Sindikata e arsimit paralajmëron se në shtator do të ketë grevë, nëse nuk plotësohen kërkesat

Prishtinë, 12 gusht 2018 – Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë (SBASHK) paralajmëron edhe sivjet grevë të mësimdhënësve në muajin shtator, kur fillon viti i ri shkollor, nëse nuk përmbushen kërkesat e mësimdhënësve.

Ky paralajmërim i organizatës sindikale të mësimdhënësve dëgjohet qe disa vjet në prag të shtatorit. Por, kryetari i saj, Rrahman Jasharaj, ka deklaruar për KTV-në se këtë herë e kanë më seriozisht.

Sipas tij, mësimi do të fillojë sipas kalendarit të Ministrisë së Arsimit, por greva do të jetë e pashmangshme, nëse që në ditët e para të shtatorit shihet se nuk ka vullnet për ndryshimin e Projektligjit për Pagat dhe nëse nuk miratohet projektligji që ua njeh kontributin mësimdhënësve të viteve të 90-ta,.

Njohësit e sistemit arsimor në Kosovë thonë se SBASHK-u po e tepron me kërkesa, pasi mësimdhënësit nuk kanë paga më të mirë as në Shqipëri e as në Maqedoni.

Mirëpo, kryetari i SBASHK-ut e kundërshton këtë. Sipas tij, me Projektligjin për Pagat mësimdhënësit janë renditur shumë poshtë, krahasuar me sekytorë të tjerë.

Sipas tij, SBASHK-u çdo herë është munduar që me dialog të realizojë kërkesat e mësimdhënësve, por kjo nuk ka ndodhur dhe pritjes i ka ardhur fundi. Ai ka thënë se mësimdhënësit presin që deputetët e Kuvendit t’i shtyjnë këto procese sa më shpejt.

Kuvendi i Kosovës është në pushim deri në gjysmë të shtatorit. Duke marrë parasysh gjendjen aktuale politike, është pak e besueshme se Projektligji për Pagat dhe ai për pagesën e kontributit të mësimdhënësve të viteve 90-të do të gjenden shpejt në rendin e ditës të Kuvendit të Kosovës. (r.m.)

Comment

*