Spanja i ndërron qeveritë, por jo politikat ndaj Kosovës

Muhamet Hamiti

Mediat tona kanë shfaqur njëfarë gëzimi që ‘kundërshtari i pavarësisë’ së Kosovës, Mariano Rajoy (Rahoi), kryeministër i Spanjës në vitet 2011-2018, është rrëzuar sot përmes një vote mosbesimi në Parlament. Kjo përbën atë që gjermanët e quajnë ‘schadenfreude’, situatë kur njeriu i gëzohet fatkeqësisë së tjetrit. Kurrgjë më shumë.

Asnjëri nga të dyja kampet tradicionale politike në Spanjë, Partia Popullore (e djathtë) dhe Partia Socialiste (e majtë), nuk e përkrahin pavarësinë e Kosovës. Përkrahës të pavarësisë sonë nuk ka as te partitë e reja – as te Ciudadanos (e qytetarëve, parti e qendrës së djathtë dhe liberale), as te Podemos, parti populiste e majtë – me sa mund të shihet. Përkrahja eventuale nga partitë nacionaliste të Katalonisë s’do të ishte domosdo e frytshme në rrafsh të opinionit spanjoll. Spanjollët vazhdojnë ta shohin pavarësinë e Kosovës si precedent për Kataloninë. Gabim e kanë. Duke mos e njohur Kosovën me kohë, qeveritë e Spanjës e kanë bërë Kosovën pa nevojë precedent në sytë e popullit të vet.

Partia Socialiste do ta kryesojë tani qeverinë spanjolle të koalicionit me një përbërje partish turli, që përfshin edhe partitë baske dhe katalonase. Vështirë se do të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2020, kur duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare atje.

Nuk dihet a do të jetë kryeministri i ri spanjoll Pedro Sánchez (Sançez) ‘kundërshtar i pavarësisë’ së Kosovës, por me gjasë jopërkrahës do të jetë. Edhe për një kohë gjithësesi, deri kur të ndërrojë opinioni. (Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, siç e do rendi, duhet t’i dërgojë urimet Sánchez-it për detyrën e re.)

Qeveria jonë por edhe partitë tona të spektrit të majtë dhe të djathtë (në të djathin, përveç LDK-së, që është natyrshëm aty, janë rreshtuar edhe të tjera, PDK, AAK, si punë mode) duhet të punojnë që të argumentojnë drejtësinë e pavarësisë sonë në kontakte me të gjithë spektrin politik të atjeshëm, kryesisht nëpërmjet organizimesh ndërkombëtare të partive simbas rreshtimeve politike.

Kosova i ka pasur punët më së miri me Spanjën në kohën kur President i Kosovës ka qenë Ibrahim Rugova ndërsa Kryeministër i Spanjës José María Aznar, i cili, në mbarim të mandatit të dytë si kryeministër dhe lider i partisë së djathtë (Partisë Popullore), u tërhoq nga politika.

Presidenti Ibrahim Rugova është pritur në takim në Kryeministrinë spanjolle në shkurtin e vitit 2004. Takimi ka qenë shumë miqësor. Në takim ishte i pranishëm athëherë edhe Mariano Rajoy, që trashëgontë Aznarin si lider i PP-së dhe pritej t’i fitonte zgjedhjet e marsit të vititi 2004. Ne që ishim në takim me Presidentin Rugova na dukej atëherë se Aznar-i mëtonte t’i linte trashëgim Rajoy-it jo vetëm partinë PP dhe qeverisjen e vendit, por edhe simpatinë për Rugovën dhe Kosovën. Pa sukses në të dyja rrafshet, siç u pa më vonë.

Mariano Rajoy i humbi zgjedhjet e atij viti për shkak të qëndrimit të ngutshëm dhe të gabuar që mbajti Qeveria e djathtë ndaj sulmit terrorist në rrjetin e trenave të Madridit më 11 mars 2004, tri ditë para zgjedhjeve nacionale. Huqja e qeverisë ishte se gabimisht e paragjykoi organizatën separatiste ETA si kryese të sulmeve. Në të vërtetë, siç doli, sulmet që vranë 192 njerëz e plagosën rreth 2000 të tjerë, i kishte kryer një celulë terroriste e lidhur me Al-Aqaeda-n. Në klimën shoqërore e politike që mbretëronte atje, një sulm terrorist nga qarqe islamike do të shihej si hakmarrje për pjesëmarrjen e Spanjës në Luftën e Irakut.

Një prej vendimeve të para të fituesit të zgjedhjeve spanjolle të marsit të vitit 2004, Kryeministrit socialist José Luis Rodríguez Zapatero, ishte t’i tërhiqte trupat spanjolle nga kontigjenti i NATO-s (KFOR-it) në Kosovë.

Ardhja e Rajoy-it në krye të qeverisë spanjolle në vitin 2011 nuk e ndërroi qëndrimin e Spanjës ndaj Kosovës.  Spanja është një nga 5 vendet e BE-së që vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës dhe herë-herë duket më e zëshmja në mospranim të këtij realiteti.

Mariano Rajoy humbi pushtetin për shkak të një skandali që përfshinte zyrtarë të partisë së tij në fonde të paligjshme korrupsioni politik.

Kryeministresha e rajonit të Madridit, Cristina Cifuentes, anëtare e Partisë Popullore, u detyrua të jepte dorëheqje në prill të këtij viti kur u mor vesh (nga një xhirim videoje) se kishte vjedhur dy shishe të një kremi kundër plakjes në një dyqan. Punën e kishte pasur ngusht më herët kur u bënë publike pandehmat se kishte fituar në mënyrë të parregullt gradën master nga Universiteti Mbreti Juan Carlos (URJC) në Madrid në vitin 2012.

(Autori është profesor i Universitetit të Prishtinës. Ai ka qenë zëdhënës i Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, këshilltar politik i Presidentit Fatmir Sejdiu dhe ambasador i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar)

Comment

*