Situatë për alarm në Kosovë, edhe 16 të vdekur dhe 258 të sëmurë nga COVID-19

Prishtinë, 30 korrik 2020 – Përhapja e pandemisë së koronavirusit në Kosovë po merr përmasa alarmuese.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike bëri të ditur se gjatë 24 orëve të kaluara kanë vdekur 16 persona të infektuar nga ky virus. Të mërkurën ky institut raportoi se deri më tash në Kosovë kanë vdekur  196 persona të sëmurë nga Covid-19, ndërsa të enjten bëri të ditur se kjo shifër është ngritur në 212.

Kjo është sbifra më e lartë e vdekjet nga COVID-19 brenda një dite në Kosovë.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike bëri të ditur se gjatë 24 orëve të kaluara janë regjistruar  258 raste të reja pozitive me Covid-19. Kjo shifër e rasteve të reja pozitive ka rezultuar nga testimi i 480 mostrave të marra nga Shërbimi Spitalor Klinuk Universitar i Kosovës dhe nga gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Nga këto të dhëna del se mbi 53 për qind e mostrave të testuara kanë dalë pozitive,

Krahasuar me ditët e kaluara, në komunën e Prishtinës është shënuar një rënie e rasteve të reja, ndërsa ngritje e ndjeshme është shënuar në komunat e Pejës dhe të Gjilanit.

Numri i rasteve të reja sipas komunave: Prishtina 53 raste, Peja 28, Gjilani 24, Ferizaj 18, Fushë Kosova 15, Podujeva 15, Vitia 13, Gjakova 12, Prizreni 12, Vushtrria 11, Lipjani 9, Mitrovica 9, Dragashi 7, Skenderaj 6, Drenasi 4, Malisheva 3, Shtimja 3, Deçani 2, Istogu 2, Kamenica 2, Klina 2, Kllokoti 2, Obiliqi 2, Suhareka 2, Hani i Elezit 1 dhe Rahoveci 1.

Një fije shprese jep shifra e të shëruarve nga Covid-19 gjatë 24 orëve të fundit. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike njoftoi se gjatë kësaj periudhe kohore është konfirmuar shërimi i 196 personave të sëmurë.

Sipas të dhënave të institutit, numri përgjithshëm i rasteve të konfirmuara pozitive nga Covid-19 ka shkuar në 8.104. Prej tyre, 212 kanë vdekur, 4.463 janë shëruar, kurse 3.429 raste mbeten ende aktive.

196 TË SHËRUAR DHE 258 RASTE ME COVID-19!Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në…

Posted by Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës on Thursday, July 30, 2020

(r.m.)

Comment

*