Simiq: Ministrin e Pushtetit Lokal ose e mbështesim rrëzimin e Qeverisë

Prishtinë, 12 prill 2017 – Nëse kryeministri Isa Mustafa nuk e emëron një pjesëtar të Listës Srpska në krye të Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL), atëherë deputetët e këtij subjekti do ta mbështesin mocionin e opozitës për rrëzimin e Qeverisë.

Kështu ka bërë me dije kreu i Listës Srpska, Sllavko Simiq, në një prononcim për Gazetën Express, të mërkurën.

Ai ka thënë se subjekti i tij politik i ka dërguar letër kryeministrit Mustafa, të cilit i ka kërkuar ta emërojë ministrin e MAPL-së.

E, nëse kërkesa e Listës Sprska nuk miratohet nga Qeveria e Kosovës deri të premten, atëherë ky subjekt politik do ta shqyrtojë mundësinë e votimit të mocionit për rrëzimin e Qeverisë Mustafa, të iniciuar nga NISMA për Kosovën.

“…Nëse vazhdon Qeveria ta injorojë kërkesën e dhjetë deputetëve për emërimin e ministrit të ri të Pushtetit Lokal atëherë do ta shqyrtojmë edhe kërkesën e NISMA-s për rrëzimin e Qeverisë”, ka thënë Simiq.

Ai ka thënë se Lista Sprska nuk është njoftuar ende me mocionin e opozitës për rrëzimin e Qeverisë.

“Nuk jemi njoftuar në detaje për mocionin, por në parim nuk jemi për shkarkim të Qeverisë dhe për humbje kohe për shpallje të zgjedhjeve të reja. Nuk do të kishim dashur që të injorohet kërkesa jonë, presim deri të premten të na thërrasë kryeministri, për ta zgjedhur çështjen e zgjedhjes së ministrit të Pushtetit lokal”, ka thënë Simiq.

Ndërkaq, zëvendësministri në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, ka thënë se zyrtarët e Listës Srpska duhet të takohen me kryeministrin Mustafa që të bisedojnë rreth kësaj çështjeje.

“Ata nuk kanë nevojë me dërgu kërkesë…përfaqësuesit e tyre takohen me Kryeministrin dhe e parashtrojnë kërkesën”, ka thënë Gecaj.

Pozita e ministrit të MAPL-së është e lirë prej dhjetorit të vitit të kaluar, kur Mirjana Jevtiq ka dhënë dorëheqje, për shkak të presioneve të një pjesë të Listës srpska dhe të Beogradit zyrtar.

/GazetaExpress/

Comment

*