Shtypi shqiptar në Amerikë – mbështetës i fuqishëm i kauzave shqiptare

Prishtinë, 24 nëntor 2017 – Shtypi shqiptar në Amerikë ka pasur një rol shumë domethënës për lirinë e pavarësinë e Kosovës, për demokratizimin e Shqipërisë dhe për përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në viset jashtë trungut etnik shqiptar dhe në diasporë.

Kështu u vlerësua në tryezën tematike “Shtypi shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës” që u mbajt të  enjten në Prishtinë, në organizim të Kolegjit “Iliria”, në kuadër të manifestimit tradicional “Ditët e falënderimit për Shtetet e Bashkuara të Amemrikës – Thank You USA”, në shenjë mirënjohjeje e falënderimi për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe çështjen shqiptare në përgjithësi.

Tryeza u fokusua në rolin dhe funksionin e Radios Nacionale Amerikane “Zëri i Amerikës” dhe të gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, dy prej medieve më popullore shqiptaroamerikane.

Presidenti i Kolegjit “Iliria”, Prof. Dr Mixhait Reçi, në fjalën e hapjes së tryezës se shqiptarët i kanë mbajtur sytë kah Amerika në periudhat më të vështira të historisë së tyre.

“Shtypi shqiptar në SHBA i ka mbajtur shqiptarët e Amerikës të informuar e më afër njëri-tjetrit dhe ka dhënë kontribut shumë të madh në ruajtjen dhe kultivimin e ndjenjës kombëtare dhe ka mbjellur dëshirën për të punuar për për atdheun e kombin”, tha prof. Reçi.

Prof. Dr Isak Shema, prorektor i Kolegjit, bëri një vështrim përmbledhës për historinë e shtypit shqiptar në botë, duke filluar prej gazetës së parë shqipe “Sshqiptari i Italisë” (L’Albanese t’Italia) të Jeronim De Radës, e deri te gazetat e revistat e ditëve të sotme.

Duke folur për historikun e shtypit shqiptar në SHBA, prof. Shema veçoi rolin e gazetës së parë shqiptare “Kombi’ për kohën kur u botua ajo, dhe të gazetave më jetëgjata dhe më prestigjioze, “Dielli” dhe “Illyria”. Po kështu, e veçoi rolin dhe funksionin e Radios “Zëri i Amerikës”.

Shaqir Salihu, i cili ka qenë gazetar e producent  i “Zërit tëi Amerikës” për 32 vjet, foli për historikun, punën dhe rolin e fuksionin e këtij radiostacioni shumë popullor për “kauzat shqiptare”.

“Zëri i Amerikës, si transmetues i politikave amerikane për përhapjen e lirisë e demokracisë në mbarë botën, për shumë kohë e ka pasur në qendër të vëmendjes Kosovën, sidomos gjatë viteve të luftës në Kosovë dhe pas luftës, deri në shpalljen e pavarësisë”, tha Salihu.

Ai tha se në qendër të vëmendjes së “Zërit të Amerikës” kanë qenë edhe “zhvillimet e vrullshme” në Shqipëri, lufta e vitit 2001 në Maqedoni dhe lufta në Luginë të Preshevës.

Z. Salihu tha se ka pasur plot ngjarje për të cilat ka raportuar me emocione të mëdha, por thekson momentin e çlirimit të Kosovës.

“Kemi kaluar edhe momente të rëndësishe dhe epike, si ai i çlirimit të Kosovës e pastaj pavarësisë së saj pas gati një shekulli nën thundrën serbe. Momente ngazëllyese dhe rrënqethëse. Edhe sot kur i kujtoj ato kohë triumfi më ngjethet mishi dhe më lotojnë sytë”, theksoi ish-gazetari dhe producenti i “Zërit të Amerikës”, Shaqir Salihu.

Për historikun dhe profilin e gazetës “llyria”, si edhe për rolin e kontributin e saj për lirinë e pavarësinë e Kosovës, për demokratizimin e Shqipërisë dhe për  përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në trojet jashtë trungut të tyre etnik, foli gazetari i saj, Ramadan Muçolli.

“Gazeta ‘illyria’ u themelua në kohën e formësimit të lëvizjes politike demokratike në Kosovë dhe të artikulimit të vullnetit politik të popullit të Kosovës për liri, pavarësi e demokraci, si dhe në kohën e  formësimit të lëvizjes për rrëzimin e komunizmit dhe demokratizimin e Shqipërisë’, tha ai.

Ai theksoi se “Ilyria” kishte objektiv kryesor afirmimin e çështjes së Kosovës në qarkun e politikbërësve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshirë Kongresin, Senatin dhe Departamentin e Shtetit, madje edhe Shtëpinë e Bardhë.

“Botuesi dhe redaksia e gazetës ishin një urë e fortë e lidhjes midis personaliteteve të rëndësishme të politikës amerikane, si në krahun e demokratëve ashtu edhe në krahun e republikanëve, udhëheqësve të lëvizjes politike të Kosovës, drejtuesve të shtetit shqiptar dhe përfaqësueve politikë të shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi e Luginë të Preshevës”, theksoi ai.

Muçolli foli edhe për profilin e gazetës.

“’Illyria’ është një ndër gazetat shqiptare më të besueshme. Ajo aplikon standarde të larta profesionale e etike, siç aplikohen në mediet prestigjioze amerikane. Ajo është gazetë e pavarur dhe e paanshme, por e hapur për mendime, pikëpamje dhe opinione të ndryshme”, theksoi ai.

Muçolli tha se gazeta “Illyria” është fryt i përkushtimit për çështjen kombëtare të themeluesit e editorit të parë, Harry Bajraktari, editorit të dytë të saj Ekrem Bardha dhe editorit aktual, Vehbi Bajrami, por edhe stafit të gazetarëve e redaktorëve profesionistë.

Ai theksoi se të tre editorët e gazetës janë personalitete të respektuara në komunitetin shqiptar dhe në atdhe, njerëz të suksesshëm dhe shumë të devotshëm për çështjen kombëtare.

Kontributin e shtypit shqiptar në Amerikë  e vlerësoi edhe Rektori i Kolegjit “Iliria”, Prof. Dr Nuri Bashota.

Manifestimi tradicional “Ditët e falënderimit të Kosovës për SHBA – Than You USA” organizohet në kohën që qytetarët amerikanë e festojnë Ditën e Falënderimit (Thanksgiving Day).

“Kjo është ditë që ne shqiptarët festojmë dhe urojmë në të njëjtën kohë, bashkë me popullin amerikan’, theksoi Presidenti i Kolegjit “Iliria”. Prof. Dr Mixhait Reçi.

Manifestimi “Ditët e falënderimit të Kosovës për SHBA – Than You USA” përfundoi të enjten mbrëma vonë me koncertin tradicional në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në të cilin performuan këngëtarë dhe grupe muzikore nga gjithë hapësira shqiptare. (r.m.)

Comment

*