Skënderbeu, At Zef Pllumi, Spiro Vllahu dhe vendburgimi masiv i Ballshit

Ylli Polovina
(Fotografi nga Qerim Vrioni, tetor 2017)

Shkrimi i njëzetë e shtatë i ciklit për Vitin e Skënderbeut

 

Intermexo

 

Spiro Vllahu është një piktor, sidomos në akuarel, edhe grafist po ashtu. Merr pjesë në të gjitha konkurset për bocete të pullave të reja shqiptare dhe mbetet ndër më absolutët për marrjen e çmimeve. Një duzinë janë vetëm të para.

Në jetën e tij profesionale është inxhinier miniere, me shkollë të specializuar përfunduar në fund të viteve pesëdhjetë në Bashkimin Sovjetik.

Në motin 1976 u arrestua, duke iu ngarkuar mbi shpinë përgjegjësinë e një moskujdesi teknik në thellësi të tokës, i cili megjithatë nuk shkaktoi asnjë pasojë në jetë njerëzish dhe për të cilën Vllahu provoi para trupës gjykuese të doktrinuar me politizim të skajshëm se nuk qe ai i fajshmi.

Por gjithsesi e dënuan, sepse e mëkatuan edhe me “mbeturinna të ideologjisë kapitaliste”, për rrjedhojë edhe me prirje “për agjitacion dhe propagandë kundër pushtetit popullor”.

Kështu pas 6 muajsh hetimesh në një qeli hermetike të burgut 313 të Tiranës, e dërguan në atë vendpërqendrim të rrethuar me mure të lartë dhe tela të dendur me gjemba, i cili zyrtarisht quhej “kampi i punës i Balshit”.

Në të vërtetë emrin real ai dhe çdo i ngjashëm me të, duhej të kishte të paktën “burg pune”. Formulimi i mësipërm “kamp” ka qenë një dhelpëri e vjetër e nazistëve, e cila maskonte me në hyrje të saj parrullën “Arbeit macht frei” (“Puna të bën të lirë”), gjenocidin ndaj hebrenjve, komunistëve, rusëve dhe demokratëve perëndimorë.

Pikërisht këtu, në “kamp”-burgimin e Ballshit, Spiro Vllahu u njoh me At Zef Pllumi, bashkëkombësin që pas rënies së diktaturës u bë i persekutuari simbol i regjimit enverist një gjysëm shekullor.

Por edhe emblemë e kombëtarizmit, e të krishterit françeskan të shumëpërkushtuar ndaj Shqipërisë.

Në këtë shkrim, për shkak të një tematike të paracaktuar për vetëm Skënderbeun, nuk do të mund të rrëfejmë diçka prej kësaj njohjeje mes të dyve, prandaj më së pari do të veçojmë për lexuesin një episod ose më saktë një vepër të mënçur të Spiro Vllahut: kalendarin vjetor me 14 faqe që ka bërë për Vitin e Skënderbeut, pra për 2018-n.

E ka ideuar vetë, e ka krijuar vetë, po ashtu botuar në tirazh të kursyer me pensionin e tij. Shteti apo qeveria, hallka të ngarkuara me këto festime gjithkombëtare, jo vetëm nuk janë kujtuar ta ndihmojnë, ta vlerësojnë qoftë edhe me një fletë-lavdërimi apo çfarëdo mesazh tjetër që nuk kushton asnjë qindarkë, por edhe, të paktën, ta “kopjojnë”.

Sepse një shumim i këtij kalendari apo i një varianti më të përmirësuar, format për t’u varur në mur apo vendosur mbi tavolinë të punës, botim për përdorim të zakonshëm apo për t’iu dhuruar të huajve të rëndësishëm dashamirës, deri edhe kryetarëve të shteteve apo të forumeve ndërkombëtare, do të pëlqehej shumë.

Ky kalendar do të ishte një nevojë për të paktën zyrat e administratës brenda vendit dhe një domosdoshmëri për përfaqësitë tona diplomatike jashtë tij. Do të ishte e detyrueshme madje.

Sepse në thelb ky kalendar është një libër i vogël i ilustruar për Gjegj Kastriotin dhe veprën e tij të luftës së shqiptarëve për liri dhe në mbrojtje të Perëndimit, duke mbetur në këtë betejë një çerek shekullore në një rreshtim të përhershëm e të përjetshëm me të.

Cili e gjykon të tepërt këtë, pra domosdoshmërinë e pavonuar të një libërthi-kalendar për Skënderbeun, duke men duar se duke qenë ambasador apo diplomat i një rangu më të vogël, historinë e heroit tonë kombëtar e di në majë të gishtave, nuk është realist.

Shumë prej nesh dinë shumë pak për Gjergj Kastriotin dhe bëjnë të duken sikur zotërojnë të dhëna me bollëk për të.

E informojmë lexuesin se në këtë kalendar, në faqen e janar-shkurtit 2018, Spiro Vllahu bashkë me spikatjen e datave 17 janar 1468 dhe 17 janar 2018 si korniza kohore të 550 vjetorit të nderimit të Skënderbeut, paraqet dy variante të flamurit të Gjergj Kastriotit si edhe vulën e tij.

Në mars-prill, fletën tjetër, bashkë me një pikturë të tij të vendvarrimit në Lezhë të Skënderbeut (Mauzoleut të tij) dhe shënimit se në 2 mars 1444 aty u mblodh një kuvend bashkimi i prijësve feudalë shqiptarë për luftë çlirimtare kundër osmanëve, ka edhe katër gravura rreth kësaj ngjarjeje.

Ndodhen po ashtu pamja reale e Gjergj Kastriotit dhe e bashëshortes së tij Donika.

Janë që të gjitha krijime të autorëve evropianë.

Për të mos kaluar nëpër hollësi të tjera shënojmë se në një faqe të veçantë ky kalendar ka fotot e monumenteve apo busteve të Skënderbeut në tetë kryeqytete.

Në dy faqe, mbështetur mbi kritere shkencore, janë të pasqyruara 12 portrete të Skënderbeut, të identifikuara në historiografinë e Evropës.

Më tej në këtë ilustrim nuk po shkojmë, sepse i ka ardhur radha lidhjes së këtij subjekti me At Zef Pllumin. Ja pra edhe ky, episodi tjetër: Në vitet 1976-1980 Spiro dhe kleriku i famshëm u ngarkuan me bibliotekën e vendburgimit masiv të Ballshit (me rreth dymijë të dënuar). Përparësi në promovim dhe nxitje për të lexuar nga të burgosurit qenë botimet për qëndresën antiosmane dhe epopenë e Skënderbeut. Gjithçka botohej në Tiranë vinte në atë burg masiv. Mund të lexoje edhe për rrethimin e Shkodrës apo të Krujës, në raftet e asaj biblioteke ishte edhe përmbledhja trevëllimëshe e Konferencës jubilare të janarit 1968, e cila u mbajt në Tiranë në përkujtim të 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit.

Skënderbeu promovohej edhe nga regjimi, madje mjaft intensivisht dhe në pamje të parë të burgosurit politikë dhe burgosësit e tyre qenë të një mendje. Por ndryshimi fshihej thellë zemrave të mendjeve të të dënuarve që e donin Gjergj Kastriotin, por nuk e dëshironin komunizmin.

Për pushtetin monist Skënderbeu ishte flamur i luftës për çlirim kombëtar, për të pranguarit politikë shumë më tepër se kaq: qe flamur i lirisë individuale të shqiptarit dhe njëkohësisht himn adhurimi për Perëndimin.

Kur më në fund i liruar, në muajt mbyllës të vitit 1989, Spiro Vllahu po kalonte afër monumentit të Skënderbeut në Tiranë, papritmas iu shfaq para me aparat fotografik në dorë diplomati gjermano-perëndimor Werner Daum, pak kohë më vonë, në korrik 1990 arkitekti kryesor i nxitjes së shqiptarëve për të bërë revolucionin e hyrjes në ambasadat e huaja, i bëri një shkrepje. Ky shef i ambasadës gjermane e pati ndjekur nga afër jetën e Vllahut dhe njihej me të. Foto që sapo kishte bërë kishte fiksuar mikun e vet piktor me në sfond kryeheroin e madh shqiptar.

Kur në 20 shkurt 1991 u rrëzua monumenti i Enver Hoxhës, pasi e gjithë Tirana pati kushtruar “Tek sheshi, tek sheshi!” Spiro Vllahu, nipi i tij Andrea dhe Padër Zef Pëllumbi, do të ishin të pranishëm aty, tek shkallët e Pallatit të Kulturës. Diktatori do të rrëzohej para syve dhe gëzimit të tyre.

Ato çaste të gjithëve do t’u shkonte vështrimi tek monumenti i patundur i Gjergj Kastriot Skënderbeut.

Ndërsa Hoxha binte ky ngrihej edhe më shumë.

Dhe episodi i fundit për këtë rrëfim: Në vitet 1992-1994, i ngarkuar për shërbim fetar në Kishën e Ishmit, kleriku i njohur dhe qëndrestari i madh ndaj shtypjes ideologjike, At Zef Pllumi, herë pa here, edhe pse në moshë të thyer (pati lindur në 1926), shkonte deri tek Kepi i Rodonit.

Siç e dini atje, në një mur të brendshëm të një grehine fortese (ishte kala-port i Skënderbeut), ndodhet e vizatuar shqiponja e tij.

Mbresat ia rrëfente mikut të tij të ngushtë të viteve të burgimit politik dhe të promovimit të librave për Gjergj Kastriotin, Spiro Vllahut.

Ky i ruan në zemër.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 3 prill 2018

 

Comment

*