Sonte, debati i parë televiziv: Duel gladiatorësh, apo cirk kllounësh

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Debatet presidenciale rrallë ndikojnë në mënyrë vendimtare në votën e njerëzve në SHBA, por rregullisht përmenden për të shpjeguar suksesin ose dështimin e kandidatëve.
Ai që do të mbahet sonte, fare mirë mund të emërtohet si “debati i shekullit”. Si asnjëherë tjetër, ky debat pritet të kalojë 100,000 telespektatorë. Asnjëherë nuk kanë qenë dy personazhet kryesore të politikës amerikane kaq të përfolur e të akuzuar. Fanatizmi i disa mbështetësve për të zgjedhur kandidatin Donald Trump mund të krahasohet vetëm me vendosmërinë e kundërshtarëve të tij.
Për mbështetësit e Donald Trump, ai është e vetmja shpresë që i ka mbetur Amerikës, madje edhe civilizimit perëndimor. Për mbështetësit e Hillary Clinton dhe kundërshtarëve të Trumpit, ai është një fatkeqësi që mund të dëmtojë Amerikën për dekada me radhë, nëse nuk e ka bërë qysh tani.
Si do të jetë kjo përballje e parë është një mister që ka shkrepur kurreshtinë e shumë njerëzve por edhe drojen e shumë të tjerëve. Donald Trump nuk ka debatuar ndonjëherë askënd ballë për ballë. Në debatet republikane, ka pasur shumë kandidatë dhe Trump ka përfituar në dy mënyra.
E para, se rivalët e tij kanë qenë më shumë në garë me njëri-tjetrin sesa me të. Kjo e ka bërë që ai të rrijë në mes të tyre, si i rrituri mes fëmijëve që përleshen, duke përfituar më shumë nga sjllja e të tjerëve sesa nga aftësia e tij.
E dyta, kur e kanë sulmuar, e kanë bërë të gjithë bashkë. Kjo në vend që ta fundoste, e ka ndihmuar sepse e ka projektur në sytë e votuesve republikanë si i vetmi përballë të gjithëve. Ky është edhe imazhi që Trump ka dashur të projektojë, si një njeri që vjen nga jashtë politikës dhe të gjithë politikanët kanë frikë dhe bashkohen janë kundër tij.
Kur në garë mbeti vetëm Ted Cruz, Trump refuzoi me këmbëngulje që të debatonte me të vetëm për vetëm. Trump e ka vdekje që ta tallin si frikacak, mirëpo, edhe talljet nuk e bënë që të ndryshojë mendim.
Në raundin e fundit të votimeve, në California, Hillary Clinton refuzoi të debatonte me Bernie Sanders, sepse kishte debatuar tashmë gjashtë herë me të. Sanders bëri një lëvizje të fortë teatrale duke ftuar në debat drejtpërdrejt republikanin Donald Trump.
Kjo do të ishte diçka e paprecedentë në SHBA. Kandidatët nuk debatojnë me rivalë në partinë tjetër pa mbaruar gara brenda partisë së tyre.
Mbështetësit e ish-Sekretares së Shtetit u alarmuan dhe akuzuan Sanders për tradhëti. Në fakt, dalja përballë Trump në debat televiziv do të çimentonte Sandersin si përfaqësuesi natyral i Demokratëve. Mesiguri do të ndikonte votuesit në California, ndoënse vështirë se do të përmbyste fitoren e pritshme të Hillry Clinton.
Propozimi kishte interes edhe për Donald Trump. Nëse Sanders do të merrte pjesë në debat, përçarja mes dy grupeve në Partinë Demokrate do të bëhej fatale. Trump, i cili e kishte sigurur tashmë shumicën e delegatëve për në Konventën Republikane, mund të luante me fatin pak në këtë rast.
Në fund, Trump u tërhoq. Ai injoroi talljet publike nga Sandersistat që e quajtën në rrejtet sociale “Chicken Trump” (Trampi Frikacak). Ai u justifikua se debatonte vetëm me ata që dilnin në vend të parë dhe Sanders ishte i dyti, në Partinë Demokrate.
Po a ishte kjo tërheqje nj tjetër shenjë që Trump ka frikë nga debatet vetëm për vetëm?
Dihet se cili është problemi kryesor për Donald Trump. Ai është injorant në detaje. Flet vetëm me fjalë të përgjithshme por kur është detyruar apo ka vendosur të flasë konkrfetisht dhe në mënyrë specifike gjithmonë ka bërë gafa dhe është zbuluar që nuk i di as gjërat më elementare.
Mirëpo, a ka rëndësi kjo për votuesit amerikanë? Nuk pati rëndësi për republikanët që e zgjodhën megjithëse ishte më injoranti në skenë. Votuesit shpesh duan kandidatin që përcjell siguri. Trump është zbavitës në skenë, është i drejtpërdrejtë dhe është moskokëçarës për fjalët e pamenduara mirë.
Kjo ka rezonuar shumë mirë me publikun. Dëshira për ndryshim është e fortë në SHBA. Ishte sidomos e fortë në Partinë Republikane, ku qysh nga fillimi më shumë se 50% e votuesve donin një kandidat që nuk kishte qenë politikan.
Kjo sonte është një përplasje e të kundërtave. Sepse Hillary Clinton shquhet pikërisht për aftësinë që të debatojë një program apo ide, në detajet më të imëta. Tipike e çiftit Clinton, ashtu si edhe bashkëshorti i saj ishpresident, Clinton mund të mposhtë lehtësisht edhe ekspertët e fushave të ndryshme, për shkak të studimit rigoroz të zbatimit të politikave.
Po kjo rrezikon të na rikthejë në situatën e vitit 2000, kur amerikanët nuk ishin të bindur se eruditi Al Gor që të mbyste me shifra e detaje, ishte më i mirë se babaxhani George W Bush, që fliste thjesht e ngatërronte fjalët kur hynte në shpjegime specifike.
Hillary Clinton duhet të dijë të drejtpeshojë njohuritë e saj me aftësinë për të krijuar besim në zemrën e njerëzve që kanë alergji apo dyshim të fjalët e shumta. Ajo është akuzuar si shumë robotike dhe jo shumë e ndjeshme. Një që shquhet në shpalosjen e një programi madhor, por që e ka të vështirë të përcjellë një moment emocional prekës.
Donald Trump sigurisht nuk po shkon në këtë debat që të sillet si një “xhentëllmen”. Ai nuk ka ndërmend që të mbytet në një gotë ujë për shkak të ndonjë diskutimi për detajet e një ndonjë çështjeje. Ai ka ftuar personalisht në sallë Gennifer Flowers, e cila në fuahstën e vitit 1992, bëri bujë duke deklaruar se ishte dashnorja e kandidatit të atëhershëm për president, Bill Clinton.
Debati i shekullit mund të kthehet fare lehtë në një skenar ideal për tabloidet bulevrdeske amerikane. Me një parakalim skandalesh personale e drama familjare, me veprime teatrale dhe kthesa dramatike boshe.
Nuk do të ishte çudi. Në SHBA, prej kohësh fushatat politike janë parë si një lloj argëtimi publik, ndonëse me pasoja në jetët e njerëzve. Tani ndoshta po hyjmë në fazën më ekstreme të këtij eksperimenti, me një kandidat si Donald Trump që vjen direkt nga bota e të ashtuquajturit “reality tv”. Në këtë serial zhgënjyes, tmerrues po edhe dëfryes të politikës amerikane, debati i sotëm mund të shihet si asgjë më shumë sesa episodi i radhës.

A combination photo shows U.S. Democratic presidential candidate Hillary Clinton (L) and Republican U.S. presidential candidate Donald Trump (R) in Los Angeles, California on May 5, 2016 and in Eugene, Oregon, U.S. on May 6, 2016 respectively. REUTERS/Lucy Nicholson (L) and Jim Urquhart/File Photos

A combination photo shows U.S. Democratic presidential candidate Hillary Clinton (L) and Republican U.S. presidential candidate Donald Trump (R) in Los Angeles, California on May 5, 2016 and in Eugene, Oregon, U.S. on May 6, 2016 respectively. REUTERS/Lucy Nicholson (L) and Jim Urquhart/File Photos

Comment

*