Stalin-Skënderbe-Enver

Ylli Polovina
(Fotografi nga Qerim Vrioni, tetor 2017)

(Shkrimi pesëdhjetë e dy i ciklit për Vitin e Gjergj Kastriotit)

 

Në 26 shtator 1950, një vit pasi Enver Hoxha pati kërkuar ndihmën e Bashkimit Sovjetik për realizimin e filmit kushtuar Skënderbeut dhe po atë mot, kur Nexhmije Hoxha i bënte kërkesë Moskës për sjelljen në Tiranë e shpërndarë nëpër shkollat shqiptare të 50 mijë teksteve të mësimit të gjuhës ruse, i Ngarkuai me Punë të Parakohshme i BRSS në Shqipëri V. Karetkin, pati kryer një bisedë me vetë Enverin.
Ky mes të tjerash i pati pohuar se në Berat dhe në Korçë qenë kapur shumë trakte të Komitetit “Shqipëria e Lirë”. Pak kohë më parë, kishte theksuar Enver Hoxha, trakte të tilla me shpërndarje masive qenë vënë re në Vlorë e në disa qytete të tjera të vendit. Pastaj pati shprehur gjykimin se “Rrethana që traktet këtë herë u zbuluan në Elbasan, i cili ndodhet larg detit dhe që siç është verifikuar nuk u hodhën nga aeroplani, të detyron të mendosh për praninë e agjentëve, të cilët merren me shpërndarjen e materialeve të ngjashme dhe tashmë janë arrestuar katër persona”.
Diçka më tepër se dy muaj më vonë nga kjo bisedë, në 6 dhjetor 1950, Sekretari i Dytë i Misionit Sovjetik në Tiranë, Sotin, kreu në Shtëpinë Qendrore të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-BRSS, një takim me Nexhmije Hoxhën, nënkryetare e Këshillit të Përgjithshëm të kësaj organizate.
Lëndën e saj ia dërgoi Moskës menjëherë.
Sotin komunikonte në të: “Nexhmije Hoxha njoftoi mbi dëshirën e kryesisë së Shoqatës, pas konsultimit me PPSH, për të dërguar në Bashkimin Sovjetik një delegacion. Delegacioni, sipas pohimeve të saj, do të donim që të përbëhej nga 15 persona, por nuk ishin të sigurt që ky numër pjesëmarrësish do të pranohej….”
Pasi kishte trajtuar këtë çështje shoqja Hoxha, siç shkruante Sotin, qe hedhur në një temë të dytë. Sipas asaj që raportonte dhe është botur në librin “Shqipëria dhe Kosova në arkivat ruse” (me autorë Hamit Kabën dhe Ethem Çekun), ajo “më tregoi edhe se, aktualisht në Shqipëri, çështja e tekstit të gjuhës ruse është në gjendje krejtësisht katastrofike. Çështja qendron se, sipas njoftimeve që kanë marrë shqiptarët, porosia e qeverisë së tyre për të shtypur në Bashkimin Sovjetik 50 mijë kopje të tekstit të N. Potapovës, nuk ishte pranuar, pasi autori nuk kishte dhënë pëlqimin e tij për ribotim, në formën e mëparshme, duke mbajtur parasysh domosdosmërinë e ripunimit paraprak dhe të rinovimit të librit”.
Vinte në dukje po ashtu Sotin: “Tani, Ministria e Arsimit e RP të Shqipërisë dhe Shoqata e Miqësisë së përbashkët, nuk disponojnë asnjë informacion nëse do të përpunohet ky tekst që u intereson, kur do të përfundojë ripunimi dhe praktikisht kur do të realizohet porosia e tyre. Me qëllim që të vazhdojë procesi mësimor nëpër shkolla, shoqata do të shumëfishojë kapituj të veçantë të tekstit me shaptilograf, por kjo gjë do të shërbejë vetëm si masë e përkohshme, jo si zgjidhje përfundimtare e problemit. Mungesa e qartësisë në këtë çështje shkakton shqetësim tek shqiptarët lidhur me furnizimin e shkollave dhe kurseve me këtë tekst edhe për vitin e ardhshëm shkollor. Prandaj Nexhmije Hoxha u shpreh mbi mundësinë e shtypjes së të paktën 10 mijë kopjeve të tekstit aktual, me qëllim që të plotësohen nevojat imediate të shqiptarëve para se ky tekst të ripunohet”.
Pas këtij parashtrimi Sekretari i Dytë i Misionit Diplomatik të BRSS në Shqipëri e informon qendrën në Moskë edhe për një problem tjetër. Sipas tij, “Nexhmije Hoxha tha, se për shkaqe të ndryshme, shoqata ende nuk i ka dërguar në Bashkimin Sovjetik dhuratat e mbledhura vitin e shkuar për shokun Stalin. Përfundimisht, ato do të bëhen për t’u dërguar më 10 dhjetor. Lidhur me këtë, Nexhmije Hoxha pyeti se si do të ishte më mirë që këto dhurata të dërgohen në Moskë nëpërmjet Misionit apo në rrugë të zakonshme me ndërmjetësinë e Përfaqësisë Tregtare”.
Vijon raportimi i sovjetikut Sotin, tashmë në një detaj tjetër të bisedës me bashkëshorten e Enver Hoxhës: “Nexhmije Hoxha njoftoi se gjithashtu në Shqipëri ka përfunduar grumbullimi i firmave me mesazhin për shokun Stalin”.
Siç me këtë rast autorët Kaba dhe Çeku shpjegojnë në librin e tyre, “Mbledhja e firmave në vend u bë nga 22 tetori deri në 29 nëntor 1950. Ajo u la të hapet në 22 tetor për të përkuar me Kongresin e Dytë të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-BRSS”.
Vazhdon ndërkohë raportimi i Sotin: “Gjithsej në vend janë grumbulluar rreth 600 mijë firma, të cilat do të përfshihen në 12-14 libra me format të madh. Sipas pohimeve të Nexhmije Hoxhës, shqiptarët tani shqetësohen për rrugën e dërgimit të këtyre librave shokut Stalin: t’i dërgojnë ato në Bashkimin Sovjetik nëpërmjet delegacionit të Shoqatës së Miqësisë apo ta bëjnë këtë nëpërmjet delegacionit që aktualisht gjendet në Moskë, të kryesuar nga anëtari i Byrosë Politike të PPSH, shoku Spiro Koleka”.
Një javë më vonë nga raportimi me shkrim i Sekretarit të Dytë të Misionit Sovjetik në Tiranë, në kryeqytetin e BRSS ingranazhet politike dhe shtetërorë vihen menjëherë në lëvizje. E para që vepron, është kolegia e Shoqatës së Miqësisë në Shqipëri: sovjetikja VOKS. Kryetari i saj ngul këmbë në plotësimin e kërkesave të Nexhmije Hoxhës, duke theksuar se ajo është e shoqja “e gjeneralit të armatës së Shqipërisë Enver Hoxha”.
Në 30-31 janar 1951, pra pas diçka më shumë se një muaji, u mblodh Byroja Politike e PPSH-së. Në shenjë të saj ishte Tuk Jakova.
I kritikuar si liberal brenda pak viteve ai do të goditej sistematikisht me akuzën se qëllimisht donte të mos regjistrohej Enver Hoxha në historinë e Partisë Komuniste Shqiptare si themelues i saj, sepse në të vërtetë kështu ishte.
Por kulti Enverit i duhej edhe më shumë se më parë. Për Shqipërinë e pas ndarjes me Jugosllavinë dhe lidhjen e fortë me BRSS tërë energjia e tij manipuluese qe përqendruar në funksionimin e një “tresheje” kulti: Stalin, Skënderbe, Enver.
Në 1953 për tu shpërndarë në të gjitha ambasadat shqiptare jashtë vendit dhe prej këtej shtypit të huaj, u hartua një biografi zyrtare e disa udhëheqësve komunistë të kohës, i pari mes tyre Enver Hoxha. E fotokopjuar prej arkivit të Ministrisë së Punëve të Jashtme ajo ka këtë tekst: “Enver Hoxha, (Lindur më 1908), militant i çquar i lëvizjes punëtore shqiptare, Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, Kryetar i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë. Gjeneral Armate dhe Komandant Suprem i Ushtrisë Popullore të Republikës Popullore të Shqipërisë, dy herë Hero i Popullit. Luftëtar i vendosur për çkrirjen e grupeve të ndryshme komuniste që ekzistonin në Shqipëri në një parti të vetme ay bëhet themelonjësi dhe organizatori kryesor i Partisë Komuniste Shqiptare (8 nëntor 1941), e cila në vitin 1948 transformohet në Parti e Punës e Shqipërisë”.
Më tej: “Organizatori dhe udhëheqësi i luftës nacional-çlirimtare të popullit shqiptar kundër invazorëve fashistë italo-gjermanë dhe agjentave e shërbëtorëve të tyre shqiptarë. Ilegal përpara themelimit të Partisë Enver Hoxha dënohet nga gjyqet fashiste me vdekje në mungesë. Në korrikun e vitit 1943 me formimin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë nacional-çlirimtare emërohet komisar politik i këtij shtabi. Në majin e vitit 1944 në Kongresin e Përmetit zgjidhet kryetar i komitetit nacional-çlirimtar dhe Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-çlirimtare me gradën Gjeneral-Kolonel. Që nga momenti i transferimit të Komitetit Nacional çlirimtar në qeveria e përkohshme (20 tetor 1944) u bë kryetar i Qeverisë së përkohshme, e cila nën udhëheqjen e Enver Hoxhës zhvilloi në vendin e çliruar nga invazorët, së sajë të fitoreve të B.R.S.S. gjat luftës së madhe patriotike 1941-1945 transformimet demokratike që suallë në shpalljen e Republikës Popullore të Shqipërisë më 11 janar 1946. Pas aprovimit të Kushtetutës të Republikës Popullore të Shqipërisë ëshë emëruar kryetar i Këshillit të Ministrave.
Ka marrë pjesë në konferencën e paqes me Italinë (1946) si kryetar i delegacionit shqiptar.
Është dekoruar nga Presidiumi i Sovietit Suprem të B.R.S.S. me urdhërin e Suvorovit të klasit të parë. Farkëtues i miqësisë të patundshme të popullit shqiptar me popullin sovietik”.
Viti 1953, ai i hartimit dhe i zyrtarizimit të kësaj biografie të Enver Hoxhës qe edhe viti kur vdiq diktatori Stalin. Kryebolshevikut shqiptar ai i duhej edhe më shumë i vdekur, prandaj edhe organizoi në Tiranë një ceremoni të fryrë, në të cilën u krye një varrim i supozuar i të porsavdekurit në Moskë.
Para monumentit të tij në sheshin qendror njerëzit në zi, sipas porosisë dhe dëshirës së Hoxhës, ranë të gjithë në gjunjë.
Ka qenë një sforcim i madh jo vetëm shpirtëror i shqiptarëve, por edhe fizik për veçanërisht të moshuarit, burra dhe gra. Prej këtij momenti në historinë e Shqipërisë u ngulit një kujtim komik: nga shtrëngimi i muskujve të barkut një pjesë e gazrave dilnin me një krismë, herë shumë të lehtë, por ndonjëherë edhe mjaft të fortë.

(Vijon)

Ylli Polovina

Tiranë, më 2 tetor 2018

Comment

*