Si shihet në Tiranë raporti i DASH-it për klimën e biznesit në Shqipëri?

Tiranë, 31 korrik 2018 – Opozita, qeveria dhe studiues të pavarur të ekonomisë e përcollën me komente kontradiktore raportin e Departamentit të Shtetit mbi klimën e investimeve për vitin 2018, ku Shqipëria vlerësohet si një vend i vështirë për të bërë biznes, bazuar në dëshmitë e investitorëve të huaja

“Shqipëria nuk është vend mikpritës për investimet e huaja. Ka 5 vjet nuk ka investime të huaja, ose nuk ka ndonjë investim serioz. Ka shumë klientelizëm politik dhe kleptokraci, ka edhe presion. Para 5 vjetësh kur ndërtohej një rrugë kishte kompani të huaja që konkurronin për ndërtimin e saj, tani prej 5 vjetësh nuk ka pothuaj asnjë kompani të huaj që të jetë e interesuar për të fituar një tender në Shqipëri” – tha analisti Gjergj Erebara i agjencisë Agjencisë BIRN.

Raporti i DASH thotë se në Shqipëri investitorët e huaj përmendin si probleme kryesore korrupsionin, i cili spikat veçanërisht në sistemin gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave.

“Ky raport është në thelb një rikonfirmim i një realiteti ekonomik të trishtë që po kalon Shqipëria: me rritje ekonomike të ngadalshme, me ekonomi që funksionon nën kapacitet, me kuadër ligjor, që ndryshon shpesh, me vendim-marrje abuzive të qeverisë në favor të lobeve dhe grupeve të mëdha të oligarkisë dhe kleptokracisë që e shoqëron atë” – tha drejtuesi i Qendrës për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi.

Raporti vlerëson zbatimi i reformës në sistemin gjyqësor po verifikon gjyqtarët dhe prokurorët për pasuri të pashpjeguar, por investitorët e huaj e perceptojnë klimën e investimeve si problematike dhe thonë se Shqipëria mbetet një vend i vështirë për të bërë biznes.

Analisti Gjergj Erebara i rrjetit ballkanik investigativ BIRN thotë se projektet e partneritetit publik- privat janë në përmasa të stërmëdha në krahasim me ekonominëm ku 4 projekte rrugësh janë 711 milionë euro, ose sa 6 % e GDP-së së Shqipërisë. Shuma të mëdha parash hidhen në pak projekte dhe procedurat e prokurimit lënë për të dyshuar klientelizëm politik, korrupsion, paracaktim të fituesit.

“Ky është një sistem i pastër i klientelizmit politik. Kjo është si një ekonomi mesjetare, ku mbreti përcakton se kush do të shfrytëzojë pyllin, kush do të mbledhë taksat, kush do të shfrytëzojë qymyrin, kush do të shfrytëzojë bregdetin. Pra, çdo gjë është në duart e një personi të plotfuqishëm që quhet kryeministër dhe ai nuk ka atë që në Amerikë e quajnë Kontrolli dhe Balanca, dhe nuk ka balancime kushtetuese” – tha zoti Erebara i agjencisë BIRN.

Raporti i departamentit amerikan të shtetit thekson se investitorët e mëdhenj të huaj kanë presione për të punësuar nënkontraktorë të lidhur me politikanët, ndërsa raportimet për korrupsion në praktikat qeveritare të prokurimit janë të zakonshme.

Departamenti i Shtetit tha se Projektet me partneritet publik-privat ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë edhe konkurrencën e investitorëve të huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë.

“Projektet e Partneritetit Publik-Privat janë deformime të thella të konkurrencës , pasi dihen paraprakisht kush janë fituesit dhe garat janë krejt formale. Qeveria kujdeset të përdorë parlamentin si një lloj Garde për të mbrojtur kontrata të kësaj natyre, pra e shmang ndëshkueshmërinë në të ardhmen, duke u fshehur pas vendim-marrjes kolegjiale. Shumica e tyre janë oferta të pakërkuara, që do të thotë se qeveria injoron ose nuk ka masterplane të zhvillimit të sektorëve dhe degëve të ndryshme të ekonomisë” – tha Zef Preçi i Qendrës për Kërkime Ekonomime.

Sipas raportit të departamentit, investitorët ankohen se ligjet e paqëndrueshme dhe rregulloret e vështira të zyrtarëve janë mjete për t’i larguar investitorët e huaj dhe për të favorizuar kompanitë e lidhura me politikën.

Kryetari i Partisë Demokratike të opozitës, Lulzim Basha, tha se Shqipëria nuk ka investime të huaja, sepse u bën presion të bashkëpunojnë me bizneset klienteliste të saj.

“Shqipëria nuk është vend i përshtatshëm për bizneset amerikane për shkak të korrupsionit të përhapur, veçanërisht në PPP dhe prokurime, nga mungesa e shtetit ligjor dhe e konkurrencës” – tha zoti Basha.

Ndërsa ministri i ekonomisë dhe finacave, Arben Ahmetaj tha se boshti i raportit është reforma në drejtësi, e cila nuk duhet penguar më nga opozita.

“Raporti e thotë qartë se korrupsioni bazohet dhe buron nga sistemi gjyqësor dhe kjo ka prishur kushtet e të bërit biznes. Raporti thekson se nëse reforma kryhet plotësisht klima e biznesit do të përmirësohet shpejt” – tha ministri Ahmetaj.

Raporti i DASH thotë po ashtu që të drejtat e pronës në Shqipëri mbeten një sfidë e madhe, sepse është e vështirë të marrësh një titull të qartë pronësie dhe sepse gjykatat e korruptuara u japin tituj pronësie për toka njerëzve që nuk i kanë të tyret, ndërsa agjencia kundër të paligjshme shpesh vepron pa konsultime të plota dhe nuk ndjek procedurat.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit i Transparency International për vitin 2017 e rendiste Shqipërinë në vendin e 91 nga 180 vende, një rënie prej tetë vendesh nga një vit më parë. Si e tillë, Shqipëria tani perceptohet si vendi i dytë më i korruptuar në Ballkanin Perëndimor.

Sistemi ligjor shqiptar presupozon që të mos ketë diskriminim ndaj investitorëve të huaj. Traktati i Investimeve Dypalëshe me SHBA, i cili hyri në fuqi më 1998, garanton që investitorët e SHBA të kenë trajtimin e vendit më të favorizuar, thuhet në raport.

(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës)

Comment

*