Sonte, ndeshja miqësore Shqipëri – Kosovë

Cyrih (Zvicër) – Sonte, me fillim prej orës 20:00, do të zhvillohet ndeshja miqësore e përfaqësueseve të Kosovës dhe Shqipërisë në futboll.

Kjo ndeshje, e cila cilësohet si ndeshje vëllazërore, zhvillohet në Cyrih të Zvicrës.

Ky është testi i parë përfaqësueses shqiptare të drejtuar nga Christian Panucci para Ligës së Kombeve, e cila do të nisë në muajin shtator. Në formacionin e kuqezinjëve do të ketë ndryshime të konsiderueshme.

Kundër përfaqësueses së Kosovës, Panucci do të eksperimentojë pothuajse në të gjitha repartet. Në portë do të rikthehet Etrit Berisha, në mbrojtje do të jenë Hysaj, Veseli, Gjimshiti dhe Lika, në mesfushë pritet të luajnë Ramadani, Ndoji, Qaka dhe Roshi, kurse në sulm do të luajnë Sindrit Guri dhe Sokol Cikalleshi.

Edhe në përfaqësuesen e Kosovës do të ketë ndryshime të konsiderueshme. Ndër mungesat e shumta spikat ajo e Valon Berishës.

Trajneri i përfaqësueses kosovare, zvicerani Bernard Chalandes, pritet të luajë me rreshtimin 4-4-1-1. Në vijën e sulmit, Avdijaj do të mbështetet vetëm nga Vedat Muriqi, ndërsa në prapavijë do të luajnë edhe mbrojtësi i Skënderbeut Fidan Aliti, dhe talenti i Hajdukut të Splitit, Ardian Ismaili. (r.m.)

Comment

*