Thurgau (Zvicër), 4 dhjetor 2018 – Emri i Nazmije Ismailit është renditur në mesin e 100 personaliteteve të vitit 2018 në Kantonin Thurgau të Zvicrës.
Nazmija, anëtare e partisë liberale FDP, ishte nominuar në kategorinë politikë, sport, ekonomi dhe dije. Ajo ishte vlerësuar si figurë politike që është angazhuar për mirëqenien e qytetarëve.
Gazeta “Thurgauer Zeitung” në magazinën e saj “Who is Who”, e ka prezantuar emrat e personaliteteve të vitit 2018 para 170 të ftuarve, në një event në qytetin Weinfelden.
Nazmije Ismaili është qe tri vjet anëtare e komisionit për verfikimin e buxhetit të komunës. Angazhimi i saj veçohet në ruajtjen e vendeve të punës, veçmas në doganën e Romanshornit, kundër mbylljes së të cilës ishte angazhuar me sukses zëvendëskryetarja e FDP-së për Romanshornin.
Në qershor ajo është zgjedhur kryetare e liberalëve të rinj, JFDP, në Thurgau.
Krahas angazhimit në politikë, Nazmije Ismaili punon si menaxhere e produkteve në kompaninë e madhe të sigurimeve “Generali”. 29 vjeçarja është e diplomuar në ekonomi. (r.m.)