Sonte, Kosova synon ta shkruajë historinë

Prishtinë, 19 gusht 2017 – Përfaqësuesja e Kosovës në basketboll do ta luajë sonte (e shtunë), prej orës 20:15, ndeshjen vendimtare ndaj Estonisë, në kuadër të para-eliminatoreve për Botërorin “Kina 2019”.

Pas fitores së Estonisë ndaj Maqedonisë, në kuadër të Grupit C të para-kualifikimeve evropiane për Kupën e Botës “Kina 2019”, gjasat e përfaqësueses së Kosovës për kualifikim tutje në këtë garë janë rritur dukshëm.

Përfaqësuesja e Kosovës e ka shansin që me fitore në përballje me Estoninë të sigurojë kualifikimin tutje.

Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës, Brad Greenberg, ka thënë se lojtarët janë mjaft të motivuar që do ta luajnë këtë ndeshje vendimtare para tifozëve të tyre:

“Ekipi ynë është i emocionuar dhe i motivuar që është pjesë e një loje të tillë, si kjo e nesërmja, që është shumë e rëndësishme. Ne e mirëpresim këtë mundësi të jashtëzakonshme, me besim të madh në aftësinë tonë për të luajtur me gjithë kapacitetin tonë para tifozëve tanë. Ne duhet të luajmë guximshëm dhe të disiplinuar në të dy anët e fushës.”, ka deklaruar të prtemten Greenberg, citon Gazeta Express.

“ Ne e respektojmë Estoninë, por në anën tjetër ne e kuptojmë mjaft mirë misionin tonë. Lojtarët tanë do të luajnë me zemër dhe me vendosmëri në këtë ndeshje vendimtare në shtëpi, për të vazhduar në fazën e ardhshme të kualifikimeve për Kupën e Botës “Kina 2019”, ka shtuar Greenberg.

Në duelin e parë, të luajtur në Talin, Estonia e ka mundur Kosovën 76:50. (r.m.)

Comment

*