Si e vlerëson BE lirinë e shprehjes dhe pozitën e medies në Shqipëri?

Tiranë, 19 nëntor 2020 -Kreu i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, deklaroi se pandemia COVID -19 solli valë të reja keqinformimi dhe të lajmeve të rreme, duke vënë në pikëpyetje gazetarinë kredibile dhe duke shtuar kërkesat për ndjenjën e detyrës dhe të përgjegjësi në raportimin e fakteve.

Ambasadori Soreca i bëri këto komente në Forumin e 6-të të OSBE për Zhvillimin e Medias, i cili trajtoi shqetësimet e vjetra me lirinë e shtypit shqiptar dhe vështirësitë e reja, që u shtuan gjatë pandemisë.

“Në raportin e vitit 2020 për Shqipërinë të botuar muajin e kaluar, Komisioni theksoi shqetësimet e tij serioze se Shqipëria nuk ka bërë përparim në fushën e lirisë së shprehjes. Komisioni raportoi raste të dhunës policore ndaj gazetarëve në kontekstin e demonstratave. Ai bëri thirrje për tolerancë zero ndaj frikësimit, kërcënimeve dhe sulmeve kundër gazetarëve dhe medias, përfshirë në diskursin politik. Këshilli nënvizoi se ndryshimi i ligjit për median në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias mbetet një përparësi e rëndësishme”, tha ambasadori Soreca.

BE i nxit autoritetet shqiptare, si njësitë kryesore përgjegjëse për krijimin e një mjedisi të favorshëm për lirinë e medias, që të përdorin çdo mundësi për të vendosur dialog me aktorët e medias.

“Është koha për të ndjekur procesin e konsultimit me komunitetin e medias mbi draftin e ndryshimeve në lidhje me ligjin për median, duke marrë parasysh ekspertizën e aktorëve ndërkombëtarë, në mënyrë që të sigurohet një ndikim pozitiv i paketës legjislative mbi lirinë e shprehjes”, tha zoti Soreca.

Zoti Soreca i quajti heroike raportimet e gazetarëve gjatë tërmetit dhe tani gjatë pandemisë, dhe po aq heroike tha se janë shkrimet që denoncojnë korrupsionin, krimin e organizuar, shkatërrimin e mjedisit, abuzimet me fondet pubike dhe me sigurinë ushqimore, për të cilat kanë dhënë mbështetje të gjerë.

Përfaqësues të gazetarëve shqiptarë folën me shqetësim për vështirësitë e reja që ka sjellë pandemia, duke nisur nga infektimi i gazetarëve e deri te pengesat e shumta në punë.

Drejtuesi i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Aleksandër Çipa, tha se gazetarët e terrenit janë të pambrojtur dhe të papaguar në këto kohë të vështira, kurse punonjësit e redaksive po ashtu janë në vështirësi të mëdha shëndetësore dhe ekonomike.

“Një pjesë e gazetarëve lokalë kanë vështirësi dhe mbeten nën minimumin e të ardhurave financiare për çdo muaj. Kjo situatë e fundit e pandemisë ka rikthyer edhe një herë shqetësimin tonë mbi përsëritjen e dukurisë së vonesës së pagave në shumë prej mediave të vendit. Madje në disa raste ka vonesa pagash deri ne 4 apo 5 muaj. Vështirësitë e medias lokale në Shqipëri janë të njohura. Unioni ka publikuar periodikisht raporte që bëjnë të njohur mjerimin social dhe financiar të tyre”, tha zoti Çipa.

Ai theksoi se gazetarët mbetën në periferi të ndihmës ekonomike dhe shënteësore nga shteti gjatë pandemisë.

Sipas Unionit të Gazetarëve, të paktën 38 gazetarë dhe punonjës të tjerë të medieve janë infektuar me COVID-19 deri tani. Për fat të mirë, nuk ka pasur humbje jete, por mjekimet i kanë përballuar vetë gazetarët dhe familjet e tyre.

Ndërkkaq, institucionet mediatike nuk raportojnë zyrtarisht për numrin e punëtorëve të tyre të infektuar dhe as për gjendjen shëndetësore të tyre.

Pjesëmarrësit në Forumin e OSBE-së për Zhvillimin e Medias vlerësuan se ky vit është shumë i vështirë për gazetarët dhe se ata kanë nevojë për një mbrojtje të fuqishme të lirisë së shprehjes.

Instituticionet europiane kanë dhënë këtë përkrahje edhe përmes korrigjimeve të politikave ndaj medieve dhe ndihmave financiare për mediat në këtë kohë të vështirë.

(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)

Comment

*