Skënderbeu i shqiptarëve

Altin Zaloshnja

Teksti që vijon është një abstrakt nga fjalimi i përgatitur nga Altin Zaloshnja, një studjues dhe udhëheqës komuniteti, për simpoziumin e janarit 2018, në Michigan, kushtuar përkujtimit të 550-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Te nderuar miq,
Zonja dhe zoterinj,

Arsyeja per te cilen jemi mbledhur ketu sot, shkon pertej te dukshmes. Ajo e tejkalon idene e kujtimit të një heroi – trim sikunder ishte – ne betejat kundër superfuqisë me te frikshme të kohës. Për ne shqiptarët, silueta e këtij njeriu hipur mbi kale me shpaten zgjatur, tiparet e dalluara dhe të mprehta të fytyrës se tij, mjekrra e gjatë që i dredhonte siper armatures, i gjithe imazhi i memorizuar që nga vitet e fëmijërisë se hershme; portretizojne një nga simbolet më të njohura të identitetit tonë kombëtar.

Skënderbeu ishte produkt i shekullit të tij, por ai tejkaloi vitet Njemije e Katerqind. Ne këtë këndvështrim, ai nuk mund të kufizohet vetëm brenda kufirit të Mesjetes se Vone. Trashëgimia e tij vazhdon te jetoje bashke me idealet për të cilat ai luftoi trimërisht. Tek Skenderbeu më qartë se kushdo tjeter, ne gjejmë një arketip dhe një pararendes të civilizimit perëndimor, nje individ që nepermjet historisë së tij personale, hodhi themelet për pasardhesit që do vinin. Dhe Evropa u detyrohet shumë per kete vizion fillestar, njerezve si Skënderbeu.

Gjergj Kastrioti luftoi ne menyre brilante kundër antagonistit më të frikshëm, dinastise së Osmanit, në kulmin e fuqisë së kesaj te fundit. Kjo perandori-baruti qe prej fillimit të 14-të po demonstronte fuqine e saj duke pushtuar zoterimet e vjetra të Perandorisë Bizantine ne Azi, dhe duke përparuar metodikisht drejt Evropes. Ne kete qarth historik, Skënderbeut ju desh të përballej me sulltanin e 6-të dhe të 7-të, respektivisht Muratin dhe Mehmetin e Dyte, gjeresisht të njohur për aftësitë e tyre ushtarake.

Veçanërisht i mbrapmi, Mehmet Fatih-u (Pushtuesi), sulltani qe mori Kostandinopojën dhe përfundimisht i dha fund Perandorisë Romake të Lindjes, perkunder karakterit te tij vrastar dhe moralit të turpshem, ishte në fakt një kundërshtar tejet i aftë dhe i pergatitur. Lista me emrat e sundimtarëve te mposhtur dhe territoreve te pershkruara prej tij është e gjate dhe ndermjet te tjerash përfshin Durad Brankovicin e Serbisë, vellezerit despote Paleologu te Morese, Eubene, Krimene Gjenoveze, perandorin David Komeni te Trepizondit, Vladin e III-te, te Vllahise (kontin e ardhshem Drakula të letërsisë), Stefan Tomasevicin e Bosnjës, beun Pir Ahmet te Karamanit, khanin Uzun Hasan te Ak Koynluse, Stefanin e Madh te Moldavisë (rezultat i përzier) dhe shume te tjere.
Me kete oreks për pushtim dhe me rezultatin e pritshem te pergjakur qe pasonte cdo fushate, është e lehtë të kuptohet sesi reputacioni i frikshem i Mehmetit i paraprinte atij dhe mentalisht dobësonte opozitën perpara cdo beteje. Për të qenë krejtësisht te sakte, Fatih-u nuk është barbari i vetem i kësaj periudhe dhe ne retrospektive mund të konsiderohet si student në departamentin e mizorise, po te krahasohet me profesorin e shkop-nguljes, Vlad Drakula, për shembull. Gjithsesi, kundërshtari me te cilin perballohej Skënderbeu ishte katil, dinak, dhe ne lufte posedonte një ndjenjë të plotë pamëshirshmerie. Thjesht dhe vetem mendimi per ti rezistuar furise së Asqerit Osman, ishte trimëri. Ndersa perballja dhe aftesia per ta mundur ne fushen e betejes te njejtin, me dhjete here me pak ushtare, duhet konsideruar mrekulli.

I ballafaquar me një realitet te tille, Skënderbeu shfaqi atë që sot e quajmë “profil ne guximshmeri”. Njeriu me emrin Gjergj Kastrioti-Skenderbeu zoteronte vendosmerine e fundme per te mbrojtur vendin dhe bashkatdhetarët e tij. Brilancen si strateg ushtarak ai e shfaqi ne te gjitha etapat e rezistences Arberore, por vecanerisht me teper, gjate kohes kur armiku rrethonte Krujen. Ato momente reflektojne një strategji lufte guerrile te denje per te sherbyer si model studimi, dhe e perdorur në mënyrën me efektive prej tij, mes rrethanave ne te cilat ndodhej. Pergjate ketyre periudhave te veshtira ne shohim tek Skënderbeu një udhëheqës i cili nuk po lufton për dukje, por nje “lider” qe tregon mprehtesi per te kuptuar mjetet dhe mundesite e tij te kufizuara.

Përvoja e fituar me heret, gjatë viteve ne betejat e luftuara për sulltanin, i shërbeu me se miri Gjergj Kastriotit. Ai zoteronte njohuri te thella per artin luftarak te ushtrise osmane dhe kishte arritur në përfundimin se në kushtet ne te cilat gjendej, ishte e pamundur qe te bente një rezistencë ballore. Vendimi për te lënë brenda mureve të kështjellës një garrnizon të guximshem luftëtarësh, nderkohe qe ne krye te ushtareve te mbetur i veshtiresonte jeten armikut duke e sulmuar ne prapavije, rezultoi mjeshteror. Në thelb, ai përdori të njëjtën taktikë luftarake në dy rrethimet e para te Krujes, ndersa ne te tretin u perball fillimisht me armikun per ti dhene kohe popullates te shpetonte nga masakrimi dhe pastaj u terhoq me shpejtesi drejt bregdetit, nderkohe qe Kruja u rrethua perseri. Perfundimisht, doli fitimtar ne te trija.

Sigurisht, Skënderbeu ishte më shumë se thjesht, nje udhëheqës ushtarak. Ai ishte burrë shteti, diplomat dhe mund të themi edhe politikan kur i duhej qe të ishte. Ideja e thirrjes së Kuvendit të Lezhës, në vetvete, përbën përpjekjen fillestare për formimin e nje koherence nacionale, që shkon mbi dhe përtej linjave fisnore. Ky është nje cast vendimtar sepse qe nga ai moment, dhe pavarësisht se sa e suksesshme rezultoi Lidhja, shqiptarët kuptuan qe ata mund te bashkoheshin dhe potencialisht (potencialisht!) ta mbeshtesnin njeri-tjetrin ne kohe te veshtira, pavaresisht dallimeve mes tyre. Fatkeqesisht, 500 vjet e ca dekada me vone, ne akoma kemi nevoje te mesojme sesi funksionon ky koncept. Por Skënderbeu ishte ai qe e kuptoi rëndësinë e bashkimit, dhe nuk mund ta fajësohet qe mes te tjerash provoi qe ta perdorte ate (bashkimin) si mburoje, ne dobi te principatës e tij. Në fund të fundit, ai ishte udhëheqësi kryesor i betejave anti-otomane në territoret e banuara prej shqiptareve, dhe kishte nevoje per ndihme me shume se te tjeret, për shkak të hakmarrjes se sigurte qe pritej te binte mbi te.

Në sferen e Punëve të Jashtme, mund të shihet se Skënderbeu shfaq jo vetëm aftësitë e mprehta manovruese të një diplomati, por edhe cilësite e dikujt që respekton dhe zbaton parimet e një traktati. Marredhenia me mbretërinë e Napolit tregon që Kastrioti është mbajtës i premtimeve përtej limitit kohor te nje gjenerate te vetme (prej Alfonsit te V-te tek Ferdinand i I-re / nga babai tek djali), edhe atehere kur rrethanat ishin të vështira për të dy palët. Por nga ana tjeter, kur ai kishte përjetuar bishtnim ndaj kauzes ose ndjente qe pala tjetër nuk po vepronte me mirëbesim, ai do të përgjigjej me te njejten monedhe, sikunder e shohim ne rastet e despotit te Serbise qe pengoi forcat e Janosh Juniadit te bashkoheshin me ato te Skenderbeut, apo ne marredheniet e tij te komplikuara, me Republiken e Venedikut. Gjithsesi, si konkluzion, stili i ndërveprimit te Skenderbeut në marredheniet ndërkombëtare ishte i ndertuar rreth nje themeli të besimit dhe meritave. Atyre qe kishin provuar veten të besueshëm, besimi ju kthehej. Për të tjerët që ishin të dyshimtë në sjelljen e tyre, zbatohej parimi i reciprocitetit rigoroz.

Skënderbeu u largua nga kjo botë, në janar të vitit 1468. Kalimi i tij la pas një hendek që asnjë udhëheqës tjetër shqiptar nuk ishte në gjendje ta mbushte. Më mirë se të gjithë të tjerët, kjo u kuptua nga Mehmet Fatih-u, i cili pas shprehjes së admirimit verbal për kryearmikun e tij, i vuri vetes detyre qe të punonte akoma me teper për të arritur qëllimet, te cilat nuk mundi ti realizonte per sa kohe qe kishte Kastriotin perballe. Pengu i endrres për të pushtuar Krujen, u realizua përfundimisht 10 vjet pas vdekjes së Skënderbeut (Qershor 1478). Me kete rast, dhe duke shprehur zemërimin kunder keshtjelles te akumuluar prej nje kohe te gjate, ai vrau barbarisht te gjithe mbrojtësit e dorëzuar, ne kundershtim me premtimin per kalim te lire. Pasi vulosjes se fatit te Krujes (ose duhet te themi, njekohesisht) asqeri i sulltanit ju drejtua kalase së Shkodrës (Korrik 1478), një prej fortesave te fundit që Mehmeti personalisht, mbajti te rrethuara. Nuk mundi ta merrte, por perfundimisht qyteti i Rozafës iu dha atij në një pjatë të artë nga venedikasit, në Traktatin e Kostandinopojës (Janar 1479). Ky traktat, ne mënyrë efektive shenon vendosjen e nje prej bastioneve te fundit te rezistencës se organizuar shqiptare, nën kontrollin osman.

Qarku kohor prej kthimit te Skënderbeut në Kruje nga beteja e Nishit (Nëntor 1443), deri në vdekjen e tij, pothuajse nje cerek shekulli me vone (24 vjet e 2 muaj për të qenë preciz), është një periudhe vendimtare në historinë shqiptare. Këto janë vitet që shenojne ngjizjen e një ndegjegjeje nacionale dhe kujtoheshin me nostalgji nga gjeneratat e mëvonshme, pavarësisht faktit se me ne fund, osmanët arriten qe ne menyre te suksesshme ta vendosnin vendin nën kontrollin e tyre. Dhe ndonese kujtimi i heroit dhe i betejave te tij kunder pushtuesit do te ndrydhej me te gjitha menyrat e mundshme nga sundimtaret e ardhshem, ne memorjen kolektive ai priste momentin per tu shfaqur përsëri i fuqishëm mes shqiptarëve.

Është teresisht e qartë; Skënderbeu dhe vepra se ciles ai i dedikoi jeten, do te sulmohen nga te gjithe llojet e vertetemohuesve. Ne qerthullin e viteve te fundit, jane perhapur një numër jo i vogel pseudo teorish te frymuara dhe qarkulluara nga individë që kerkojne te bejne emër në një botë të etur mbas teorive konspirative dhe konfuzionit. Te kapur mbas ideve te importuara dhe te gabuara, e gjithe kjo per ta ngjason me nje lloj ushtrimi te kohës së lirë ose një mënyrë për të mbajtur veten relevant, nese mund te shprehemi keshtu.

Të siperpërmendurit zvogëlojnë rëndësinë formative të Skënderbeut ne identitetin tonë kombëtar, vene ne dyshim origjinen e tij, qortojne betejat e luftuara kundër Perandorisë Osmane dhe e refuzojnë kryekeput trashëgiminë e tij. Emëruesi i përbashkët i të gjitha këtyre perpjekjeve është qëllimi për të diskredituar pozicionin fundamental të Skënderbeut në historinë shqiptare, duke i mveshur atij mantelin e një figure të mjegullt, jo aq te rendesishme dhe periferike.

Si per çdo sfidë që vë në pikëpyetje perfundime gjeresisht te pranuara, mënyra më e mirë për ta vertetuar ate, eshte ballafaqimi me faktet. Keto te fundit qartesisht tregojnë se Skënderbeu gëzon statusin e një figure të shquar në historinë e kontinentit evropian dhe i njejti fenomen duhet te jete i vertete edhe në Shqipëri, me rregull treshi. Konkluzioni logjik është se një individ nuk mund të jetë një figurë madhore në historinë e një kontinenti, duke qenë një figurë minore në historinë e kombit -pjesë e po atij kontinenti- per te cilin ai shpenzoi gjithe kapacitetet e tij, per ta mbrojtur. Kjo do të shkelte nocionet fizike, gjeografike dhe astronomike të përfshirjes hapësinore. Për të përdorur një këngë të viteve ’80 si analogji, nëse dikush eshte “Big in Japan”, ai patjeter qe do te jete tejet i rendesishem edhe në Tokio, gjithashtu.

Për më tepër, ekziston një trup masiv veprash (ne qindeshet e larta, sipas nje numërimi konservator) qe jane shkruar rreth Skënderbeut ose i referohen atij, në më shumë se 20 gjuhë të botës. Shumë nga historianët, poetët, filozofët, shkrimtarët, kompozitorët e piktorët me te shquar, që jetuan afer ose larg viteve tokësore të Kastriotit, i dedikuan atij vepra, duke e dalluar si një personalitet me pasoja thelbësore historike. Këto vepra përfshijnë biografi nga Moore, Duponcet dhe Paganel; opera nga Vivaldi dhe Francoeur; tragjedi nga Havard, Lillo dhe Whincop; poezi nga Ronsard, Sarrochi dhe Longfellow; drama nga Marlowe dhe De la Vega; opinione nga Voltaire, Holberg dhe W. Temple; piktura nga Bellini, Vitalibus, dhe Caussin dhe lista vazhdon e gjate. Të gjithë keto ofrojnë dëshmi të mjaftueshme se Skënderbeu, ne minimumin e tij, ishte një figurë e shenuar për mendimtarët me te njohur evropianë dhe perendimore. Për të arritur një njohje kaq të gjerë mund të jesh gjithçka; por periferik dhe i parendesishem nuk mund te jesh aspak.

Një nenvleftesim tjetër qe behet per Skënderbeun eshte pozicioni i tij brenda vete historisë shqiptare ku thuhet qe miti rreth tij, u shpik kryesisht nga ideologët e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ky argument më tej vazhdon duke thene se në kujtesën kombëtare shqiptare perpara Rilindjes, Skënderbeu nuk ishte as i rëndësishëm, dhe as një figurë e dalluar. Ky keqkuptim me dashje konstruktohet duke harruar qëllimisht realitetin e kohës në fjalë. Gjatë sundimit afersisht prej katër shekujve e gjysem ne territoret shqiptare, Porta e Lartë bëri maksimumin e mundshem, për të zhdukur çdo lidhje te tyre me të kaluarën perpara okupimit. Ironikisht, forma më e eger e luftës që otomanet kryen ndonjëherë kundër shqiptarëve nuk ishte ushtarake, por kulturore.

Strategjia otomane si pushtet okupues në Shqipëri konsistonte në asfiksimin dhe parandalimin e faktorit më të rëndësishëm të identitetit kombetar të shqiptarëve, gjuhës së tyre, prej përdorimit të lirshëm dhe mundësisë për tu zhvilluar më tej. Qëllimi i tyre final mbas perfundimit te okupimit ishte turqizimi i vendit (me gjithcka qe kjo perfshinte), nderkohe qe paqesimi i territoreve te banuara prej shqiptareve do vinte si rrjedhim. Ekzistenca e gjuhës shqipe përbënte kërcënimin me të konsiderueshëm në arritjen e këtyre qëllimeve dhe si i tille, perdorimi i lire i saj duhej te ndalohej. Në nje përpjekje të bashkërenduar me kalimin e kohës verehet ngjizja e nje aleance te pashenjte (mbi edhe nen tokë) ndermjet aparatit shtetëror osman dhe disa individeve me rrobe, qe normalisht duhet te ishin nen mbikqyrjen e Patriarkanes Greke. Eshte skema perfekte e një gjenocidi kulturor në veprim.

Vetë shqiptarët nuk eshte se jane fare te pafajshem per cfare po ndodhte dhe duhet të shohin thellë brenda vetes e të deklarojne mea culpa-n e tyre. Gabimi qendron ne faktin se kur ata fillimisht u takuan me osmanet në fushat e betejave, akoma nuk kishin krijuar një gjuhe te shkruar dhe një alfabet unifikues për gjuhën e tyre, sikunder kombe te tjera perreth. Kjo mospergatitje i kushtoi atyre pa masë, por nuk duhej të keqperdorej e te sherbente si nje carte blanche prej otomaneve, per te justifikuar demin e jashtezakonshem qe ata i shkaktuan shqiptarëve dhe kulturës së tyre.

Dhe kjo na na çon në pikën tjetër logjike, qe eshte, cila do ishte mundesiaqë historia e Skënderbeut të promovohej kulturalisht nën tutelen e osmaneve, kur kjo perandori ishte thellësisht e interesuar për çrrënjosjen e çfarëdolloj kujtimi ndaj tij? Shume, shume here me pak sesa Vilefori ta linte Edmond Dantesin të shkonte i lirë mbasi kishte mësuar se ai kishte sjelle nje leter per te jatin që mund ta varroste prokurorin, do të thoshte një lexues i apasionuar i letërsisë franceze. Sepse e Verteta qe lekund ekuilibrin e cdo personi te padenje (nenkupto perandorije) rrezikon gjithmone qe te perfundoje e burgosur, ne Keshtjellen e Ifit. Ne te njejten rrjedhe mendimi, ishte teresisht në interesin ekzistencial të osmanëve në tokat shqiptare, për të dëgjuar më pak dhe jo më shumë për Skënderbeun, sepse kujtimi i tij mund të shërbente si një thirrje për popullsine qe te rrokte armet, per ta përmbysur sundimin e tyre. Prandaj, ata nuk ishin aspak të interesuar në ndonje mënyrë, mundesi apo formë ta promovonin ate, falas.

Falsiteti i atyre që deklarojne se figura e Skënderbeut u krijua nga Rizgjimi Kombëtar Shqiptar bëhet i qartë, kur krahasohet me evidencen qe tregon se kujtimi i tij jetonte fuqishem në folklorin shqiptar para fillimit të Rilindjes Kombëtare (para vitit 1830). Personazhi i Skenderbeut ishte fuqimisht i pranishëm në këngët, baladat, anekdotat, rrëfimet, legjendat pak a shume ne cdo gje që mund të transmetohej gojarisht, nga një brez në tjetrin. Ekzistonte gjithashtu edhe një Kanun i Skënderbeut në ekzistencë, afersisht bashkëkohor me atë të Lekë Dukagjinit. Eshte shekuj me i hershem krahasuar me Rilindjen Kombetare. Dhe per aq sa forma e kufizuar e transmetimit të kulturës nga një brez tek tjetri tjetrin pa luksin e një gjuhe dhe alfabeti te kodifikuar lejonte, Skënderbeu ishte gjithmonë një pjese kryesore e saj. Kushdo që zbaton cfaredo lloj forme të ndershmërisë intelektuale, nuk mund ta mohojë kete.

Per te vazhduar më tutje, Skënderbeu dhe ora e tij ishin shumë të gjalla në zonat shqiptare ku otomanet ku nuk ishin në gjendje të futeshin ose te sundonin, si Himara apo Malesia. Është e qartësisht e provuar se në territoret ne te cilat ata kishin kontroll do ta mbytnin kujtimin e emrit dhe veprave të heroit, ndërsa në vendet e cliruara nga sundimi i tyre, nuk ishin në gjendje ta bënin këtë.

Së fundmi, popullsia arbereshe na jep shembullin më fisnik të atyre shqiptarëve që nuk te detyruar te jetonin nën kushtet e sistemit pushtues otoman dhe ishin të lirë ti shprehnin ndjenjat e tyre kombëtare. Për ta Skënderbeu ka qene guri themelor i identitetit të tyre kulturor. Pas 550 vjetësh, Gjergj Kastrioti ende mbetet, në kuptimin tokësor te fjales, figura më e rëndësishme historike e komunitetit të tyre. Dhe heren e fundit që kam bere llogarine, Arbëreshët vazhdonin te jetonin ne Italy shumë shekuj me pare sesa Rilindja Kombetare Shqiptare.

Të gjithe shembujt qe u permenden me siper, jane racionale dhe vetë-shpjegues. Perfundimisht, teoria se heroi kombëtar shqiptar ishte krijim i Rilindjes Kombëtare të Shqipërisë është qartesisht fallco. Për më tepër, Skënderbeu nuk është produkt i vargut të bukur të Naim bej Frashëri, por përkundrazi ishte një frymëzim për poetin.

Një temë tjetër e pompuar artificialisht se fundmi, është origjina maternale e Skënderbeut. Historianët më të afert me kohen qe kane shkruar duke e cekur njefaresoj origjinën e Voisavës, janë Marin Barleti dhe Gjon Muzaka. Të dy ofrojnë disa mospërputhje kur çështja merret per shqyrtim. Barleti e përshkruan babanë e saj si nje fisnik nga “Triballda”, Muzaka duket se e konfirmon, por duke përdorur termin “Tripalda”. Barleti, në një kapitull të mëvonshëm të librit të tij, nuk është i qartë për banorët e Dibrës së Sipërme që po mbronin Sfetigradin, duke deklaruar se ata janë “bullgarë ose triballdi”. Muzaka gjithashtu ofron nje tjeter lidhje kur flet për një “Marquis of Tripalda” me te cilin ishte i lidhur nga ana e nënës së tij (Muzaka ishte shqiptar).

Të thuash që e gjithë çështja ka potencialin qe te ngaterroje, do ishte nënvlerësim per kete lloj konfuzioni. Megjithatë, nuk ka asgjë për t’u frikësuar kur bëhet fjalë për origjinën e nënës së Skënderbeut. Zakoni për familjet me gjak mbretëror ose fisnik ishte martesa ne te njejtin nivel. Për të gjitha arsyet e kuptueshme kjo ishte një mënyrë për të formuar aleanca dhe jashtëzakonisht e perhapur, keshtu qe i ashtuquajturi problem i përkatësisë së Skënderbeut ne fakt nuk ekziston dhe s’ka asgje te cuditshme ne kete mes.

Ajo që me të vërtetë e bën kete ceshtje deri-diku interesante është përpjekja hipokrite e disave që ta përdorin atë si një armë ndarëse, duke hedhur hije mbi figuren e Skënderbeut, me sygjerimin qe ai mund te ishte pjeserisht ose aspak shqiptar në tërësine e tij. Mund te tingelloje si loje dhe per te qeshur, por për hir të argumentit le të sjellim një shembull të ngjashëm me temën. Pothuajse çdo sulltan që ka mbretëruar ndonjëherë ka patur një nënë jo-turke (Valide Sultan) dhe te qenurit turk i sulltanit dobësohej nga një trashegimtar tek tjetri, duke zbritur nga 50%, ne 25%, ne 12.5%, në 6.25%, ne 3.125%, në 1.5625%, dhe kështu me radhë duke vazhduar ne trendin zvogelues te perqindjes. Në fund të numërimit, 623 vjet dhe 36 sulltanë më vone, do të kemi dike që ishte shume here më pak se 0.00000001% turk, te ulur në fronin e perandorise otomane.

Në një masë te ngjashme ose me te vogel ky realitet ishte i njejte per shume dinasti. Personalisht nuk besoj ne kornizen e kesaj logjike, por e solla si kujtesë për ata që janë të gatshëm të krijojnë stuhi në filxhanin e kafes, për të gjitha aresyet qe s’duhen. Për ata me fjalet e Njeriut qe i tejkaloi koherat, thjesht mund të themi: “Mos shiko qimen në syrin e të tjetrit, kur harron traun ne syrin tend”.

Në fund të fundit, gjëja më e rëndësishme për këtë çështje është ajo që Skënderbeu vete, mendonte dhe thoshte se ishte. Fatkeqesisht, ne gadishullin e lashte ne te cilin shqiptaret jetojne nen driten e diellit qe u takon, qe ne krye te heres, gjithmone ka ekzistuar tendenca e pervetesimit te burrave apo grave te shquara te nje etnije prej nje grupi tjeter, qofte emri i tyre Aleksander (i Madh), Pirro, apo Gonxhe. Per Nene Terezen per shembull, qe ka jetuar me vone se te tjeret dhe ka deklaruar shprehimisht se “nga gjaku jam shqiptare”, akoma shikojme kombesi te caktuara, qe mundohen ta paternalizojne si figure te veten. Kur kjo ndodh me dike qe ka jetuar deri 20 vjet me pare, c’fare mund te ndodhe me nje personazh qe ka lindur gjashte shekuj me pare? Po me nje tjeter qe vdiq 24 shekuj me pare?

Per tu kthyer tek Skenderbeu, shumica e korrespondencës që ai zhvilloi, nenshkruhej prej tij me titullin Dominus Albaniae (zot i Shqipërisë). Nga fakti qe kjo korrespondencë zhvillohej në gjuhë relativisht te njohura të epokës –lingua franca- mund të mendohet se ai mund ta shikonte te dobishme qe te paraqitej si personazh i njohur global dhe ti shtonte tituj te tjere nenshkrimit te tij (qe ai i kishte), per ta paraqitur veten si princ apo monark trendi. Por Skënderbeu vazhdoi të nënshkruante në të njëjtën mënyrë, pothuajse gjatë gjithë kohës. Vetëm ky fakt, do perbente një provë të pakundërshtueshme për të treguar, atë që ai mendonte se ishte. Por nëse duam të gërmojmë më tej, do të gjejmë se Gjon Castrioti (i Ati) ishte zot i Matit, ndërsa Pal Castrioti (gjyshi) ishte zoteruesi i Sinjes (në Dibër). Shkurtimisht, ne kemi tre breza të shqiptarëve në një rresht dhe kjo është më shumë se e mjaftueshme për të vërtetuar prejardhjen e Skënderbeut.
Dhe ai është ende sot dhe gjithe diten, ne të gjitha mundesite e mundshme, Skënderbeu i Shqiptarëve.

 

Epilogu

Skënderbeu është një nga figurat më te shquara së Mesjetes se Vonë. Ajo që është e veçantë dhe mbreselenese rreth tij, eshte gatishmëria për të luftuar për atë që ai besonte se ishte e drejtë. Skënderbeu mund të kishte jetuar një jetë deri diku te rehatshme per kohen, qe i shkonte rangut te tij, sikur të kishte zgjedhur qe të vazhdonte ti shërbente sulltanit. Megjithatë, ai zgjodhi shtegun e vështirë dhe rrugën më pak të udhëtuar. Sipas të gjitha përshkrimeve, Skënderbeu ishte një njeri autentik dhe pa pretendime. Kur ai vizitoi Romën në vitin 1466, nje deshmitar ocular, ambasadori i Montoves prane Selise se Shenjte, e pershkruan si “një njeri të perkore, që hyri (ne qytet) me pak kuaj”.

Por më shumë se çdo titull, domen, apo zotërim ai la pas vetes një trashëgimi të ndritshme. Ai i dha një kombi, akoma në fazen e djepit, simbolet e tij për ti përdorur. Më i njohuri mes tyre, flamuri me shqiponjë dykrenore, personifikon esencen e Unit shqiptar. Ne vendin e dyte per nga rendesia, vetëm mbas gjuhës shqipe, ky flamur është nje simbol dhe forcë bashkimi për gjithe shqiptarët anekënd globit.

Për një njeri që luftoi për të mbrojtur dhe jo për të pushtuar, për një burre që ishte kalores dhe jo shenjtor, për një person që ishte i thjeshte dhe jo i kapardisur, Gjergj Kastrioti është një hero kombëtar aq me vlera, sa c’mund te jene me te vleresuarit mes tyre. Me shembullin e tij ai u ofron bashkatdhetarëve, një plan për bashkim rreth vlerash kuptimplote, më të medha se ata vetë. Sepse në një kuptim më të gjere, Skënderbeu personifikon një figurë Abrahamike për gjithë shqiptarët që janë të gatshëm ta kuptojne atë, cfaredo bindje apo prejardhjeje fetare, qe ata mund te kene. Dhe unë shpresoj se një ditë, pasardhësit e tij do të jenë mendjehapur dhe do ti lene pas ndasite e tyre feminore per te vazhduar vizionin qe ai parashtroi për ta, në token per te cilen luftoi me aq trimëri për të mbrojtur. Dëshiroj të mbyll këtu me një strofe nga një poezi, qe e kam shkruajtur disa vjet me pare. E kam ndryshuar pakez, për të folur drejtpërsëdrejti per trashëgiminë e Skënderbeut, kështu që ne ti kujtojmë vetes se çfarë ai mund të na mësojë akoma, në këtë ditë dhe në kete kohe. Është në gjuhën shqipe dhe vijon kështu:

Dhe kur rruga e shqiptareve, prape ne udhekryq te kete mberritur
E nga Lart kërkojne një shenjë: vizionare, qarte-skalitur,
Kur asqeret e gjithe sulltaneve, nxijne ne cep te horizontit
Drejtim jep -përmes epokash- testament’i Kastriotit.

Ju Faleminderit.

Copyright © Altin A. Zaloshnja
Southfield, Michigan
Janar 2018

Memoriali i Skenderbeut në Lezhë.

Comment

*