Spiunët e Millosheviqit i ruajnë akoma sekretet e regjimit të rrëzuar të Serbisë

Sërgjan Cvijiq

Njëzet vjet pas shembjes së regjimit autoritar të Sllobodan Millosheviqit, spiunët e shërbimit të tij të sigurisë ende nuk i kanë dorëzuar dosjet që do të hidhnin dritë të rëndësishme mbi krimet e tij.

Njëzet vjet më parë, sot, më 5 tetor 2000, regjimi i përgjakshëm i Sllobodan Millosheviqit u shemb në më pak se dy javë.

Millosheviq ishte përpjekur të manipulonte zgjedhjet presidenciale në Serbi me 24 shtator të vitit 2000, por kishte dështuar. Protestat e pandërprera popullore dhe largimet e anëtarëve të shumtë të rangut të lartë institucional të sigurisë së Millosheviqit i dhanë fund një dekade agonie si për patriarkun e kalbur Millosheviq e po ashtu edhe për të gjithë serbët.

Një Perde e Hekurt e vetimponuar përreth Serbisë ra më shpejt sesa dikush mund të priste në atë kohë. Më 6 tetor 2000, në agim, nëse e huazojmë frazën nga “Vjeshta e Patriarkut” (Autumn of the Patriarch) të Gabriel García Marquez, Serbia “u zgjua nga letargjia e saj shekullore me flladin e ngrohtë dhe të butë” të lirisë.

Sikurse të gjitha vendet post-komuniste, për të ndërtuar një të ardhme të qëndrueshme demokratike, Serbia u detyrua të pajtohet me të kaluarën e saj autoritare të gjatë me dekada.

Serbia kishte qenë nën sundimin autoritar nga 6 janari i vitit 1929, kur mbreti Aleksandar vendosi një diktaturë mbretërore, deri në rrëzimin e Millosheviqit nga pushteti më 5 tetor të vitit 2000. Zhveshja e 71 vjetëve të autoritarizmit ishte një detyrë sizifiane (joefektive).

Shumica e koalicionit që e përmbysi Millosheviqin në vitin 2000 besonte se çmimi i nevojshëm për të paguar për një revolucion pa gjakderdhje ishte duke i lënë në pushtet disa nga figurat kryesore të shërbimit të sigurimit të Millosheviqit.

Mirëpo ky vendim pati pasoja të konsiderueshme. Në mëngjesin e 7 tetorit të vitit 2000, ndërkohë që pjesa më e madhe e vendit, duke përfshirë edhe veten time, festuan lirinë tonë të shumëpritur, policia politike e Millosheviqit filloi të punojë në mënyrë të pandërprerë për të shkatërruar të gjitha provat e mizorive të kryera nga regjimi turpërues.

Përveç shkatërrimit të dosjeve të klasifikuara të shërbimit të sigurisë, Radomir Markoviq, kreu i sigurimit, organizoi grumbullimin dhe vjedhjen e dokumenteve të tjera të panumërta që qeveria e Millosheviqit i kishte lënë pas, por të cilat nuk ishin shkatërruar.

Qëllimi nuk ishte vetëm për të mbrojtur sekretet e errëta të autokracisë që po vdiste, por t`i ruajë këto dosje dhe t’i përdorë ato si një mjet për të shantazhuar me sukses qeveritë e reja demokratike.

Vetëm një pjesë e stacioneve lokale të shërbimit të sigurisë refuzoi ta respektojë famëkeqen “Dërgesën me numër 3210” të 6 Tetorit 2000, i cili urdhëroi keqpërdorimin e këtyre dokumenteve të klasifikuara.

Në maj të vitit 2001, qeveria e re demokratike miratoi një dekret për deklasifikimin e të gjitha të dhënave të qytetarëve të ruajtura nga shërbimi i sigurisë së regjimit të vjetër.

Qysh në shkurt të vitit 2001, prokurori publik kishte ngritur akuza kundër Markoviqit dhe disave nga spiunët kryesorë të Millosheviqit për dyfishim të paligjshëm të CD-ve që përmbanin dosjet e liderëve opozitarë.

Në mënyrë paradoksale, dekreti i majit dekriminalizoi veprimet e Markoviqit dhe kështu hoqi bazat ligjore mbi të cilat prokurorët, edhe ligjërisht, mund t’i mbanin përgjegjës atë dhe bashkëpunëtorët e tij.

Mënyra se si u miratua dekreti ishte i pakoordinuar dhe u ndryshua në më pak se një javë. Por, megjithëse politikanët që erdhën në pushtet menjëherë pas rënies së Millosheviqit po e përmbushnin premtimin e tyre elektoral për të ndjekur penalisht ata që ishin përfshirë në keqbërjet e regjimit të rrëzuar, ata e lanë në dorë të ish-agjentëve të Millosheviqit për t`i zbatuar vendimet kundër kolegëve të tyre. Kjo vështirë se ishte një strategji efektive, për arsye të qarta.

Në mënyrë zhgënjyese, ndryshe nga Akti Gjerman i Stasi Records (të dhënave Stasi) i vitit 1991, dekreti serb i lejoi qytetarët vetëm “të konsultoheshin” me dosjet e tyre. Ata nuk mund të fotokopjonin ose riprodhonin përmbajtjen edhe me stilolaps dhe letër, dhe as nuk mund të informonin të tjerët për ndonjë informacion të gjetur në dosjet e tyre.

Bërja publike e përmbajtjes së dokumenteve teknikisht do të përbënte vepër kriminale. Ajo që synohej si rregullore për të hapur dosjet e policisë sekrete de facto shërbeu si një instrument për t’i mbyllur ato, ndoshta përgjithmonë.

Nga maji i vitit 2001 deri në qershorin e vitit 2003, kur Gjykata Kushtetuese e Serbisë e gjykoi dekretin e majit si jokushtetues, rreth 8,000 njerëz kishin kërkuar informacione nga shërbimi i sigurisë nëse ky shërbim kishte dosje lidhur me ta.

Ish agjentët e Millosheviqit arritën të gjenin vetëm dosjet e 420 personave. Shumica e dosjeve gjithashtu u redaktuan shumë dhe ato pothuajse ekskluzivisht i referoheshin periudhës para sundimit të Millosheviqit.

Sa për krahasim, gjatë së njëjtës periudhë, më shumë se një milion ish-gjermano lindorë kishin aplikuar për të ditur nëse kishte dosje të tyre. Nga ai numër, 420,000 i lexuan dosjet e tyre dhe afërsisht 360,000 e kuptuan – të lehtësuar apo të zhgënjyer – se asnjë dosje mbi ta nuk mund të gjendej.

Popullsia e Republikës Demokratike Gjermane në atë kohë ishte më shumë se dyfish m e madhe se ajo e Serbisë, duke e bërë numrin disproporcionalisht më të vogël të kërkesave në Serbi edhe më befasues.

Gjermania gjeti 1000 herë më shumë dosje për njerëzit e saj sesa autoritetet në Serbi. Në Serbi, vetëm 5 për qind e njerëzve që i kërkuan dosjet e tyre ishin në gjendje t`i shihnin ato. Në Gjermani, shifra ishte afër 37 për qind.

Mungesa e entuziazmit të popullatës serbe lidhur me këtë proces, megjithatë, është e kuptueshme. Jo vetëm se ishin të njëjtët njerëz që i kishin spiunuar ata, porse tani po vendosnin nëse do t`i lironin dosjet e tyre, por atyre që në të vërtetë arritën të hynin në dosjet e tyre iu ndalua të ndanin ndonjë nga informacionet e gjetura në to; një situatë absurde, të paktën nëse themi kështu.

Megjithëse disa bënë përpjekje për një të vonesë të një hapjeje të rregulluar të dosjeve sekrete të shërbimeve të sigurisë sipas modeleve të njëjta me ato t  Gjermania ose t vendet e tjera ish-komuniste, Serbia ende nuk e ka miratuar një ligj sistemor që rregullon hyrjen në dosje nga koha e para 2000-ës.

Larg nga lustrimi i personave që kanë spiunuar bashkëqytetarët e tyre gjatë fazës autoritare të Serbisë, një numër turpërisht i vogël u gjykuan për krimet që i kishin kryer.

Vetëm dy persona nga shërbimi i sigurimit të Millosheviqit përfunduan në burg për krimet politike që regjimi i kishte shkaktuar në vitet 1990. Pjesa tjetër jo vetëm që po e jetojnë jetën e tyre të pandëshkuar, por në disa raste po vazhdojnë t`i mbajnë edhe frenat e pushtetit.

Në vitin 1989, Janos Kis, Adam Michnik dhe Timothy Garton Ash shkruanin: «Në Poloni dhe Hungari sot… Evropa ka para vetes një shans të paparë. Është shansi i transformimit të komunizmit në një demokraci liberale. Askush nuk e ka bërë kurrë më parë. Askush nuk e di se mund të bëhet”.

Më shumë se 30 vjet më pas, ne kemi mësuar se transformimi është me të vërtetë i mundur, por gjithashtu se demokracitë liberale mund të rrëshqasin dhe të shndërrohen në një lloj të ri autoritarizmi. Regresi demokratik i Polonisë filloi në vitin 2015. Në Serbi, filloi në vitin 2012 dhe në Hungari në vitin 2010.

Mënyra se si një vend e rregullon hapjen e dosjeve të sigurisë shtetërore dhe koha që nevojitet për ta thyer monopolin e sekreteve të mbajtura më parë nga strukturat e sigurisë së regjimit autoritar tregon për fleksibilitetin e progresit demokratik të atij vendi.

Deklasifikimi dhe lustracioni më vete nuk sigurojnë një tranzicion të suksesshëm demokratik, por ata i vendosin qytetarët në një pozicion të barabartë me shtetin. Nëse bëhet siç duhet, funksionon si një parandalues i fortë për llojin e shkeljeve të paligjshme të privatësisë që përsëri po shënojnë rritje.

Në Serbi, 20 vjet pas revolucionit tonë demokratik, ne ende po presim ta dimë nëse shteti ynë na spiunoi.

Në librin e Mikhail Bulgakov, “Mjeshtri dhe Margarita”, Profesor Woland, personifikimi i Djallit, i tregon personazhit romancier, Masterit, që “dorëshkrimet nuk digjen”.

Zjarret e mëdha të ndezura 20 vjet më parë në gjithë Serbinë nuk i shkatërruan dosjet. Shumica e tyre ndoshta ekzistojnë akoma në mikrofilma. Qëllimi i vërtetë i këtij veprimi ishte si një mbulesë për privatizimin e paligjshëm të dokumenteve sekrete.

Dosjet u bënë aksione që u garantonin zotëruesve të tyre ilegalë mundësinë për të kontrolluar dhe shfrytëzuar ekonominë dhe politikën. Përderisa nuk bëhet diçka lidhur me këtë, ky sistem zhvatjeje do të vazhdojë për vitet në vijim.

 

Sërgjan Cvijiq (Srdjan Cvijic) është analist i lartë për marrëdhënie të jashtme të BE-së me Institutin për Politika Evropiane për Shoqëri të Hapur në Bruksel. Ky shkrim është shkruar në kuadrin e Bursës së Evropës për të Ardhmen me Institutin e Shkencave Humane dhe Fondacionin ERSTE.

Ky shkrim është publikuar në Balkan Insight dhe është riprodhuar nga BIRN.

Comment

*