Shtypi serb e quan “provokim të ri” një reagim të ish-ambasadorit Hamiti

Beograd, 15 tetor 2020 – Autoritetet në Serbi, siç bëjnë zakonisht, kanë reaguar ashpër ndaj deklaratave të udhëheqësve të shtetit dhe liderëve politikë të Kosovës lidhur me marrëveshjen përfundimtare midis Kosovës e Serbisë.

Ditëve të fundit, në mediet serbe ka pasur reagime të shumta helm e vrerë ndaj deklaratave se dialogu midis Kosovës e Serbisë duhet të përmbyllet me njohjen reciproke të dy vendeve.

Gazeta serbe “Vesti”, përveç tjerash, ka reraguar edhe ndaj një deklarate të ish-ambasadorit të Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Muhamet Hamiti, lidhur me insistimin e Serbisë për krijimin e Asociacionit të komunave më shumë serbe.

Kjo gazetë e ka quajtur si “provokim të ri” të Kosovës deklaratën e zotit Hamiti se Asociacioni mund të formohet vetëm pasi Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshje obliguese për njohje reciproke, në kufijtë e tyre aktualë.

Ish-ambasadori i Kosovës në Londër e ka bërë këtë deklaratë si përgjigje ndaj deklaratës së emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, i cili ka thënë se nuk do të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse midis dy vendeve pa formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Së pari duhet të arrihet marrëveshje obliguese mes Kosovës dhe Serbisë për njohje të ndërsjellë në kufijtë aktualë, pastaj të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe – në përputhje me Pakon e Ahtisaarit, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar Hamiti në Twitter, duke iu përgjigjur emisarit evropian për dialogun.

(r.m.)

Comment

*