Sonda e NASA-s ulet në planetin Mars

Sonda më e fundit e NASA-s zbriti të enjten në planetin Mars pas një udhëtimi që filloi korrikun e kaluar.

Hyrja e sondës “Perseverance” në atmosferën marsiane filloi në 3:55 pasdite dhe kaloi me sukses një proces shtatë minutësh që shkencëtarët thanë se ishte i suksesshëm. Gjatë uljes, NASA nuk kishte aftësi të kontrollomnte sondën, por shkencëtarët ishin ne kontakt me pas uljes dhe morën imazhin e parë nga sonda.

Pjesë e procesit të komplikuar të uljes ishin parashutat, zbritja me shtytje motorike dhe një “vinç qiellor”, i cili e uli sondën në sipërfaqen e Marsit duke përdorur kabllo.

“Unë mund t’ju them se ‘Perseverance’ po funksionon në mënyrë perfekte tani dhe se të gjitha sistemet janë gati për uljen”, tha para uljes Jennifer Trosper, zëvendës menaxhere e projektit të NASA-s për këtë mision, gjatë një konference për shtyp të martën.

‘Perseverance’ zbriti në Kraterin Jezero, i cili besohet të jetë një shtrat i lashtë liqeni. Atje, do të kërkojë shenja të jetës së lashtë.

Terreni rreth vendit të uljes është shkëmbor, duke e bërë uljen të vështirë, por NASA tha se sonda është e përgatitur për këtë sfidë.

“Kur shkencëtarët hedhin një vështrim në vendndodhje si Krateri Jezero, ata shohin shenja premtuese, apo jo?”, tha Al Chen, i cili është përgjegjës i ekipit të hyrjes, zbritjes dhe uljes në Laboratorin “Jet Propulsion” të NASA-s në Pasadena, Kaliforni, sipas agjensisë së lajmeve The Associated Press. “Kur shikoj Jezeron, shoh rrezik. Ka rrezik kudo”.

NASA ka ulur me sukses tetë nga nëntë sondat në Mars.

Sonda ‘Perseverance’ është e ngjashme në dukje me eksploratorët e tjerë të Marsit, por ajo mbart një helikopter dron, të quajtur “Ingenuity”, i cili do të testojë nëse është i mundur fluturimi me shtytje motorike në Mars.

Vetëm Shtetet e Bashkuara kanë ulur sonda me sukses në Mars

Njerëzimi ka dërguar në planetin Mars anije hapësinore që nga vitet 1960-të, disa të suksesshme e disa jo. Vetëm tetë mjete hapësinore janë ulur në Mars, të gjitha nga Shtetet e Bashkuara.

Në fillim të vitit 2004, dy mjete robotike të vogla të quajtura rovers zbarkuan në anët e kundërta të planetit të kuq, në një mision që do të zgjaste 90 sol, ditë marsiane që janë 39 minuta më të gjata se ditët në Tokë.

Njëra makinë robotike, Opportunity, mbijetoi tetë vite më shumë se binjaku Spirit. Deri në momentin që ndali komunikimin me Tokën në qershor të vitit 2018, Opportunity përshkoi 45 kilometra duke funksionuar më gjatë se çdo mjet zbarkues në historinë e eksplorimit të hapësirës.

Një nga arritjet më të mëdha të eksploruesve robotikë ishte gjetja e provave se, Marsi në të kaluarën kishte ujë të rrjedhshëm në sipërfaqen e tij dhe mund të kishte patur kushtet që mbështesin jetën e mikrobeve.

Sonda “Mars Reconnaissance Orbiter” e cila arriti në vitin 2006 kishte për synim vëzhgimin e atmosferës marsiane dhe të studionte vende për zbarkime në të ardhmen.

Në korrik të vitit 2008 roboti Phoenix i NASA-s testoi ujin marsian për herë të parë. Në shtator të vitit 2018, hulumtuesit thanë se instrumentet e sondës vërtetonin fuqishëm teorinë e vjetër se çdo verë, nëpër shpatet e Marsit rrjedh ujë i kripur i lëngshëm.

https://www.zeriamerikes.com/a/sonda-e-nasa-s-ulet-sot-në-planetin-mars/5783751.html

Duke shkrirë dheun e acartë në laboratorin robotik në sipërfaqen e Marsit, hulumtuesit konfirmuan praninë e ujit të ngrirë poshtë shtresës së ngrirë, që njihet si permafrost.

NASA uli me sukses në planetin e kuq mjetin robotik Curiosity në gusht të vitit 2012. Qëllimi kryesor i misionit prej 2.5 miliardë dollarësh ishte të studiohej nëse dikur në Mars ka patur mikrobe ose nëse ende ai është i favorshëm për jetën. Instrumentet gjurmojnë vetëm për përbërje organike

Mbi 3 metra i gjatë dhe afro 3 metra i gjerë roveri Curiosity është një laborator i lëvizshëm me energji bërthamore me dhjetë instrumente shkencore që ka studiuar përbërjen e gurëve dhe dheut marsian.

Vetëm NASA ka arritur në mënyrë të përsëritur të ulë disa automjete robotike në planetin Mars. Në tetor të vitit 2016 Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA) dështoi të zbarkonte pajisjen e saj Schiaparelli në sipërfaqen marsiane. ESA tha se pajisja e saj u dëmtua në atmosferën e ashpër marsiane gjatë 50 sekondave të fundit të zbritjes.

Në qershor të vitit 2018, shkencëtarët njoftuan se roveri Curiosity kishte gjetur ndoshta blloqe të ndërtimit të jetës në një shtrat të lashtë të një liqeni marsian. Molekulat organike të ruajtura në shkëmbinjtë 3.5 miliardë vite të lashtë në Kraterin Gale sugjeronin se kushtet në atë kohë mund të kishin qënë të favorshme për jetën.

Një muaj më vonë, hulumtuesit italianë njoftuan se kishin zbuluar një liqen të madh me ujë të kripur të fshehur thellë poshtë sipërfaqes së Marsit, duke rritur mundësinë e gjetjes së jetës në planetin e kuq.

Mjeti robotik InSight, i lëshuar nga NASA në prill të vitit 2019 dhe i ulur në planetin e kuq nëntorin e shkuar, zbuloi një gjëmim të butë në Mars, që besohet të jetë termeti i parë i dokumentuar në këtë planet ndonjëherë.

(Zëri i Amerikës)

Comment

*