Si të bëj kërkesë pranë Departamentit të Shtetit për të marrë dosjen time të emigracionit?

Kieran Both

Çështje të Emigracionit: Për ju Avokati Kieran Both

Pyetje nga lexuesi:

Në vitin 2013 aplikova për vizë, por kërkesa m’u refuzua. Do të doja të aplikoja përsëri, por kam frikë që do të ma refuzojnë prapë kërkesën. Më ndihmoi një shok për të përgatitur aplikimin e parë për vizë, dhe nuk kam mbajtur kopje të aplikimit. Do të doja të dija arsyet pse m’u refuzua aplikimi. A është e mundur ta marr këtë lloj informacioni nga qeveria e SHBA-së? 

BD

Albania  

Po, është e mundur.  Departamenti i Shtetit të SHBA-së (DOS) mban disa lloje dokumentash që kanë të bëjnë me çështjet si vijon: (1) Hartimi dhe zbatimi i politikës së jashtme të SHBA-së; (2) Administrimi dhe veprimtaria e DOS-it dhe e misioneve të SHBA-së jashtë vendit. (3) punonjësit aktualë dhe të mëparshëm të DOS-it; (4) aplikimet nga shtetasit e SH.B.A.-së për pasaportat amerikane; (5) kërkesat për viza nga joqytetarët për të hyrë në SH.B.A. dhe (6) ndihma konsullore dhënë qytetarëve të Sh.B.A.-së jashtë vendit.

Kërkesa për dosjen personale të dokumentave të emigracionit duhet të dërgohet në zyrën e duhur, në varësi të llojit të informacionit që kërkoni.

REGJISTRA PËR VIZAT (A):

  • Refuzimi i vizave
  • Regjistrat e dokumentacionit për vizat joemigruese
  • Regjistrat e dokumentacionit për vizat emigruese
  • Korrespondenca e dërguar/marrë nga zyrat jashtë vendit

Kërkesën mund ta dërgoni me postë ose fax në adresën:

Office of Information Programs and Services

A/GIS/IPS

2201 C Street N.W., Suite B266

Washington, D.C. 20520-0000

Numri i faksit: (202) 485-1669

REGJISTRA TË TJERË VIZASH (B)

  • Korrespondenca me NVC-në (Qendra Kombëtare e Vizave)
  • Kopje të dokumentave të gjendjes civile të paraqitura nga peticioneri

Kërkesën tuaj DUHET ta dërgoni me postë në adresën:

National Visa Center

Attention: Written Correspondence

32 Rochester Avenue

Portsmouth, NH 03801-2909

Nuk egziston një formular specifik për t’i paraqitur Departamentit të Shtetit kërkesën tuaj për FOIA. Kërkesën mund ta bëni me një letër me kokë (me logon tuaj personale) dhe në zarf ose tek “lënda” (në rast se kërkesa dërgohet me fax) duhet të shkruani: “Freedom of Information Act/Privacy Act Request”. Kërkesa duhet të përmbajë informacionin si më poshtë:

  • Emrin e plotë dhe çdo pseudonim të përdorur nga personi që është subjekti i regjistrimit
  • Adresa postare aktuale e subjektit të regjistrimit
  • Data e lindjes  Muaji/Dita/Viti e subjektit të regjistrimit
  • Vendlindja(qyteti, shteti/vendi) e subjektit të regjistrimit
  • Një përshkrim i informacionit që po kërkoni nga regjistrat e arkivuar, përfshirë këtu dhe çdo informacion të mëposhtëm.

Nëse po kërkoni informacion lidhur me aplikimin për vizë joemigruese mundoheni të shkruani sa më saktë që të jetë e mundur periudhën kohore që i përket informacionit që kërkoni, zanafillën e informacionit të arkivuar, llojin e vizës si dhe zyrën e jashtme që është marrë me këtë punë. Nëse kërkoni informacionin e arkivuar lidhur me kërkesën për vizë emigruese duhet të shkruani: emrin e plotë (dhe pseudonimet nëse keni përdorur të tilla) qoftë të peticionerit qoftë të aplikantit; datën e lindjes së peticionerit dhe aplikantit; vendin e lindjes së peticionerit dhe të aplikantit, periudhën kohore që i përket informacionit që po kërkoni; zanafillën e informacionit të arkivuar si dhe numrin në njoftimin që konfirmon marrjen e aplikimit ose numrin e çështjes së peticionit tuaj për vizë.

Çertifikata e identitetit dhe Autorizimi që lejon lëshimin e informacionit:

Duhet të paraqisni një dokument verifikimi për identitetin e subjektit të regjistrimit, qoftë kur subjekti në fjalë jeni ju vetë ose dikush tjetër. Një firmë të noterizuar; ose një deklaratë të firmosur dhe të lëshuar nën betim. Firma e noterizuar ose deklarata duhen të firmosen dhe t’i vihet data brenda gjashtë muajve nga data kur është bërë kërkesa. Deklarata duhet të ketë këtë përmbajtje: “I declare, certify, verify or state, under penalty of perjury under the laws of the United States of America, that the foregoing is true and correct.”  (Deklaroj, vërtetoj, dëshmoj ose pohoj, me përgjegjësi të plotë penale dhe në përputhje me ligjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që sa më lart është e vërtetë dhe e saktë.)

Departamenti i Shtetit duhet “të vendosë brenda 20 ditëve (përjashto të shtunat, të dielat dhe festat) nga marrja” e kërkesës për FOIA “nëse duhet ta plotësojë ose jo këtë kërkesë.” Kjo periudhë mund të shtyhet edhe 30 ditë të tjera pune në ato raste kur duhet të kërkohet dhe merret informacioni nga një filial tjetër, kur materiali që duhet kërkuar dhe marrë është voluminoz ose kur është i nevojshëm një konsultim brenda përbrenda agjencisë ose mes dy ose më shumë agjencive. Për të përshpejtuar plotësimin e kërkesës për FOIA, është e nevojshme të tregohet që egziston “një arsye/nevojë bindëse”. Nëse po bëni kërkesë të përshpejtuar për FOIA, duhet të shkruani një deklaratë ku të përshkruani arsyet për përshpejtim si dhe të vërtetoni që arsyet që po paraqisni janë të vërteta dhe të sakta.

Për 100 faqet e para dhe dy orët e para të kërkimit në arkiva, nuk nevojitet të paguani. Pas 100 faqeve të para, duhet të paguani një tarifë $0.5 për faqe. Kërkesat në fjalë përbëjnë në vetvete një marrëveshje për të paguar pa njoftim paraprak të gjitha tarifat e nevojshme në ngarkim të cilat nuk kalojnë shumën prej $25. Duhet të pranoni ta bëni këtë pagesë, sepse përndryshe DOS-ja nuk do t’jua japë kopjet e dokumentave që keni kërkuar. Për këtë qëllim, në letrën shoqëruese duhet të deklaroni që jeni dakort të paguani shpenzimet për gjetjen dhe riprodhimin e dokumentave që keni kërkuar.

Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju falenderojmë për komentet e vazhdueshme dhe do të përpiqemi t’i përgjigjemi pyetjeve tuaja në rubrikat e ardhshme. Adresa elektronike është [email protected]

Gëzuar Vitin e Ri! Shëndet, lumturi dhe suksese gjatë vitit 2021!

Comment

*