Shtyhet nënshkrimi i privatizimit të PTK-së deri me 30 shtator

Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së, në mbledhjen e së martës në orët e vona, ka vendosur që me kërkesë të konsorciumit të kompanive të shpallura ekonomikisht më të favorshme për privatizimin që nënshkrimi i kontratës të shtyhet

 

Bekim Salihu

Prishtinë 13 Gusht 2013 – Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së, në mbledhjen e së martës në orët e vona, ka vendosur që me kërkesë të konsorciumit të kompanive të shpallura ekonomikisht më të favorshme për privatizimin e PTK-së, nënshkrimi i kontratës të shtyhet për më së voni deri më 30 shtator 2013.

Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së, ka njoftuar për mes një komunikate se të martën (13 gusht) ka qenë data e paraparë për nënshkrim të marrëveshjes për privatizimin e PTK-së. Ky vendim i KQP-së, vlen me kushtin që konsorciumi i përzgjedhur të prezantoj garancitë dhe kushtet tjera të kërkuara me dokumentet e transaksionit.

“KQP e njofton opinionin publik se shtyrja ka ardhur si rezultat i refuzimit nga ana e KQP-së të kërkesave shtesë të këtij konsorciumi në lidhje me procesin e privatizimit,e të cilat nuk kanë qenë pjesë e pakos tenderuese , kjo shtyrje është miratuar vetëm pasi që KQP është siguruar që konsorciumi në fjalë do të nënshkruaj marrëveshjen e shitblerjes së aksioneve në formën dhe përmbajtjen e paraparë me dokumentet e tenderit”, thuhet në komunikatë.

KQP e ka trajtuar me seriozitetin më të lartë këtë proces si dhe konsorciumin e shpallur fitues dhe konfirmon edhe një here se një qasje e tillë do të vazhdoj deri në përmbyllje të procesit.

“Është me rëndësi të vihet në pah, se në këtë proces që nga fillimi janë zbatuar plotësisht ligjet e Kosovës dhe standardet më të larta ndërkombëtare dhe se Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së do të vazhdoj të marrë vendime që janë në interes të qytetarëve të Kosovës”, thuhet në komunikatën e Komisioni Qeveritar për Privatizimin e PTK-së.

“Konsiderojmë se duke marrë parasysh kompleksitetin dhe rëndësinë e këtij transaksioni dhënia e një afati shtesë për nënshkrim të kontratës për konsorciumin e kompanive të shpallura fituese është në interesin më të lartë të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Njëkohësisht, KQP falënderon sinqerisht trupën diplomatike të Akredituar në Prishtinë për ndihmën e dhënë gjatë këtij procesi shumë të rëndësishëm për vendin.

 

(lajmi i mëhershëm)

Skadon afati për nënshkrimin e kontratës për privatizimin e PTK-së

Ky ishte afati i dytë i nënshkrimit të kontratës për shitjen eshumicës së aksioneve të PTK-së, i cili ishte caktuar nga fituesi i tenderit, Konsorciumi “Axos & Najafi companies”. Deri në përfundim të orarit të punës së zyrtarëve të institucioneve shtetërore nuk është publikuar kurrfarë njoftimi lidhur me fatin e kësaj kontrate.

 

Prishtinë, 13 gusht 2013 – Ka skaduar edhe një afat i caktuar për nënshkrimin e kontratës për privatizimin e 75% të aksioneve të Postë Telekomit të Kosovës (PTK).

Konsorciumi “Axos & Najafi companies”, i cili ishte shpallur fitues i tenderit për privatizimin e shumicës së aksioneve të PTK-së, nuk e ka përfillur as afatin që e kishte caktuar vetë, i cili skadoi sot (e martë, 13 gusht).

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, e cila e udhëheq procesin e privatizimit të këtij gjigandi ekonomik, nuk ka dhënë ende asnjë sqarim se çfarë po ndodh me këtë proces.

Dy javë më parë, Robert Wood, shef i kompanisë fituese për privatizimit të PTK-së, kishte thënë se “gjithçka do të jetë gati për datën 13 gusht”.

Sipas dispozitave ligjore, nënshkrimi i kontratës duhe të ishte bërë më 17 korrik, por konsorciumi fitues nuk kishte qenë gati për nënshkrim, për arsye që nuk janë bërë të njohura . Për këtë arsye, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka dhënë edhe 3 javë të tjera afat për nënshkrimin e kontratës.

Në një intervistë që kishte dhënë për RTK-në, kreu i konsorciumit Robert Ëood, kishte thënë se procesi do të përfundojë me kohë. Ai kishte folur edhe për një plan tejet ambicioz zhvillimi, që parashihte investime prej 120 deri në 150 milionë euro, në 5-6 vjetët e para të operimit.
Ministri i Zhvilimi Ekonomik, Fadil Ismaili, dhe zëvendësi i tij, Gani Koci, nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje, ndërsa Adriatik Berisha, këshilltar i ministrit Ismajli, kishte thënë se ministria do të jepte sqarime lidhur me këtë situatë, më vonë, gjatë ditës.

Deri në përfundim të orarit të punës së institucioneve shtetërore asnjë palë nuk ka bërë kurrfarë njoftimi lidhur me kontratën për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të PTK-së. (R.M.)

Comment

*