Skënderbeu vendos trajnerin Daja pasi shkarkoi Agostinelin

Ilir Daja do të jetë trajneri i ri i Skënderbeut

Presidenti i kampionëve të vendit Ardjan Takaj ka vendosur t’i japë fund marrëveshjes me Andrea Agostinellin dhe do të emërojë në krye të stolit ish trajnerin e Tiranës.

Tekniku italian mori drejtimin e korçarëve gjatë muajve të verës duke trashëguar një ekip 6 herë kampion rradhazi.

Megjithatë 59-vjeçari u duk se nuk arrit asnjëherë të implementonte plotësisht idetë e tij në lojën e skuadrës dhe kjo u pasqyrua edhe në rezultate.

Juglindorët regjistruan 4 disfata në 18 javë kampionat, 2 prej të cilave në 2 ndeshjet përmbyllëse kundër Kukësit dhe Partizanit.

Aktualisht Skënderbeu ka 4 pikë më pak se vendi i parë që mbahet nga Kukësi.

Tashmë është zyrtarizuar edhe pasuesi i tij që do të jetë Ilir Daja.

Tekniku 50-vjeçar ka fituar garën me disa emra të tjerë që përfliteshin si kandidatë për stolin e kampionëve dhe do të prezantohet të mërkurën në orën 12 në hotelin “Tropikal” në qytetin e Durrësit.

Në këtë detyrë të re ai do të ndihmohet nga një figurë e njohur e futbollit bardheblu si Ardjan Mema.

Daja deri më 1 nëntor ishte në krye të pankinës së Tiranës, madje gjatë këtij sezoni arriti të thyente pikërisht Skënderbeun në kryeqytet.

Tashmë ai do të ketë një mision jo të thjeshtë, t’i dhurojë korçarëve titullin e 7-të radhazi.

/Oranews.tv/

Comment

*