Shqiptari Riza Durmishi thirret nga Danimarka për të luftuar me shqiptarët

“Është gjithmonë diçka e madhe për t’u zgjedhur pjesë e Kombëtares A, por këtë herë kjo është edhe më e veçantë për mua, sepse kundërshtare do të jetë Shqipëria”-tha Riza Durmishi

Trajneri i Danimarkës, Morten Olsen, ka besuar te shqiptari, që ka pasaportë daneze, Riza Durmishi, duke e grumbulluar për ndeshjen kualifikuese me Shqipërinë.

Dyshja e FC Midtjylland, Kian Hansen dhe Erik Sviatchenko, së bashku me tetovarin e Brondby, Riza Durmishi, janë të përzgjedhurit nga kampionati danez për sfidën e 4 shtatorit.

Sikurse njofton media daneze, “trajneri Morten Olsen e ka plotësuar kombëtaren me tre profile nga Superliga, përpara ndeshjeve të rëndësishme kundër Shqipërisë dhe Armenisë, në kualifikueset e Kampionatit Europian.

Sidomos për Durmishin, ndeshja me Shqipërinë do të jetë e veçantë, pasi lojtari i ekipit të Brondby i ka rrënjët shqiptare.

“Është gjithmonë diçka e madhe për t’u zgjedhur pjesë e Kombëtares A, por këtë herë kjo është edhe më e veçantë për mua, sepse kundërshtare do të jetë Shqipëria. Prej andej është e gjithë familja ime, kështu që do të jetë një kënaqësi, por edhe një ndeshje shumë e veçantë dhe prekëse, njëkohësisht,” – thotë Riza Durmishi për “dbu.dk”.

Trajneri Morten Olsen e ka filluar grumbullimin dhe përgatitjet për këto dy ndeshje kualifikuese të dielën, në “Elsinore”.

Po kush është Riza Durmishi, shpresa e futbollit danez? Ai ka lindur më 8 janar 1994 në Danimarkë, ku jeton me prindërit e tij.

Durmishi është pjesë e skuadrës më të njohur daneze, IF Brondby, nga Kopenhaga. Prindërit e tij kanë prejardhje nga fshati Kamjan i Tetovës, të cilët janë vendosur prej kohësh në Danimarkë.

Riza Durmishi ka qenë pjesë e kombëtareve të moshave të Danimarkës, deri te U-21.

Ky futbollist ka qenë në radarin e trajnerit Xhani De Biazi, madje u përfol si një zbulim tjetër i tij dhe përforcim i kombëtares kuqezi.

E ka kërkuar edhe kombëtarja e Maqedonisë, mirëpo, Morten Olsen e ka grumbulluar tashmë me kombëtaren daneze, duke e fituar në këtë rast “betejën” me Shqipërinë.

“Telesport”

Comment

*