Specialja e ka gati aktakuzën ndaj një ish-komandanti të UÇK-së, po negociohet dorëzimi i tij

Prishtinë, 6 dhjetor 2018 – Prokuroria e Specializuar për Kosovën pritet të finalizojë së shpejti së paku një aktakuzë, raporton KTV.

Burime të afërta me procesin kanë treguar se Prokurori i Specializuar, Jack Smith, tashmë e ka të gatshme aktakuzën e parë ndaj një ish-komandanti të një zone të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Sipas burimeve, hetuesit e Speciales kanë negociuar për dorëzimin e të dyshuarit, emri i të cilit është i njohur për redaksinë.

“Hetuesit kanë qenë në Kosovë dhe kanë negociuar dorëzimin e mundshëm të të dyshuarit dhe ka gjasa që një marrëveshje të arrihet shumë shpejt për dorëzimin e tij vullnetar”, ka thënë ky burim për KTV-në.

Por, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk ka qenë e gatshme të flasë për rastin.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk komenton dhe nuk do të komentojë spekulime rreth kohës së mundshme të akuzave ose të japë informacione specifike për statusin e hetimeve. ZPS-ja është e angazhuar në hetimin e të gjitha pretendimeve të raportit të Asamblesë së Këshillit të Evropës, i hartuar nga Senatori zviceran, Dick Marty, dhe ka për qëllim të sigurojë që të gjitha pretendimet të adresohen dhe hetohen plotësisht”, ka thënë Christopher Bennett, zëdhënës i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

KTV-ja e ka pyetur edhe Gjykatën Speciale, ku Zyra e Prokurorit pritet ta dorëzojë aktakuzën. Por, as nga kjo zyrë nuk ka marrë përgjigje.

Gjykata Speciale për Kosovën u krijua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës. Misioni i saj është hetimi i pretendimeve për krime lufte në Kosovë, të kryera mes viteve 1998-2000. (r.m.)

Comment

*