Si e quajtën Anton Çettën, në fillim të punës së tij në mbledhjen e folklorit?

Muhamet Mjeku

Popullata e Artakollit, zonë mes Drenicës dhe Rrafshit të Kosovës, pas Luftës së Dytë Botërore, mbahej e mbyllur, ashtu siç ishte Drenica: pa rrugë, me pak shkolla, pa punë dhe jetohej në një varfëri mjeruese, dhe aq më keq nën pzikozën e terrorrit dhe dhunës shtetëtrore. Këta njerëz në këtë kohë, shumica analfabetë, s’dinin shumë për intelektualët shqiptarë në Kosovë, edhe ashtu të pakët që ishin.

Një mbrëmje shkurti të vitit 1957 në derën e oborrit të shtëpisë sonë u shfaq një mik nga Tersteniku, një fshat në Drenicën Perëndimore. Miku, pasi u ngroh nga një stufë e vjetër teneqeje, që ishte vendosur në një qoshe të odës, filloi të bisedonte për hallet e njerëzve të trevës së tij. Në bisedë, veç gjendjes në atë anë, sillte një lajm interesant: ” Ka dalë një njeri andej kah ne dhe po mbledh përralla, një burrë i gjatë me një strajcë në shpinë, të cilën po e barte kado që po shkonte”.

Burrat kureshtarë, e pyeten mikun se qysh po i mbledhte përrallat? Mysafiri nuk dinte ta shpjegonte mënyrën teknike dhe qëllimin përse ai e bënte atë punë. Një pyetje tjetër që iu drejtua treguesit të lajmit kishte të bënte me mundësinë e pagesës. “A mos po paguante për kallëzimin e ndonjë përralle…?”. “Nu di “, u përgjigj ai. Këtu përfundoi biseda rreth njeriut të “përrallave”. Disa fshatarë të lagjes sonë dinin shumë anektoda e mesele dhe shprehen interesim të takoheshin me njeriun që kishte dalë në terren për të mbledhur këtë pasuri popullore.

Ky njeri i “përrallave” që këta njerëz nuk e njihnin, ishte Anton Çetta, i cili në atë kohë të errët politike përpiqej të bënte pak dritë mbi këtë hapësirë gjeografike, duke mbledhur trashëgiminë  kulturore të kësaj zone që e priste çekani i zhdukjes. Pra, në këtë periudhë të zymtë po zinte fillet një projekt kaq i madh e shumë i rëndësishuem për kulturën shqiptare. Këtë epitet, si njeri i përrallave, profesor Anton Çetta e ka shpjekuar në disa raste, kur fliste për fillimet e punës së tij në këtë fushë.

Drenica nga viti 1945, me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, kishte dalë me shumë varre, me njerëz të zhdukur dhe me shtëpi të djegura e të shkatërruara nga forcat ushtarake jugosllave. Ajo u mbajt e izoluar, si hakmarrje për kundërshtimin që bëri Shaban Polluzha me birgadën e tij pushtimit serb dhe komunizmit.

Dalja e Anton Çetës në këtë kohë për të mbledhur krijimtarinë letrare gojore ishte ngjarje e madhe për të cilën bisedohej në këtë rajon. Drenica, me terrenin e saj kodrinor-malor, bën pjesën qendrore të Kosovës, me një etnografi dhe kulturë popullore paksa të veçantë.

Gjashtë vjet më vonë, nga viti 1957, nga hapi i tij i parë në Drenicë, Anton Çetta, të cilin e thërrisnin njeriu i përrallave, më 1963 e botoi librin shumë të pëlqyer “Tregime Popullore të Drenicës (I)”. Me këtë libër 330 faqesh, të botuar nga Shtëpia Botuese “Rilindja”, në Prishtinë, u bë i njohur në Drenicë dhe në shumë rajone të tjera të Kosovës, ku ishte e zhvilluar filozofia popullore. Fama e tij u shtri në një dimension të gjerë kombëtar me veprat e tjera që pasuan në këtë fushë dhe me veprimtaritë tjera, si poet, profesor universiteti, përkthyes e pajtues gjaqesh në vitet e 90, në Kosovë dhe jashtë saj.

Comment

*