Si nipi te dajat

Fatmir Konja

Lulzim Basha nuk shiti mend në Kosovë. As që e provoi të përcjellë ndonjë “udhëzim”, nga ato “udhëzime” që rëndom janë dëgjuar nga paria e Tiranës për parinë e Prishtinës.
Jo se nuk mundej. Jo se i druhej ndonjë shprehjeje refuzimi. Në Kosovë, as që ua vënë re ca fjalë të mëdha vëllezërve “të mëdhenj” nga Shqipëria.

Basha ka punuar për disa vite në rininë e tij të hershme në Prishtinë, kur është njohur me pothuajse të gjithë liderët politikë të Kosovës. Bashkëpunimi i tij me ta u bë i ngushtë ose shumë i ngushtë gjatë periudhës së mëvonshme e deri më tani, kur kreu detyra të rëndësishme në qeverinë “Berisha”, 2005-2013, apo gjatë drejtimit më pas të Partisë Demokratike në opozitë.

Basha tha se shkonte në Kosovë si nip i saj, siç është në të vërtetë. Prej këtej buron jo vetëm dashuria për Kosovën dhe përkushtimi për një marrëdhënie të sinqertë me të parët e saj, por gjithashtu edhe modestia e Bashës në sjelljen e tij politike.

Ai foli me të gjithë për shumëçka e shqetëson sot Kosovën, e tek secili për shqetësime të veçanta, duke përcjellë vullnet për bashkëpunim, angazhim për të ardhmen dhe përballimin e sfidave të përbashkëta, kurajë e solidaritet vëllazëror.

Ende kryetar opozite në Tiranë, Basha u tha kreëve politikë në Prishtinë se është duke shtruar rrugën për një bashkëveprim të ngushtë ekonomik mes Shqipërisë e Kosovës, duke theksuar se bashkëpunimi nuk duhet të mbetet në fjalë e në letra.

Simbolika e këtij vullneti ishte premtimi për heqjen e menjëhershme të tarifës në Rrugën e Kombit, bashkëpunim të ngushtë në fushën e energjisë dhe për akses të vërtetë të Kosovës në portet shqiptare, me të ardhur në qeveri. Po kështu, u ndanë shqetësimet dhe u ndanë pikëpamjet e përbashkëta për përballimin e situatës së krijuar nga pandemia e Covid-19, si edhe të emigrimit në masë i të rinjve nga Shqipëria e Kosova.

E ndërsa i njihet kontributi si ish-ministër i Jashtëm në procesin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe njohjen ndërkombëtare, Basha garantoi se si në opozitë dhe nesër në qeverisjen e vendit, do të mbështesë të gjitha përpjekjet për të garantuar arritjen e objektivave të qytetarëve të Kosovës, duke nisur me liberalizimin e vizave, anëtarësimin në OKB, NATO dhe avancimin në procesin e integrimit në BE.

Basha u konfirmoi edhe njëherë liderëve politikë të Kosovës, se në kuadër të dialogut me Serbinë, Partia Demokratike mbështet koordinimin me partnerët strategjikë SHBA e BE, synimin për njohjen reciproke me Kosovës e Serbisë në fund të procesit, e mbi të gjitha cilësimin të panegociueshëm të integritetit territorial të Republikës së Kosovës. Qëndrimi për paprekshmërinë territoriale u paraqit me të gjithë forcën, në fjalinë e tij, në ditën e dytë të vizitës. “Sot, unë them me gojën plot se kryeqyteti i kombit është Mitrovica”.

E ndërsa i ndau këto qëndrime, Basha deklaroi se pavarësisht bashkëpunimit dhe ndihmës që duhet dhe mund të japë Shqipëria në këtë proces, në asnjë rast ajo nuk mund dhe nuk duhet të flasë në emër të Kosovës.

E natyrisht, Basha qartazi e ka rreshtuar veten përkrah luftëtarëve për liri e pavarësi të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Duke theksuar se Kosova ishte viktima dhe jo agresori, Basha shprehu mbështetjen e plotë për komandantët dhe ushtarët e UÇK-së, të cilët megjithëse nga ana e viktimës, u janë përgjigjur thirrjeve të drejtësisë, ndërsa agresori ende nuk është përgjigjur për krimet, vrasjet, përdhunimet dhe genocidin e ushtruar ndaj popullit të Kosovës.

Si u prit Lulzim Basha në Kosovë?

Si nipi, kur shkon tek dajat, para se të bëhet “dhëndërr”.

A do t’u përmbahet qëndrimeve dhe angazhimeve që shprehu gjatë kësaj vizite?

Detyrimet “nip e dajë” janë aq të njohura ndër shqiptarë, sa janë përfshirë deri në brezin e tretë tek e drejta zakonore.

Lulzim Basha është nip Kosove i brezit të tretë.

Comment

*