Skënderbeu përgatitet për Dinamon e Zagrebit

Një ditë përpara ndeshjes së kthimit me Dinamon e Zagrebit në “Elbasan Arena”, trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja duket se ka gjithçka nën kontroll dhe se ekipi është gati për të përballuar një tjetër 90-minutësh që, siç e përmend ai, duhet konsideruar si i pari, pa menduar që kanë shënuar gol në fushën kundërshtare.

Gjithsesi, përpara kësaj ndeshjeje Daja e ka një merak: “Të mos bëjmë paraqitjen që bëmë në pjesën e dytë atje, pavarësisht se golin e pësuam në sekondat e fundit. Nuk duhet t’i lëmë administrimin e topit kundërshtarit, por të bëjmë si kemi bërë në të gjtiha këto ndeshje, ku përqindjen e mbajtjes së topit e kemi patur ne më të lartë”.

Ndërkohë që veç aspektit sportiv, trajneri i korçarëve është i bindur se do të jetë një tjetër Skëndërbe ky i “Elbasan Arenës”: “Do të shikoni një Skëndërbe tjetër këtë herë, pasi do të kemi me vete lojtarin e 12 që janë tifozët, ajo pjesë që i jep një tjetër entuziazëm skuadrës”.

Ndeshja mes Skëndërbeut dhe Dinamos së Zagrebit do të zhvillohet ditën e enjte në orën 20:00, në “Elbasan Arena”, e vlefshme për kualifikimin për në fazën e grupeve të kupës Europa League.

Skuadra korçare do të ketë në dispozicion dy rezultate, si barazimin 0-0 dhe fitoren.

/ Top Channel

Comment

*