Shuarja e Robert Elsie-s – humbje e madhe për kulturën dhe shkencën

                Rexhep Ismajli

 

Më 2 tetor 2017 në Bonn të Gjermanisë u nda nga jeta gjuhëtari, intelektuali, keltologu, poligloti, albanologu, studiuesi frymëgjatë i gjuhës dhe i kulturës shqiptare, përhapësi i pashoq i vlerave të saj, prezantuesi i historisë së dokumentuar të popullit shqiptar, përkthyesi i zellshëm i letërsisë shqipe në gjuhët angleze dhe gjermane, përkthyesi i letërsisë greke në gjuhën gjermane, miku i madh i botës shqiptare, anëtari i jashtëm i ASHAK-ut, dr. Robert Elsie.

Ndryshe nga kohët kur me Robertin komunikonim nga larg lidhur me projektet e punës, shumë shpesh dhe lidhur me gjendjen që na kishte kapluar në vitet ’90 të sh. XX, në kohë më të vona qe bërë e zakonshme të komunikonim për projektet e radhës në fushën e studimeve shqiptare.

Sapo mbaruam diskutimet për përkthimet e biblës nga Todhri, për botimin e origjinalit me transliterim dhe përkthim anglisht në vizitën e tij në nëntor 2016, Roberti më çonte dorëshkrimin për alfabetet e shqipes, libër që ndërkohë doli nga shtypi po ashtu.

Javën që shkoi po komunikonim lidhur me programin e Konferencës së këtij muaji për studimet albanistike në botën ku flitet gjermanishtja dhe po bënim llogari për bashkëpunime të mëtejme, Roberti nuk përtoi të çonte mesazhin vlerësues për përgatitjet e konferencës, por njëherësh tregonte se ndodhej në spital dhe nuk e dinte nëse do të ishte në gjendje të vinte vetë. Vetëm tri ditë pas kësaj na erdhi kumti i zi. Krejt i papritur dhe në valën e aktivitetit të tij, në kulmin e pjekurisë intelektuale me horizont të pritjes reale për shumë vepra me vlerë që do të na sillte.

Si gjithnjë, në takimet e fundit, në nëntor qe i qetë, i afërt, plot kërshëri dhe bindje për punët në vijim.

Në Arkivin e Akademisë, gjeta motivimin për pranimin e Robert Elsie-s anëtar të jashtëm të ASHAK-ut të fundit të tetorit të vitit 2000, ku, ndër të tjera, shkruhej: “veprimtaria  e dr. Robert Elsie është e shumanshme dhe e gjerë. Ndihmesat e tij në fushën e albanologjisë janë të rëndësishme, sidomos në fushën e studimeve historiko-letrare, po edhe në fushën e historisë së kulturës. Informimet e shumta dhe shpesh depërtimet në institucione, biblioteka apo mjedise të tjera ku mund të gjenden vlera të shkruara jo mjaft të njohura për kulturën dhe historinë shqiptare ia shtojnë edhe më shumë peshën punës së tij tejet të frytshme… Për kulturën shqiptare rëndësi të veçantë ka dhe puna e tij në përkthimin, përhapjen dhe interpretimin e vlerave të letërsisë dhe të kulturës shqiptare nëpër botë, por nuk duhet të harrohet as ndihmesa e tij e drejtpërdrejtë për afirmimin e çështjes së Kosovës. Nuk ka dyshim se të gjithë punën e tij albanologjike e shquan një dashuri e jashtëzakonshme për kulturën dhe për popullin shqiptar”. Thelbi i këtij vlerësimi, të bërë 17 vjet të shkuara në Kosovën e sapo dalë nga lufta. sot vjen e rritet ndjeshëm, për të na bërë më të rëndë ndjenjën e humbjes së tij të parakohshme.

Robert Elsie lindi në Vankuver të Kanadasë më 1950, ku bëri studime për filologji klasike dhe gjuhësi, për të vazhduar më tej paralelisht me studime për gjuhësinë e krahasuar dhe nxënien e gjuhëve të ndryshme, ku hynin frëngjishtja, spanjishtja, gjermanishtja, italishtja, rusishtja, gjuhët baltike, gjuhët keltike, greqishtja, më vonë dhe gjuhët e tjera të Ballkanit, përfshirë shqipen, që u bë përqendrimi i tij më frymëgjatë. Në Universitetet e Berlinit, të Bonit e të Parisit studioi dhe sanskritishten, bretonishten, apo gjuhët e zhdukura të Europës jugore. Specializimin në gjuhësi të krahasuar e përfundoi me tezën e doktoratës për Raportet dialektore në goidelikishte, studim në dialektologjinë kelte në Bonn, që u botua më 1986. Në Bonn studimet për gjuhësinë e krahasuar në atë kohë i drejtonte Johann Knobbloch, gjuhëtar i shquar, ish-nxënës i N. Jokl-it. Kontaktet e tij me botën shqiptare në Tiranë e në Prishtinë i hapën Robertit një horizont të ri interesimesh – atë të gjuhës shqipe. Kështu keltologu mori udhën drejt albanologjisë.

Nga vitet 1978/79 Roberti, megjithë angazhimet e tjera, po zhytej gjithnjë e më shumë në studimet për shqipen dhe shqiptarët. Paralelisht ndërmerrte vizita në Tiranë dhe në Prishtinë, sidomos në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, po edhe në veprimtari të tjera. Me kohë u specializua në fushën e përkthimeve, qoftë në veprimtaritë konkrete, apo edhe gjithnjë e më shumë në fushën e letrave dhe të kulturës.

Përkthimet simultane R. Elsie i ka ushtruar në kontaktet qeveritare gjermano-shqiptare, po më vonë sidomos për nevojat e Gjykatës së Hagës, të NATO-s, të BE-së e të Këshillit të Europës dhe të instancave të ngjashme të niveleve më të larta ndërkombëtare.

Profili i tij prej studiuesi është i gjerë, kështu që ndihmesat e tij në albanologji shtrihen në shumë aspekte, në radhë të parë në fushat e studimit të letërsisë, të studimit të kulturës, të folklorit dhe të mitologjisë shqiptare, në fushën e gjuhës, etj.

Njihet si hulumtues këmbëngulës i dokumenteve dhe i dokumentimit të historisë shqiptare dhe i botimit të dokumentacionit në origjinalin e tij, po shpesh dhe me përkthime qoftë anglisht, qoftë shqip.

Në fushën e studimeve letrare ai njihet me veprën e tij Historia e letërsisë shqiptare anglisht të botuar më 1995 në 2 vëllime te Boulder dhe të shpërndarë nga Columbia University press në New York. Kjo vepër u përkthye dhe u botua te Dukagjini më 1997 me përhapje në tërë hapësirën shqiptare. U përkthye polonisht për nevoja të studentëve të Universitetit të Torunjit.

Mëtesa e autorit ka qenë të bënte një vepër gjithëpërfshirëse, nga fillimet e shkrimit shqip e deri sot, të paanshme, e mbi të gjitha me shënime sa më të plota e bibliografi shumë të pasur, në shumë aspekte shteruese. Tek i njëjti botues ai nxori më 1996 veprën Studies in Modern Albanian Literature and Culture me studime e recensione për letrat shqipe të botuara më parë në World Literature Today (ka një botim shqip te Buzuku, Prishtinë, 1995). Një version të shkurtë të Albanian Literature. A Short History, e botoi në Londër më 2005. Në këto vepra ai ka bërë sintezën e punës së tij shumëvjeçare me paraqitjen e letërsisë shqipe në botë.

Aspekt tjetër të studimeve të tij paraqesin hulumtimet për folklorin, kulturën popullore dhe mitologjinë, për çka po ashtu ka lënë vepra me vlerë. Te New York University Press ai më 2001 botoi veprën dyvëllimëshe A Dictionary of Albanian Religion, Mythology, and Folk Culture, për të vazhduar me serinë e veprave të karakterit enciklopedik shumë të rëndësishme për përhapjen e dijes dhe të ideve për popullin, kulturën dhe gjuhën shqipe: Historical Dictionary of Albania, Oxford 2004, Historical Dictionary of Kosova, Oxford 2004 me botime të zgjeruara më 2011, A Biographical Dictionary of Albanian History, London, etj.

Një aspekt me shumë rëndësi në punën e Robert Elsie-s paraqet veprimtaria e tij shumë e gjerë në fushën e mbledhjes dhe të botimit të dokumentacionit për historinë dhe zhvillimet ndër shqiptarë, të paraqitur dhe në gjuhën angleze. Në këto hulumtime të tij mbisundon vështrimi gjithëshqiptar, trajtimi i botës shqiptare nga një vështrim i jashtëm, por si një tërësi. Në këtë fushë do të veçoja librin e vitit 1997 të botuar në Nju Jork “Kosovo in the Heart of the Powder Keg”, ku botës iu paraqitën jo vetëm pikëpamjet e shqiptarëve, po edhe dokumentet e programet përmes të cilave dëshmohen zullumet gjenocidale ndaj shqiptarëve dhe projektimet nga instanca shtetërore të spastrimeve etnike, si ato të E. Durham, të Leo Freundlich, të Gj. Bisakut-Sh. Kurtit-L. Gashit, të V. Čubrilović-it, e të I. Andrić-it. Pastaj veprën Early Albania. A reader of Historical Texts 11th-17th Centuries, Wiesbaden, 2003 dhe librin me dokumente për fatin e çamëve dhe të gjenocidit ndaj tyre, të përgatitur bashkë me B. Destanin “The Cham Albanians of Greece”, London 2013.

Robert Elsie ka botuar dhe një varg veprash të tjera në këtë fushë dhe ka qenë vazhdimisht i angazhuar në përhapjen e së vërtetës së shqiptarëve edhe në kohët më të vështira për Kosovën. Në një prej reagimeve të tij publike për gjendjen në Kosovë në Londër e në New York më 1992, të pare nga Hotel Grand i Prishtinës, Elsie vlerësonte: “The spectre of nazi Germany arose before me as I watched the guests… I pictured myself in the 1930s in an elegant restaurant in Berlin… in a hotel recently made judenfrei”. Dhe nuk pushoi së ndihmuari gjithandej dhe me të gjitha fuqitë e tij për çlirimin nga gjendja ku ishte pllakosur Kosova. Informimi i drejtë, i plotë dhe i paanshëm e në instancat ku duhej ishte bërë punë e tij e ditës.

Një aspekt me shumë vlerë të punës së tij hulumtuese paraqet botimi i veprave më pak të njohura apo të mbetura dorëshkrim nga e kaluara, ndër të cilat do të shquaja botimin e Kujtimeve të Baron Nopçës, të Historisë së Shqipërisë të Faveyrial-it, etj. Më duket se me rëndësi jo të vogël janë ndihmesat e tij në gjurmimin dhe botimin e fotografive të hershme nga bota shqiptare, punë që deri tash ka mbetur unikale.

Si studiues Elsie ishte formuar për gjuhësi krahasuese indoeuropiane. Në fillimet e tij shqipen e shihte më parë në këto suaza, por shumë shpejt iu kthye një kuadri më të përgjithshëm të studimeve të shqiptare. Rëndësi kanë studimet e tij për aspektet kulturore dhe të shkrimit të hershëm të shqipes, të dokumentimit të hershëm, por edhe studimet për emrat e lumenjve, apo ato për shqipen tek E. Çelebi. Pak para vdekjes ai na la dhe dy vepra për këto aspekte: “Early Albanian Bible Translations in Todhri Script”, London 2016, në të cilën sjell kopjen që ia doli ta gjente në arkivat për von Hahn, e që mendohej të ishte zhdukur. Ai kështu sjell një zbulim të rëndësishëm për shkrimin original të sh. 18 nga Todhri, pastaj “Albanian Alphabets: Borrowed and Invented”, London, 2017, ku jep një pasqyrë të gjithanshme të alfabeteve me të cilat u shkrua shqipja. Është marrë dhe me leksikun e besimeve dhe të mitologjisë, etj. Këto kohët e fundit, në kuadër të punës së tij të gjerë për paraqitjen e kulturës dhe të botës shqiptare përmes internetit, ai hapi dhe një sajt “Albanian Language”, ku jepen shënime hyrjeje për gjuhën shqipe, me elemente të dëshmive historike. Aty ka dhe një nismë shumë të lavdërueshme lidhur me dialektet e shqipes: ai ka sjellë një material audio për të folme shqipe të mbi 150 pikave, qoftë të vjela nga ai vetë, qoftë nga të tjerë.

Ndihmesat e Robert Elsie-s për njohjen ndërkombëtare të kulturës dhe të botës shqiptare kanë qenë të jashtëzakonshme dhe në drejtime të ndryshme. Do të përmendja me këtë rast përkthimet e tij gjermanisht të veprave Migjenit, të tregimtarëve të sh. XX, por pastaj sidomos anglisht të veprave të Migjenit, të E. Koliqit, të F. Brovinës, të A. Podrimjes, të Gj. Fishtës, të këngëve kreshnike, të E. Bashës, të F. Kongolit, të tregimeve shqiptare, të V. Zhitit, të A. Shkrelit, të J. Nezirajt, e të tjerë. Sukses më vete paraqet përkthimi i kryeveprës “Lahuta e Malcís”. Le të përmendim rrugës se ai ka përkthyer gjermanisht veprën e plotë të poetit të madh grek Konstatntin Kavafis, ashtu si dhe poezinë sorabe.

Përveç përkthimeve në vepra të veçanta, ai ka bërë shumë përkthime të tjera nëpër revista të ndryshme në Gjermani, në Amerikë, etj. Ka përhapur informacione për letërsinë shqiptare nëpër të gjitha hapësirat e mundshme ndërkombëtare, po edhe përmes internetit në sajtin e tij Albanina Literature in Translation, ku përfshihen shumë vepra që dalin për herë të parë anglisht. Kur jemi te sajtet, do të doja të përmend me këtë rast punën e tij jashtëzkaonisht shumë të dobishme në sajtet Albanian Art, Texts and Documents of Albanian History, Early Photography in Albania. Në këtë pikë ai ka qenë një hap më përpara se të gjithë ne që merremi me studime të këtij lloji, duke përfituar nga përparësitë e teknologjisë së kohës për përhapjen e pakonkurrencë të dijeve e të informacionit për kulturën, gjuhën, letërsinë dhe botën shqiptare.

Robert Elsie-n e njoh nga viti 1979, kryesisht nga Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, nga konferencat e ndryshme shkencore ndër ne dhe në botë, nga takimet në vizitat e tij në Kosovë. Ishte njeri jashtëzakonisht i qetë, i vëmendshëm dhe i interesuar. Ishte i saktë dhe i përgjegjshëm për punën që bënte. Ishte dashamirës dhe kishte dëshirë të ndihmonte, prandaj dhe kishte zënë shumë miqësi me shqiptarët gjithandej.

Gjatë ditës së djeshme kemi marrë telefonata nga studiues arbëreshë për të shprehur ngushëllimet e tyre (e dinin se ishte anëtar i jashtëm i Akademisë sonë) dhe keqardhjen për humbjen e një njeriu kaq të dashur dhe për arbëreshët.

Shuarja e tij është një humbje e madhe për albanologjinë në përmasat ndërkombëtare, është humbje e një miku të madh të botës shqiptare, e një dijetari të papërsëritshëm. Vepra e tij do të vazhdojë të rrezatojë dritë, dije e informacion për botën shqiptare.

I qoftë i lehtë dheu që do ta mbajë.

 

(Fjala e mbajtur në mbledhjen komemorative për Dr. Robert Elsie-n, në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës) 

Comment

*