“Shumë momente të rëndësishme, të jetës sime, i kam përjetësuar në vargje dhe këngë”

Intervistë me këngëtarin e njohur Zef Beka: “Falenderoj nga zemra shqiptarët e Amerikës për mikpritjen edhe respektin që më kanë kushtuar”

 

Përshëndetje zoti Beka, ju jeni tashmë një artist i njohur në fushën e muzikës, me shumë këngë e albume, e adhurues në disa vende të botës. Çfarë mendoni se i tërheq dëgjuesit te kënga juaj?

Përshëndetje. Së pari, ju falenderoj për përcjelljen e mendimit tim te bashkëkombësit e mi që jetojnë në SHBA. Unë mendoj që bashkëkombasit e mi në mbarë botën kanë zgjedhur këngën time si një lidhje të vazhdueshme  me origjinën shqiptare, me traditën shqiptare, me bukurinë shqiptare. Në kompozimet e mia gjen folklorin, veglat tradicionale e autentike të vendit tonë .Prandaj në një farë mënyre ndihem edhe me fat që kenga imë ime degjohet në shumë familje dhe makina në skajet më të largëta të planetit ku ka shqiptarë.

 

Ju u këndoni shpesh mërgimtarëve, që janë shumica e lexuesve të gazetës sonë. Çfarë janë mërgimtarët për kombin shqiptar? Si i shihni ju vetë mërgimtarët?

Mërgimtarët pavarësisht se janë një humbje për trojet tona, i dijes, rinisë dhe forcës, ata mund të themi që janë kthyer edhe në krenari për ne ku shumë shqiptarë i gjen në politikat botërore me fjalën dhe mendimin e tyre janë shumë të suksesshëm në biznes, sport dhe muzikë. Ata kurrë nuk e harruan vendin e tyre dhe e tregojnë duke sponsorizuar shumë evenimente tradicionale duke përkrahur popullin shqiptare në momente të vështira dhe duke ngritur lart emrin e Shqiperisë.

 

Për kuriozitet na tregoni për lexuesin tonë diçka për fillimet tuaja? Si u lidhët me muzikën, si vendosët që t’ia kushtonit jetën?

Lidhjet e mia me muzikën janë gjatë gjithë ekzistencës time. Që nga momenten e hershme fëminore prindërit e mi nuhatën këtë dhunti timen natyrore dhe në hapat e mi të parë instiktivë ata ishin aty duke më nxitur për çeljen dhe lulëzimin tim artistik. Dhe që atëhere, çdo hap i jetës është i lidhur me rritjen time artistike. Madje, shumë herë, shumë momente të rëndësishme, të jetës sime, i kam përjetësuar në vargje dhe këngë.

 

Si e zgjodhët këtë zhanër të muzikës që zhvilloni sot? Pse ka rëndësi për ju?

Këtë zhanër të muzikës e zgjodha pasi me të u rrita. Muzika popullore e Shqipërisë është e lidhur ngushtë me traditat dhe festat shqiptare. Kërcehet dhe këndohet në dasmat tona. Arsyeja që ka rëndësi ky zhanër për mua është se ai përbën një trashëgimi artistike të pastër shqiptare.

Zef Beka

Çfarë ju frymëzon për të kompozuar e për të kënduar?

Unë frymëzohen për kompozimet e mia nga jeta e përditshme nga fenomenet e gëzueshme dhe ato problematike të jetës tone. Madje, shpesh kemi kompozuar dhe për kauza politike dhe padrejtësi. Këngë për shqiptarët e Kosovës për shumë vjet të shtypur nga shteti serb dhe tashmë si shtet i pavarur. Për këtë arsye kam pasur burime të shumta frymëzimesh që më prekin mua dhe dashamirësit e këngës sime.

 

Ju keni këngë dasmash e dashurie, po edhe këngë me tema të mprehta sociale të kohës si “Ndal Gjakmarjes”. Çfarë ju frymëzoi që t’i përkushtoheshit kësaj teme?

Gjakmarrja është një fenomen kryesisht verior, nga janë dhe origjinat e mia. Shumë familje të njohura u prekën dhe u dëmtuan nga ky fenomen. Shumë femijë u ngujuan dhe burrat e shtëpisë i vunë kyçin derës nga frika e hakmarrjes .atëherë vendosa të përdor këngën time për të ndërgjegjësuar njerëzit që ky fenomen po dëmtonte shumë njerëz të pafajshëm.

 

Ku i keni dashamirësit më të shumtë?

Dashamirësit e mi më të shumtë mund ta them me krenari se janë ns SHBA. Edhe pse shtet i largët me vendin ku jetoj dhe këndoj, në Amerikë gjeta dashamirësit numër një të këngës sime, ku koncerti im me pjesëmarrjen më të lartë në gjithë karrierën time ishte hera e parë në Detroit. Një pritje e jashtëzakonshme. I falenderoj pafundësisht. Por kemi gjetur shumë ngrohtësi edhe në Australi dhe Angli. Kam dhe shumë ndjekës të mi nga rrjetet sociale që më ndjekin nga vende si Kina, Zelanda e Re.

 

Ku keni qenë për koncerte në SHBA?

Drejt Amerikës kam udhëtuar shumë herë për 10 vite me radhë. Koncertet e mia i kam mbajtur në Detroit (Michigan), Chicago (Illinois), Seattle (Washington), Atlanta (Georgia), po edhe në Florida etj dhe i falenderoj nga zemra shqiptarët atje për mikpritjen edhe respektin që më kanë kushtuar.

 

Ju keni kënduar vetë, po keni edhe bashkëpunime të suksesshme. A keni ndonjë projekt apo plan për të ardhmen që mund ta ndani me lexuesin tonë? Çfarë prisni nga viti 2020?

Unë kam kënduar dhe kam pasur fatin e mirë të bashkëpunoj me kampozitorë edhe kolegë e kolege të talentuar si psh Fatmira Breqani, Dava Gjergji, Flora Gashi, Elizabeta Marku, Arben  Gjeloshi etj Prandaj gjatë vitit 2020 kam shumë projekte bashkëpunimi edhe këngë të reja të cilat do të dalin së shpejti në youtube për adhuruesit e mi brenda edhe jashtë Shqipërisë.

(Intervistoi: Ruben Avxhiu)

 

Comment

*