Si u bë Kosova “parajsë” për kompanitë serbe?

Beograd / Prishtinë, 9 korrik 2018 – Që nga viti 2000 e deri më sot, Kosova në mënyra të ndryshme ka qenë dhe mbetet ‘parajsë’ për ndërmarrjet e caktuara nga Serbia, qoftë për të tentuar që të zvogëlojnë ngarkesat e tyre tatimore, qoftë për t’i ikur tërësisht tatimeve ose pagesës së borxheve që kanë, sikurse për mallin, të cilin e paguajnë me këste.

Ndonëse autoritetet e Serbisë janë të vetëdijshme për problemin, i cili krijon boshllëkun në arkën e shtetit, politika zyrtare e Serbisë, e cila Kosovën e trajton si pjesë përbërëse të saj, ua ka “lidhur duart” kompetentëve që mund ta zgjidhin këtë problem.

Administrata Tatimore e Serbisë ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se disa kompani po u ikin tatimeve duke i prezantuar selitë e tyre në Kosovë.

Kjo administratë ka pranuar se disa kompani nga Serbia kanë prezantuar si seli të tyre adresa në Kosovë. Këto kompani dyshohen për mashtrime dhe dëmtim të shtetit të Serbisë në aspektin tatimor, apo janë shënuar raste kur u kanë mbetur borxh subjekteve tjera ekonomike.

Ndaj këtyre kompanive të cilat aktualisht janë në Kosovë, e për të cilat ka dyshime për mashtrim dhe keqpërdorime, janë ngritur kallëzime penale.

Duke ndjekur politikën zyrtare të Serbisë, Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve u ka lejuar ndërmarrjeve nga Serbia që selitë e tyre t’i bartin në adresat e qyteteve në Kosovë. Për pasojë, institucionet e Serbisë nuk kanë më asnjë mundësi që të kontrollojnë punën e këtyre sipërmarrjeve ose që t’i sanksionojnë, në rast të parregullsive gjatë të bërit biznes.

Një situatë e tillë e ka hapur rrugën për mashtrime të shumta, të cilat i kushtojnë edhe shtetit të Serbisë.

Siç ka pranuar Drejtoria Tatimore e Serbisë, disa nga ndërmarrjet, të cilat janë para-regjistruar në Kosovë, aktualisht kanë borxh ndaj shtetit të Serbisë rreth një milion euro për tatime.

Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, e cila që nga viti 2003 funksionon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë së Qeverisë së Kosovës, në Kosovë janë regjistruar 339 ndërmarrje nga Serbia. Vetëm në gjysmën e parë të këtij viti janë regjistruar 14 sosh.

Shumica e tyre, thjeshtë, po e shfrytëzon mundësinë e para-regjistrimit, në mënyrë që t’i zvogëlojnë ngarkesat e tyre, thotë për Radion Evropa e Lirë, ekonomistja Biserka Sheqeragiq, eksperte në fushën e ekonomisë së hirtë.

“Kapitali shpërngulet aty ku ngarkesat tatimore janë më të ulëta dhe rezidentët nga Republika e Serbisë kanë filluar t’i para-regjistrojnë ndërmarrjet që nga viti 2010. Kjo nuk është asgjë e re, vetëm se tash është bërë e dukshme”, tha Sheqeragiq.

Për ta shpjeguar në mënyrë më precize, ajo shërbehet me përllogaritjen e ngarkesës tatimore të fitimit në Serbi dhe në Kosovë.

“Kam marrë minimalen bazike të punës nga prilli i vitit 2013, e cila është në shumën 192 euro. Në këtë fitim, ngarkesa në emër të tatimit dhe kontributit, në Serbi është 109. 3 euro. Pra, 56, 3 për qind. Në të njëjtën bazë, (pra, 192 euro), në Kosovë, ngarkesat tatimore janë 26. 88 euro ose 14 për qind. Praktikisht, kjo do të thotë se mjetet e ndara nga puna e të punësuarve në Serbi është më e madhe për tre herë, në krahasim me të njëjtat në Kosovë”, shpjegoi Sheqeragiq.

Megjithatë, fenomen shumë më serioz është çështja ndërmarrjeve, të cilat mundësinë e bartjes së selive në adresat në Kosovë po e keqpërdorin në mënyra të ndryshme të mashtrimeve. Për këtë qëllim, ndërmarrjet shpërngulen edhe në veri të Kosovës, që është i banuar me shumicë serbe dhe i cili që nga nënshkrimi i marrëveshjes së Brukselit, gjendet në një periudhë tranzicioni të integrimit në sistemin e Kosovës, por edhe në pjesën ku autoritetet e Kosovës pa ndonjë problem i zbatojnë ligjet e Kosovës, sikurse në Prishtinë.

Portali Insajder.net, për dy vjet ka hulumtuar këtë lloj të keqpërdorimit, të shmangies së pagesës së obligimeve dhe shkaktimit të dëmit ndaj shtetit dhe ndërmarrjeve tjera. Ky portal ka zbuluar se në vetëm 3 adresa në Prishtinë, gjatë disa viteve të fundit, nga Serbia janë para-regjistruar madje 80 ndërmarrje.

“Disa ndërmarrje që i kemi përcjellë dhe më vonë i kemi regjistruar adresat në të cilat ato janë të lajmëruara në Prishtinë, praktikisht janë ‘ndërmarrje fantome’. Ato, kur e kryejnë mashtrimin thjeshtë, më nuk ekzistojnë”, tha Jelena Jankoviq, gazetare e portalit Insajder.net.

Siç sqaron ajo, mekanizmi i mashtrimit që e bëjnë ato ndërmarrje, është relativisht i thjeshtë.

“Ndërmarrje të caktuara, para atij regjistrimi në Kosovë, blejnë mall me shtyrje të pagesës. Pagesën e garantojnë me fatura të nënshkruara në mënyrë të rregullt dhe para se të kalojë afati i kontratës për pagesë, ata e ndryshojnë adresën në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve dhe selitë e tyre i bartin në territorin e Kosovës. Kështu i lënë furnizuesit pa asnjë mundësi që t’i marrin borxhet e veta të dhëna”, tha Jankoviq.

Mashtrimet që bëhet me shpërnguljen e ndërmarrjeve në Kosovë, duke iu ikur tatimeve dhe pagesave të borxheve, nuk e befasojnë kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

Sipas tij, kur bëhet fjalë për evazionin fiskal, kryesisht ka të bëjë me veriun e Kosovës , duke e quajtur atë si “vrima e zezë” më e madhe ekonomike në Ballkan.

Për ilustrim, ai citon të dhënën se në veri ende nuk kanë arritur arkat fiskale, ndonëse procesi i fiskalizimit kishte nisur në vitin 2010. Praktika e tillë, siç thotë ai, i shkakton dëme buxhetit të Kosovës dhe krijon konkurrencën e pabarabartë në tregun e saj.

Për t’u zgjidhur problemi, sipas Gërxhaliut, është i domosdoshëm bashkëpunimi dhe kontaktet e përhershme të institucioneve kompetente të Serbisë dhe Kosovës.

“Shkëmbimi i informacioneve shkon në dobi të luftës kundër ekonomisë së hirtë dhe të kriminalizuar. Në qoftë se pjesa veriore vazhdon të sillet edhe më tutje ashtu sikurse deri më tash, kjo do të jetë goditje jo vetëm për Kosovën, por edhe për ndërmarrjet dhe popullin serb në Kosovë. Emëruesi i përbashkët për zgjidhjen e të gjithë këtyre problemeve është sundimi i ligjit dhe të drejtës. Shpresoj që në këtë kontekst do të jemi më aktiv dhe të japim kontribut sa më të madh. Në qoftë se për dashuri dhe për luftë nevojiten dy veta, gjithashtu për korrupsionin dhe kriminalitetin gjithmonë nevojiten dy”, tha Gërxhaliu për Radion Evropa e Lirë.

Se shteti i Serbisë është i vetëdijshëm për këtë problem, dëshmon edhe fakti se në qershor të vitit 2017, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte folur për transmetuesin publik serb lidhur me atë se si po i identifikojnë të ashtuquajturat “ndërmarrje fantome” në Kosovë.

Megjithatë, mbetet e paqartë se çfarë mund të bëjë shteti serb më tutje, marrë parasysh që personat përgjegjës që janë në Kosovë, nuk janë të qasshëm nga organet e Serbisë.

Përgjigja që organet kompetente të Serbisë kanë dhënë lidhur me këtë çështje, kryesisht mund të rrumbullakohet në “ varësisht nga rrethanat objektive në terren”, thekson gazetarja e e Insajder-it, Jelena Jankoviq.

“Mendoj se për të gjithë është e qartë se kjo nënkupton që nuk mund të bëjnë asgjë, sepse situata objektive është e tillë që shteti serb nuk ka kompetenca në territorin e Kosovës dhe nuk ka mundësi që të zbatojë ligjet e veta”, thekson Jankoviq.

Njëkohësisht, nga Drejtoria për taksa e Serbisë, thonë se që nga viti 2010 e deri më sot janë paraqitur mbi 100 kallëzime penale kundër personave përgjegjës, të cilët tash i kanë selitë në territorin e Kosovës.

Procedurat janë nisur pranë gjykatave në Serbi, por mbetet e paqartë se si do të zbatoheshin aktvendimet në qoftë se ato sillen, marrë parasysh që përmbaruesit nuk kanë kompetenca në Kosovë.

(Ognjen Zorić & Amra Zejneli-Loxha, REL)

Comment

*