Shuhet ikona e muzikës “soul”, Aretha Franklin

Detroit, 16 gusht 2018 – Mbretëresha e muzikës “soul”, Aretha Franklin, ka vdekur sot në shtëpinë e saj në Detroit, e rrethuar nga familja dhe miqtë e saj, pas një beteje të gjatë me sëmundjen.

Ajo ishte 76 vjeçe.

Aretha Franklin ishte nënë e katër djemve.

Familja e saj ka bërë thirrje për “lutje dhe privatësi”, raporton Showbiz 411.

Aretha Franklin nuk ishte paraqitur në publik prejse nëntorit të vitit të kaluar, kur mori pjesë në festivalin e Elton John AIDS Foundation, në Nju Jork. Ajo i kishte anuluar dy koncerte të planifikuara në muajt mars dhe prill të këtij viti.

Performanca e saj e fundit publike ishte në Qendrën Mann në Filadelfia, në gusht të vitit 2017. Në përfundim të shfaqjes, ajo kishte thënë se ishte mposhtur nga “lodhja dhe dehidratimi”.

Krijuesja e hitit “Respect” luftoi me sëmundjen gjatë shtatë viteve të fundit. Në vitin 2011, ajo  mohoi raportimet se po vuante nga kanceri i pankreasit, por më vonë e pranoi se kishte bërë një operacion.

Aretha Franklin ishte vajza e një kleriku baptist, Ajo u lind në Memphis, Tenesi, më 1942. Familja e saj u zhvendos më vonë në Detroit, ku ajo filloi të këndonte në kishën e babait të saj.

Ajo e filloi karrierën profesionale në muzikë kur ishte 18 vjeç. Brenda tri vjetëve, ajo lansoi disa nga hitet e saj më të famshme, me të cilat ajo arriti kulmin e famës, përfshirë hitet “Respect” dhe ‘U’Say a little pray’.

Ajo fitoi 18 Grammy Awards, u fut në Rock and Roll Hall of Fame në vitin 1987 dhe u bë një nga artistët më të shitur të muzikës së të gjitha kohërave, duke shitur më shumë se 75 milionë disqe.

“Një forcë nga parajsa. Diçka që e bën Zoti. Dhe Aretha është një dhuratë nga Perëndia”, shkruante revista Rolling Stone, e cila e quante atë këngëtaren më të madhe të të gjitha kohërave.

“Kur vjen puna për të shprehur veten përmes këngës, nuk ka asnjë që mund ta arrijë atë. Ajo është arsyeja pse gratë duan të këndojnë”, shkruante revista, transmeton Oranews. (r.m.)

Comment

*