Shqiptaro-amerikania Anna Memija: Ëndërr të luaja për vendlindjen e prindërve dhe gjyshërve

Anna Memija debutoi për herë të parë me ekipin kombëtar shqiptar për femra në 11 shkurt të këtij viti, kur Shqipëria mirëpriti një nga turnetë e shumtë që zhvillon UEFA. Edhe pse ka lindur në SHBA, futbollin ka nisur ta luajë në Vlorë, në vendlindjen e prindërve dhe gjyshërve të saj

 

Ftesën nga kombëtarja e konsideron si arritjen më të madhe që ka bërë në karrierën e saj deri më tani ndërkohë që shton se dëshira e madhe që ka është të luajë për klube të mëdha, europiane apo amerikane.

Edhe pse e vogël në moshë, Annës nuk i mungon pjekuria dhe në intervistën e saj për rubrikën “Talenti Shqiptar” në fshf.org, ajo jep një mesazh shumë të rëndësishëm për të gjithë vajzat që kanë dëshirë të luajnë futboll.

– Si lindi dëshira dhe pasioni për futboll?

– Kur kam qenë e vogël, kam kaluar një pjesë të fëmijërisë sime në qytetin e mrekullueshëm të Vlorës. Për fat të mirë, afër kisha stadiumin e Flamurtarit dhe gati çdo ditë luaja me shokët dhe shoqet, ndoshta që kur isha 5 vjeçe. Nisa të luaja me ta për qejf, por sot është kthyer në sportin tim të preferuar.

– Cili ishte njeriu i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi te ti?

– Personi i parë që më ka afruar me këtë sport ishte një trajner nga qyteti ku unë aktualisht jetoj. Teksa luaja një ditë, ai më tha që kam një potencial dhe vizion të madh në këtë lojë dhe duhet të vazhdoj të luaj. Fjalët e tij më shtynë që të besoja edhe më tepër te vetja dhe sot aktivizohem me klubin e NESA-s këtu në SHBA dhe kam pasur fatin të luaj edhe me kombëtaren shqiptare.

– Si është marrëdhënia jote me grupin dhe trajnerin?

– Kam marrëdhënie të shkëlqyera, si me ekipin kombëtar, me vajzat, me trajnerin ashtu edhe me klubin për të cilin luaj këtu. Ne kemi nevojë për njëra-tjetrën dhe për këtë arsye përpiqemi ta mbeshtesim njëra-tjetrën gjatë gjithë kohës, në mënyrë që jo vetëm të zhvillojmë veten më tepër por edhe futbollin e femrave, në mënyrë që të jetë në të njëjtin nivel si futbolli i meshkujve.

– Si e përjetove momentin kur more ftesën e parë nga kombëtarja?

– Ka qenë një moment shumë emocionues dhe në të njëjtën kohë isha shumë falenderuese për mundësinë që m’u dha pasi ka qenë ëndërr e imja që fëmijë, që të luaja për vendlindjen e prindërve dhe gjyshërve të mi. Unë jam rritur në Vlorë dhe për këtë arsye, kjo ftesë ishte edhe më e veçantë dhe ky moment u bë edhe më i paharrueshëm për mua pasi jam shumë krenare që përfaqësoj flamurin kuqezi .

– I rishikon ndeshjet e tua pasi luan? Dhe nëse po, çfarë i thua vetes?

– I rishikoj ndeshjet e mia pasi më ndihmojnë që të shikoj gabimet që kam bërë gjatë lojës dhe më ndihmojnë t’i përmirësoj ato në ndeshjen pasardhëse. Mamaja ime është gjithashtu një mbështetje e madhe për mua, pasi ajo ulet dhe i rishikon ndeshjet me mua dhe më tregon se ku kam gabuar, duke më treguar gjithmonë të vërtetën.

– Cili ka qenë momenti apo episodi më i lumtur në karrierën tënde deri tani?

– Momenti më i lumtur në karrierën time, ka qenë kur kam luajtur për herë të parë me kombëtaren shqiptare. Përfshirja në ekipin kombëtar më ka dhënë mundësi për eksperienca të reja, për miq dhe mundësi të reja, për të cilat gjithmonë do jem falenderuese. Nuk do të harroj kurrë se çfarë emocionesh të papërshkrueshme më përshkonin trupin, kur këndonim përpara çdo ndeshjeje, himnin shqiptar.

– Si e motivon veten kur ekipi nuk merr rezultat pozitiv?

– Gjithmonë e mendoj humbjen si një eksperiencë, e cila sipas meje, i mëson dhe i rrit më shumë futbollistët. Personalisht, në çdo ndeshje mundohem të jap maksimumin deri në minutin e fundit të ndeshjes, sepse për mua, ndeshja nuk ka mbaruar deri kur të dëgjohet vërshëllima e fundit.

– Cila është sakrifica më e madhe që ke bërë për futbollin?

– Realisht, kam sakfrifikuar shumë për futbollin. Pas shkolle, shkoja gjithmonë në stërvitje, edhe nëse të nesërmen kisha ndonjë provim, i cili mund të ishte shumë i rëndësishëm. Qëndroja deri në orën 4 të mengjesit duke bërë detyrat dhe duke mësuar për provime, vetëm se nuk e lija stërvitjen. Kjo është vetëm një nga sakrificat që unë kam bërë për këtë sport.

– Çfarë synimi ke për të ardhmen?

– Kam shumë synime për të ardhmen dhe një nga ato është të vazhdoj të bëj atë që po bëj tani, të luaj futboll dhe të luaj në mënyrë profesionale, që ka qenë edhe një nga qëllimet e mia kryesore që kur kam qenë e vogël. Dua të luaj dhe të jem pjesë ekipeve më të mira në botë, qofshin këto skuadra amerikane apo europiane.

– Cila është këshilla më e vyer që ke marrë dhe nga kush?

– Këshillën më të vlefshme ma ka dhënë gjyshja ime e cila më ka thënë të mos heq dorë kurrë nga ajo që besoj dhe ëndërroj sepse në fund, nëse punoj fort, do të paguhem për këtë gjë.

– Cili është idhulli yt në kombëtaren ideale?

– Idhulli im është Lionel Messi. E kam ndjekur atë që kur kam filluar të luaj futboll.

– Çfarë mesazhi i jep vajzave që u thuhet se futbolli është vetëm për djem?

– Mesazhi që do t’i jepja të gjitha vajzave që u thuhet se futbolli është vetëm për djem është ky: “Vetëm se ti nuk ke lindur djalë, nuk do të thotë që ti nuk mund të luash të njëjtin sport si ata. Nëse ty të pëlqen kjo lojë, askush nuk mund të të ndalojë, madje as ata njerëzit që thonë se futbolli është vetëm për djem,. E rëndësishme është që ti të argëtohesh dhe të kënaqesh duke luajtur. Puno fort dhe kënaqu në të njëjtën kohë!”

Comment

*