Shtimi i turistëve aziatikë, sezonin e ardhshëm më shumë lehtësi

Artistët kinezë sollën për publikun artdashës në Durrës, një repertor me muzikë të përpunuar nga folklori kinez të interpretuar me flaute. Në program ishin përfshirë edhe pjesë shqiptare.

Në koncertin e zhvilluar në një nga resortet në plazhin e Golemit ishte i pranishëm dhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendit Klosi i cili u shpreh se “Shqipëria do të ofrojë më shumë hapësira për turistët e vendeve aziatike. Kjo pasi heqja e regjimit të vizave për turistët kinezë gjatë periudhës 1 prill – 31 tetor 2018, ka sjellë një rritje shumëfish të turistëve që vijnë nga Kina”.

Teksa ka përgëzuar artistët kinezë për turin e tyre në rajon e më gjerë, ministri Klosi ka hequr paralele midis tureve të kulturës dhe ofertës së përbashkët turistike për tregjet e largëta.

Ministri Klosi u shpreh se “po mbyllet një sezon turistik i suksesshëm. Realiteti nuk është aty ku duhet, por gjërat kanë ndryshuar për mirë dhe ne jemi këtu të gjithë së bashku të vazhdojmë të krijojmë një Shqipëri europiane turistike”, – u shpreh ministri Klosi, i cili theksoi se numri i shtuar i pasaportave këtë vit dëshmon se resortet me kapacitete dhe shërbime cilësore janë modele për turizmin e të ardhmes.

Klosi shtoi se “kemi një aktivitet, i cili vjen në fakt në kuadër të të gjitha politikave që ne duhet të ndjekim në rajonin tonë për ta paraqitur rajonin si një të tërë. Ashtu si grupi turistik ka udhëtuar në pesë shtete për të krijuar një tur ballkanik, edhe ne shumë shpejt do të duhet të paraqesim ofertat sidomos për tregun aziatik për tregun e largët, si oferta turistike të përbashkëta dhe në këtë aspekt do të doja shumë të falenderoja edhe ambasadoren, pasi së bashku kemi punuar gjatë gjithë këtij viti për të zgjeruar hapësirat e hyrjes pa viza të turistëve kinezë në vendin tonë dhe ia kemi arritur”.

“Kemi një numër shumë të shtuar turistësh kinezë në vendin tonë. Do të punojmë që për vitin tjetër ta zgjerojmë edhe më shumë hapësirën për të pasur mundësinë që Shqipëria të jetë shumë më e prekshme nga turizmi i largët, nga turizmi aziatik dhe veçanërisht nga turizmi kinez”, – u shpreh Klosi.

Në fund ai tha se “se falenderoj të dy kryetarët e bashkive të Durrësit dhe të Kavajës, dhe të gjithë personalitetet e ftuara në këtë aktivitet, pasi realisht me ta ne ia kemi dalë që të kishim një sezon turistik shumë të suksesshëm. Natyrisht ka shumë komente për të bërë, pasi edhe realiteti nuk është aty ku duhet, por gjërat kanë ndryshuar për mirë dhe ne jemi këtu të gjithë së bashku që të vazhdojmë të krijojmë një Shqipëri europiane turistike dhe kaq shumë pasaporta që janë në këtë resort dhe që kanë qenë gjatë gjithë sezonit turistik, turistë nga të gjitha vendet e botës, dëshmojnë që ne me modele të tilla mund të ecim përpara”, – përfundoi ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi.

ATSH

Comment

*