Simbolet kombëtare, e drejtë e garantuar dhe jo e drejtë e kushtëzuar!

Xheladin Zeneli

(Vërejtjet dhe sygjerimet lidhur me Projekt Ligjin për Përdorimin e Simboleve Kombëtare në Mal të Zi)

 

Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave në Mal të Zi, me 10 Korrik të këtij viti njoftoj opinionin lidhur me Projekt-Ligjin për Zgjedhjen, Përdorimin dhe Ngritjen Publike të Simboleve Kombëtare me ç’rast i bëri thirrje të gjithë të interesuarve që përmes sygjerimeve apo vërejtjeve të tyre eventuale, të inkuadrohen në shqyrtimin dhe diskutimin e Ligjit në fjalë.
Në kuadër të këtij diskutimi publik, do të mundohem që të jap vështrimin tim bashkë me disa vërejtje dhe sygjerime.

Projekt-Ligji në fjalë ka për qëllim rregullimin e pëdorimit publik të simboleve kombëtare në Mal të Zi dhe përqendrohet kryesisht në përdorimin e simboleve kombëtare në nivel zyrtar dhe institucional. Në krahasim me Ligjin egzistues edhe mund të kenë pësuar ndonjë ndryshim pozitiv, megjithate gjithënjë ka mangësi në qartësinë dhe përpikshmërinë e mënyrës së përdorimit privat dhe individual. Këtu e kam fjalën veçanërisht për përdorimin e simboleve kombëtare të shqiptarëve në Mal të Zi.
Siç dihet, viteve të fundit shqiptarët në këtë shtet janë ballafaquar me një numër të konsiderueshëm të incidenteve me rastin e perdorimit të flamurit të tyre kombëtar, qofshin ata në rastin e festimeve të ndryshme brenda lokaleve private apo me rastin e vendosjes së flamurit në shtëpinë e individëve, ku njëherit ka pasur intervenime nga ana e policicë, ndjekje penale dhe denime monetare ndaj tyre. Kryesisht, këto dënime dhe pengesa të përdorimit të flamurit janë bërë në emër të një ligji tjetër , Ligjit për Rendin dhe Qetësinë, neni 23 i të cilit e konsideron flamurin kombëtar të shqiptarëve si flamur i “një shteti të huaj” dhe parasheh gjobitje deri në €2000 euro apo dënim me heqje lirije deri në 60 ditë.*
(Më gjërësisht për këtë, shiko shkrimin plotësues më poshtë lidhur me disa nga incidentet e viteve të fundit e përdorimit të flamurit shqiptar që nxiten ragimet e organeve të qeverisë dhe policisë së Malit të Zi).

Çështja qëndron në ate se sa është në gjendje Projekt Ligji për Zgjedhjen dhe Përdorimin e Simboleve Kombëtare të evitojë dhe parandalojë incidentet e fundit lidhur me përdorimin e flamurit shqiptar të cilët kanë nxitur intervenimet e organeve policore dhe gjygjësore të Malit të Zi?

Sipas mendimit tim, para se të aprovohet Ligji për Përdorimin e Simboleve Kombëtare, në rend parë duhet:

1. Të shqyrtohet kushtetutshmëria e Ligjit për Rendin dhe Qetësinë:
Kushtetuta e Malit të Zi, dispozita ku bën fjalë për të Drejtat e Veçanta të Pakicave, respektivisht , për mbrojtjen e identitetit të tyre, (neni 79 ,alineja e dytë ,thotë: “Pjesëtarëve të popujve pakicë dhe të komuniteteve të tjera të pakicave nacionale u garantohen të drejtat dhe liritë,të cilat mund të përdorën individualisht dhe në bashkësi me të tjerët: në zgjedhjen, përdorimin dhe të shfaqurit publikisht të simboleve kombëtare dhe kremtimin e festave kombëtare”.
Pra, nëse kushtetuta lejon përdorimin “individual dhe në bashkësi me të tjerët e të shfaqurit publik të simboleve kombëtare…”, atëherë përse Ligji i lartëpermendur, e pengon ?;

2. Të bëhet harmonizimi i dhe përputhshmëria e ligjeve të tjera me Ligjin për Përdorimin e Simboleve Kombëtare, me qëllim që të mos jenë në kundërshtim me njëri tjetrin. Është absurditet nëse në njërën anë Ligji për Përdorimin e Simboleve Kombëtare lejon dhe aprovon përdorimin e flamurit shqiptar, kurse në anën tjetër një ligj tjetër, pra Ligji për Rendin dhe Qetësinë e dënon përdorimin e tij !?. Një absurditet tjetër i ligjeve që aprovohen nga Kuvendi i Malit të Zi dhe egzekutohen nga qeveria e saj , është fakti se flamur shqiptar i cili valon në ndërtesat e organeve të qeverisjes lokale në vendbanimet (komunat) me shumicë shqiptare me rastin e festave kombëtare konsiderohet nga shteti si “simbol i popullit pakicë”, në shtetin ku ata jetojnë, kurse përdorimi i të njëjtit flamur nga , për shembull,një tifoz shqiptar, i cili dëshiron të festojë fitorën e Ekipit Kombëtar të Futbollit të Shqipërisë duke shpalosur flamurin kuq e zi në vend publik apo në ndonjë lokal privat , konsiderohet si flamur i një “shteti tjetër” (!?). Pra, këtu qëndron hipokrizia e ligjeve apo rregulloreve në Mal të Zi !.

Sa i përket vetë Projekt Ligjit për Përdorimin e Simboleve Kombëtare propozoj që neni 12 të plotësohet kurse neni 13 i tij të ndryshohet.

-Neni 12 i cili përcakton objektet dhe ndërtesat e organeve të vetëqeverisjes lokale,bashkësive lokale dhe institucioneve publike ku mund të ngritet flamuri kombëtar. Pra, nuk është e qartë se cilat “institucione publike” dhe a përfshihen institucionet arsimore ( shkollat) në këto institucione ?.
Me qëllim që të evitohet paqartësia, propozoj që neni 12 të plotësohet edhe me këte paragraf të ri :
Flamuri duhet të ngritet dhe përdoret,në institucionet arsimore , pra në objektet shkollore . Konkretisht e kam fjalën për shkollat ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe në Mal të Zi,pra në komunat: Ulqin, Tivar, Tuz ( Malësi), Plavë, Guci dhe Rozhajë. Nëse përdorimin e simboleve kombëtare lejohet në ndërtesat e organeve të vetëqeverisjes lokale, atëherë është e arsyeshme që të njëjtat simbole të përdoren edhe në institucionet arsimore (shkollat) të cilat gjinden në territorin e këtyre vetëqeverisjeve lokale dhe ku nxënësit e pjesëtarëve të popullit pakicë ndjekin mësimet.

-Neni 13 i Propozim Ligjit përcakton përqindjen e popullsisë me rastin e përdorimit të simboleve kombëtare,ku thotë:
“Në njësitë e vetëqeverisjes lokale në të cilat pjesëtarët e popullit pakicë apo të bashkësisë tjetër nacionale të pakicës përbëjnë mbi 5 % të popullatës, në bazë të rezultateve të regjistrimit të fundit, në ditët e festave shtetërore dhe kombëtare të këtij populli pakicë apo të bashkësisë tjetër nacionale të pakicës, në ndërtesat e organit të vetëqeverisjes lokale ngritet flamuri i këtij populli pakicë apo i bashkësisë tjetër nacionale të pakicës….”.
Problem këtu paraqet kushtëzimi i përdorimit të simboleve kombëtare me përqindjen e popullsisë në njësitë e caktuara të vetëqeverisjes lokale. Kjo qasje nuk shkon aspak në favor apo interes të shqiptarëve duke pasur parasysh se numri i përgjithëshëm i shqiptarëve në Mal të Zi ,ashtu si dhe numri apo përqindja e shqiptarëve në komunat ku gravitojnë ata , vjen duke rënë dhe jo duke u rritur, kështu që aplikimi i kriterijumit të pëqindjes mund të vendos në pikëpyetje përdorimin zyrtar të simboleve shqiptare në disa komuna me popullsi shqiptare, në të ardhmen.
Derisa sot, komunat ku gravitojnë shqiptarët e përmbushin kuotën e pesë perqindshit, kjo në të ardhmen mund të ndyshojë.Konkretisht, sipas regjistrimeve të fundit, në Komunën e Rozhajës shqiptarët përbëjnë 5.4% të popullsisë.Kurse në Komunën e Tivarit, në përbërje të së cilës është treva e Krajës, shqiptarët marrin pjesë me 5.9%, kurse në Komunën e Plavës
19.8 %.Ju rikujtojmë se të dhënat statistikore të shqiptarëve në Komunën e Plavës paraqesin numrin e tyre në kohën kur Gucia ishte pjesë e kësaj komune. Në regjistrimet e ardhshme ky numër parashikohet të jetë më i vogël pasi që Gucia tani është komunë në vehte. Komuna e Rozhajës dhe e Tivarit e kalojnë kuotën e përqindjes vetëm 0.4% ,respektivisht 0.9% , së paraparë me Projekt Ligjin e Përdorimit të Simboleve Kombëtare, përqindje këto të cilat mund të sjellin në rrezik jetësimin e kësaj të drejteje, nëse përqindja e popullsisë shqiptare bjen nën 5%, në regjistrimet e ardhshme.
Andaj, zgjidhja më e mirë e çështjes në fjalë në favor të shqiptarëve do të ishte që në komunën e Ulqinit, Tivarit, Plavës, Gucisë, Rozhajës dhe në Komunën ( Urbane) të Tuzit, të ushtrohet e drejta e plotë e ngritjes dhe përdorimit të simboleve kombëtare shqiptare, pa u mvarur apo pa u kushtëzuar me kuotën e përqindjes së popullsisë.

Dispozitat e Konventave( Deklaratave) Ndërkombëtare përkufizojnë qartë të drejtat e popujve pakicë, ku përfshihet edhe e drejta e mbrojtjes së identitetit kombëtar.Deklarata për të Drejtat e Popujve Autokton e OKB-së e cila bën fjalë për të drejtat kolektive dhe individuale të popujve vendas, pra autokton dhe ku sqaron të drejtat e tyre kulturore, gjuhësore , mbrojtjen e identitetit, do të duhej të kenë të drejta të veçanta të bazuara në lidhjet e tyre historike me një territor të caktuar, pra në rastin tonë, me trevat e tyre etnike në Mal të Zi dhe me veçori kulturo-historike që i dallon ata nga popujt tjerë që jetojnë në këtë shtet.
Deklarata për të Drejtat e Personave Pjesëtarë të Pakicave Etnike, Fetare dhe Gjuhësore të Kombeve të Bashkuara , neni 1 i saj e thotë qartë se : “Shtetet do të mbrojnë ekzistencën dhe identitetin kombëtar apo entik, kulturor, fetar dhe gjuhësor të pakicave brenda territoreve të tyre dhe do të përmirësojnë kushtet për avancimin e atij identiteti”.Gjithashtu edhe Konventa Kuadër e Këshillit të Europës mbi Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare ( Minoriteteve) , neni 5 i saj , e thekson rëndësinë e “krijimit të kushteve të duhura për pjesëtarët e popujve pakicë për kultivimin, ruajtjen dhe avancimin e elementeve themelore të identitetit të tyre”, e drejtë kjo e cila përfshinë edhe përdorimi i simbole të tyre kombëtare .

Shqiptarët në Mal të Zi, si pjesë e ndarë e popullit shqiptar janë autokton në trojet e veta dhe kanë gjuhë,kulturë,traditë, histori dhe identitet të veçantë. Përdorimi i plotë i simboleve të tyre kombëtare si e drejtë themelore e mbrojtjes së identitetit të tyre kombëtar, nuk duhet të jetë një e drejtë e kushtëzuar apo e kufizuar,por një e drejtë e garantuar.

Xheladin Zeneli
Gusht 2017
Nju Xhersi
SHBA

 

SHKRIM PLOTËSUES:

*(Disa nga incidentet e viteve të fundit lidhur me perdorimin e flamurin shqiptar dhe ragimet e organeve të qeverisë dhe policisë së Malit të Zi)

1) Ministria e Arsimit dhe Sportit të Malit të Zi, në vitin 2012 akuzuan udhëheqësinë e gjimnazit ” 25 Maji” në Tuz se ka “thyer ligjin për pëdorimin e simboleve kombëtare pasi ajo ka lejuar nxënësve që me 28 Nëntor në sallën e shkollës të festojnë 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë”;

2) Mësimdhënësit e SHF “Bedri Elezaga” në Katërkollë, paralelja e ndarë në Krythë me datën 26 nëntor 2012 janë marrë në një bisedë nga inspektori i arsimit . Shkas i bisedës ishte se me rastin e organizimit të një programi artistik me datën 20 nëntor 2012, nxënësit kanë valvitur flamurin shqiptar në lokalet e shkollës ,ku sipas inspektorit është vepruar në mënyrë “kundër ligjore”;

3) Po ashtu në vitin 2012, kemi rastin e marrjes në polici të nxënësve të shkollës së mesme “Vëllazërim-Bashkim” në Ulqin me 29 nëntor, për shkak se kanë kënduar këngën “Xhamadani vija-vija, asht Kosova, asht Shqipnija” dhe kanë shpalosur flamurin kombëtar shqiptar ,një ditë më parë, në lokalet e kësaj shkolle.

4) Lidhur me këto raste përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit atëherë deklaruan : ” Në përputhje me ligjin për përdorimin e simboleve kombëtare është e ndaluar përdorimi i simboleve kombëtare të përfaqësuesve të grupeve kombëtare dhe etnike në mënyrë që ato të shprehin identitetin e tyre kombëtar para dhe brenda ndërtesave të organeve dhe organizatave që ofrojnë shërbime publike”;

5) Në vitin 2015, valvitja e flamurit shqiptar nga ana e maturantëve nga Tirana të cilët ishin në ekskurzion në qytetin Budva të Malit të Zi, nxiti ragimin dhe ndërhyrjen e policisë malazeze;

6) Gjithashtu, pengesa dhe reagime pati edhe me rastin e valvitjes së flamurit kombëtar shqiptar nga ana e pjesëtarëve të Shoqatës së Bjeshkatarëve ” Rumia” dhe pjesëtarëve të shoqatave të tjera të cilat ishin pjsëmarrëse në ekspeditën tradicionale që u organizu në malin e Rumisë në Qershor të vitit 2015;

7) Pronari i ” Allaj Company” në Ulqin, u dënua me €1500 euro me akuzën se në vitin 2015, mysafirët e lokalit të tij (“Shisha Bar”), në shenjë përkrahje për ekipin kombëtar të futbollit të Shqipërisë,kishin shpalosur flamurin shqiptar, që një ligj i Malit të Zi e quan flamuri i një ” shteti tjetër”;

8) Në muajin Qershor të vitit 2016, katër shtetas shqiptarë që ishin duke u kthyer nga Kampionati Europian në Francë, u ndaluan në Budva të Malit të Zi, me ç’rast u gjobitën €250 euro për shkak se në automobilin e tyre e kishin të vendosur flamurin shqiptar, apo flamurin e një ” shteti tjetër”, gjithënjë sipas akuzave të organeve policore ;

9) Policia malazeze me 14 qershor 2017 paraqitet para shtëpisë së z. Xhemal Nikaj me urdhër për të hequr flamurin shqiptar nga shtëpia e tij në fshatin Dinoshë të Malësisë, por një gjë e tillë u refuzua nga familjarët;

10) Në Maj 2017 ngrehet padi penale ndaj KF” Otrant Olimpik” nga ana e Federatës së Futbollit të Malit të Zi për shkak të shpalosjes së flamurit shqiptar në tribunën e stadiumit në Ulqin nga simpatizuasit e këtij klubi.

 

P.S. Shkrimi iu nis Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Popujve Pakicë në Mal të Zi si pjesë e diskutimit publik të Projekt Ligjit për Simbolet Kombëtare.

Comment

*