Skënderbeu i Korçës për herë të dytë hyn në grupet e Ligës së Europës

Skënderbeu u bë skuadra e parë e Shqipërisë që kalon katër raunde të një kupe madhore europiane dhe e para gjithashtu që mbërrin në fazën grupore për herë të dytë në 3 vjetët e fundit

Denion Ndrenika

Barazimi 0-0 me Dinamon kroate nga Zagrebi i arritur në stadiumin “Elbasan Arena” pas ndeshjes së parë 1-1 jashtë fushës, ia mundësoi kualifikimin Skënderbeut të Korçës në Ligën e Europës.

Skënderbeu u bë skuadra e parë e Shqipërisë që kalon katër raunde të një kupe madhore europiane dhe e para gjithashtu që mbërrin në fazën grupore për herë të dytë në 3 vjetët e fundit.

Ndeshja ishte e fortë dhe e përqendruar nga korçarët që i drejton trajneri Ilir Daja për një mbrojtje të nisur që me presion sado të pakët që në sulm.

Loja përgjithësisht tregonte nivel disi më të lartë për zagrebasit, por jo aq sa të të bënin mbushamend se do t’ia dilnin mbanë në Elbasan.

Disa mundësi të mira u krijuan nga të dy skuadrat, por më të rrezikshëm ishin kroatët që nuk patën fat përderisa portieri korçar Orges Shehi 40-vjeçar ua pamundësoi gëzimin.

Skënderbeu ishte i kujdesshëm, i vëmendshëm dhe pak la hapësira për gabime serioze që mund t’i kushtonin, siç u ndodhi në Zagreb kur pësuan barazimin në sekondat e fundit të shtetës 5-minutëshe.

Po kaq minuta shtesë, 5 dhe thuajse 20 sekonda më shumë u dhanë në Elbasan nga gjyqtari hungarez Istvan Vad, por nuk ndryshuan asgjë.

Skënderbeu luajti në 20 minutat e fundit, përfshi shtesën me 10 lojtarë, pasi malezi Bakari Nimaga u ndëshkua me dy kartela të verdha, e dyta e panevojshme sepse faullin e kreu në mes të fushës, larg zonës.

Sulmuesi kapiten i kroatëve, algjerani Sudani dhe shqiptari nga Prishtina e Shqipërisë Verilindore, Liridon Latifi ishin më të mirët në mbajtjen e mbrojtjeve kundërshtare të mbërthyera në vend.

Sabien Lilaj i korçarëve ishte një pengesë e madhe për kroatët, sëbashku me bashkëatdhetarin e tyre që mbron Skënderbeun, pikërisht ish-djaloshin e Dinamos, Marko Radas.

Tash Skënderbeu do të presë shortin të premten për të mësuar 3 kundërshtarë të grupit ku u kualifikua duke përfituar 3,3 milionë euro, thuajse 5 milionë dollarë nga UEFA.

Suksese më të mëdha deri tash kishin arritur në formatin e vjetër të kupave europiane, Flamurtari i Vlorës në raundin e tretë të Kupës UEFA (sot Liga e Europës), Kukësi duke kaluar tri raunde po të kësaj kupe dhe Skënderbeu me dy raunde në Ligën e Kampioneve kur u elimuna në plej-of pikërisht nga Dinamo e Zagrebit dy vjet më parë dhe vazhdoi drejtëprderjtë me formulën e re në fazën e grupeve.

Skënderbeu-Dinamo Zagreb 0-0

Skënderbeu: Shehi, Mici, Jashanica, Gavazaj, Nimaga, Osmani, Latifi, Vangjeli, Radaš, Lilaj, Sowe. Trajner: Ilir Daja.

Dinamo Zagreb: Livaković, Soudani, Doumbia, Lecjaks, Olmo, Henríquez, Rrahmani, Sigali, Moro, Stojanovič, Fernandes. Trajner: Mario Cvitanovic.

Comment

*