studjue, me kuptue dhe me perkrahe tezen tone per nji Kosove te lire, te pavarun, demokratike, te bashkueme dhe europiane.
    Nji vote per Kongresmenin Engel ashte nji vote per Kosoven. Votoni Engel per Kongres!

  3. Sali Bollati says:

    Kongresmeni E.Enge qendron si figure e Nderuar per Miqesine e SHBA-se me Shqiperine e Vertetel. Ai prej shume vjetesh ka mbeshtetur te drejtat e Shqiptareve ene vecanti per Shqiptaret e Kosoves. Ne zgjedhjet qe po afrohen me 23 Qershor,;ne Shqiptaret pervec z. Engel, duhet te votojme per te Riun Shqiptar z.Marko Kepin si Asamblist i New Yorkut.
    Nder Shume i Madhe per gjithe Shqiptaret kur Votojne per z. E. Engel dhe z. Marko Kepin!!.

Comment

*