Studimet albanistike në vendet ku flitet gjermanisht

              Akademik Rexhep Ismajli

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Në vitin 2015 me organizim të ASHAK-ut u mbajt Konferenca Shkencore “Studimet albanistike në Amerikë”, që synonte të arrinte dy qëllime kryesore: të shënonte dhe theksonte rezultatet e arritura në studimet për gjuhën shqipe në Amerikë dhe njëherësh të aktualizonte nevojën për rritjen dhe organizimin e këtij interesi në rrethanat e reja. Konferenca doli me rezultate dhe në vijim u pa se kishte nevojë të ndërmerreshin aktivitete të ngjashme dhe për hapësira të tjera. Dy Akademitë vendosën që këtë herë të mbahej kjo konferencë për studimet albanistike në botën gjermanishtfolëse, ku kemi të bëjmë me një traditë shumë më të gjerë dhe me zhvillime më të gjithanshme të këtyre studimeve në të gjitha drejtimet. Të shpresojmë që në të ardhmen të kemi mundësi të organizojmë veprimtari të ngjashme dhe për hapësirat e tjera ku u zhvilluan studimet albanistike dhe kështu të kemi një pasqyrë më të qartë për zhvillimet, gjendjen dhe të ardhmen e këtyre studimeve në shekullin tonë.

Interesimet e dijetarëve nga bota gjermanishtfolëse për botën shqiptare në të vërtetë nisin me letrat e dijetarit dhe filozofit të famshëm Gottfried Wilhelm Leibniz të viteve 1706-1709, i cili, siç kanë treguar studiuesit, së voni edhe N. Reiter, E. Hamp, B. Demiraj, e kishte vlerësuar veçantinë dhe lashtësinë e popullit shqiptar, të kulturës dhe të gjuhës shqipe brenda hapësirës europiane. Në fillim ai botën shqiptare e kishte parë disi në qerthullin e botës sllave, por pasi kishte njohur Fjalorin e F. Bardhit e të një vepre të P. Budit, pra pasi kishte arritur të komunikonte sadopak me këtë kulturë e gjuhë, ai solli mendimin për përkatësinë ilire të popullit dhe të gjuhës shqipe. Në vijim interesimet për gjuhën dhe botën shqiptare në opinionin shkencor e kulturor të atjeshëm sa vinin e rriteshin. Në sh. XVIII Jochan Thunmann (1774) sillte në vëmendjen e opinionit gjermanishtfolës dhe të dijes në përgjithësi problematikën shqiptare, kryesisht nga aspekti historik, ndërsa aktualizime më konkrete gjuhësore do të kemi me botimin e J. von Xylander-it (1835) Die Sprache der Albanesen. Në kuadër të studimeve krahasuese indoeuropiane me F. Bopp-in, A. Schleicher-in, G. Stier-in, G. Curtius-in, J. Schmidt-in, e të tjerë në vetë majat e kompatarativizmit e të historicizmit gjuhësor, do të hidheshin themelet e konceptimit teorik të dijes krahasuese-historike për gjuhën shqipe, çka pothuajse në të njëjtën kohë u ndoq nga arbëreshi Dhimitër Kamarda, pa marrë parasysh se bazat njohëse të materialeve konkrete të gjuhës së gjallë ishin ende të mangëta dhe shpesh jo mirë të zotëruara. Interesi për historinë e gjuhës dhe për lidhjet e saj me gjuhët indoeuropiane në botën gjermanishtfolëse të shekullit historicist sa vinte e rritej. Qendrore në kërshërinë e atëhershme shkencore delte çështja e vendit që zinte shqipja brenda gjuhëve indoeuropiane, ndërsa zhvillimet më të gjera shtriheshin në fushën e etimologjisë. Por pati paralelisht me këto zhvillime interesime dhe për raportet e shqipes me gjuhët e Ballkanit (J. Kopitar, F. Miklosich, R. Helbig, W. Meyer-Lübke, A. Thumb), ndërsa  bazat e vërteta të një kompendiumi për studimet shqiptare do t’i sillte diplomati austriak J. G. von Hahn me veprën e tij Albanesische Studien, i cili hodhi hapat e parë të një dijeje të integruar historiko-kulturore-gjuhësore të njohur si albanologji. Në frymën e përgjithshme të kohës, të mbrujtur nga romantizmi e historicizmi, me impaktin doktrinar të komparativizmit e të junggramatikanëve, vepra e tij do të sillte begatinë e madhe të njohjeve për gjuhën, për kulturën dhe për realitetet shoqërore të një populli që po e kërkonte dhe shpërfaqte vendin e vet brenda hapësirës përkatëse, për historinë shqiptare në përgjithësi. Në mjaft aspekte kjo vepër mbetet edhe sot aktuale dhe nevojisht e konsultueshme. Hahn-i, ashtu si Leibniz-i, Kopitar-i, Thunmann-i, Bugge, Miklosich-i, në punën e tij do të ketë një komunikim të dendur me shqiptarë të interesuar, sidomos me K. Kristoforidhin e shquar për dijet dhe talentin e tij. Krahas interesimit në rritje të dijetarëve të epokës komparatiste, si p.sh. K. Brugmann, W. Meyer-Lübke, etj. do të jetë sërish komparatisti fillimisht grecist austriak Gustav Meyer ai që në dy dekadat e fundit të sh. XIX do të zhytej thellë në studimet shqiptare me synimin që të sillte një pamje të një rrafshi më të rritur në dijet për gjuhën, por edhe për kulturën shqiptare. Me gramatikën, me fjalorin etimologjik, me shqyrtimet e gjera për vendin e shqipes në suaza të gjuhëve indoeuropiane, me studimet e tjera gjuhësore-kulturore, ai do të shënonte një shkallë të lartë emancipimi të kësaj dijeje, e cila, për nga cilësia dhe si kritikë e pandërmjetme e disa prej tezave themelore të tij, do të çohej më tej nga komparatisti i madh danez Holger Pedersen, gjithnjë në hapësirën gjermanishtfolëse. Të gjithë këta, si shumë të tjerë më vonë, i jepnin rëndësi të madhe komunikimit me botën shqiptare, si burim i domosdoshëm për depërtimet e tyre me mbështetje më të madhe teorike. Shekulli XX do të sjellë depërtime të reja në hapësirat gjermanishtfolëse, sa u përket njohjeve për gjuhën dhe për kulturën shqiptare. Interesimet e Austro-Hungarisë, të Habsburgëbve e të institucioneve austriake, krahas zhvillimeve brenda gjuhësisë krahasuese, ku shqipja dukej intriguese, në vijën e Hahn-it, Meyer-it e të tjerëve, sollën nivel të ri preokupimi, jo më vetëm krahasues, po edhe për çështje krejt reale që preokuponin botën shqiptare, si çështja e alfabetit të përbashkët, e botimit të librave shkollorë, e krijimit të një gjuhe të përbashkët letrare, e organizimit të lëvizjes kombëtare, e studimit të historisë së këtij populli, e njohjes së realiteteve të tij etnologjike, etj. Autoritete të botës shkencore si Kretschmer, Thallocsy, Jireček, Šufflay, Nopcsa, e shumë të tjerë, ashtu si Fallmerayer më parë, do të sjellin ndihmesa me rëndësi për njohjen e këtij populli me gjuhën, kulturën e historinë dhe botën e tij brenda hapësirës ku jetonte me shekuj. Qendrat si Lajpcigu, Vjena, Berlini e Budapesti do të bëhen të rëndësishme për këto interesime.

Në këto rrjedha të përgjithshme dhe si vijim i interesimeve të intensifikuara krahasuese-historike roli i N. Jokl-it në pjesën e parë të sh. XX do të jetë themelor për fatin e këtyre studimeve në botën gjermanishtfolëse, apo edhe në studimet e përgjithshme shqiptare. Kuptohet që tanimë komunikimet me botën shqiptare sa vijnë e rriten, qoftë në Vjenë e qendrat e tjera (fillimisht Kristoforidhi, për diçka S. Frashëri, pastaj F. Konica, Gj. Pekmezi, H. Mosi, N. Mjedja), qoftë me brezin në vijim brenda botës shqiptare gjithnjë e më të ndjeshme dhe thelbësore. Me krijimin e shtetit shqiptar po vinte dhe brezi i studiuesve që kishin marrë formim në mjedise të tjera, si Itali, Greqi, Turqi, Austri, Rumani, ndërkohë që po shquhej gjithnjë e më shumë grupi me formim nga Vjena (Pekmezi, Çabej, Buda, Poradeci, etj.).

Në traditën gjermanishtfolëse gjatë gjithë kësaj kohe do të nyjëtoheshin gjithnjë sërish tezat për origjinën e hershme të shqipes e të shqiptarëve, për veçantinë e gjuhës shqipe në kuadër të gjuhëve indoeuropiane, për lidhjet e saj me gjuhët e lashtësisë – për prejardhjen nga ilirishtja, pastaj për ndërlidhjet me konceptin për grupin pellazgjik te Schleicher-Kamarda, sërish për prejardhjen ilire te Meyer, Pedersen, për prejardhjen trakase te H. Hirt e pastaj G. Weigand, sërish tek prejardhja ilire, por me pak hamendje lidhur me aportin trakas te N. Jokl, e të gjitha nuancimet midis këtyre vijave deri në ditët e sotme, kur dhe shkenca shqiptare ka një fjalë me peshë për të thënë për këto çështje.

Pa pasur mundësi të bëjmë bilance në hapësirën që kemi në dispozicion, do të themi me këtë rast se në botën gjermanishtfolëse janë nyjëtuar ide, studime, diskutime të gjithanshme për gjuhën dhe kulturën shqiptare. Do të përmendim që brenda shekullit XX ka pasur interesime të ndryshme për mësimin dhe mësimdhënien e shqipes, duke filluar nga tekstet e Pekmezit, të Lambertz-it, të Steinmetz-it, Camajt e të tjerëve deri te brezi i Hetzer-it, Finger-it, e te Sadiku, Pani, Jusufi së voni. Në këtë vazhdë kemi një traditë të tërë gramatologjike qysh nga Xylander-i, Hahn-i, Meyer-i, pastaj te Weigand-i, Lambertz-i, Camaj me kulmimin te gramatika e rëndësishme e Buchholz-Fiedler. Më këtë ndërlidhet veprimtaria në fushën leksikografike, në pjesën e parë të sh. XX me Godin, Nopcsa, ndërsa më vonë sidomos Fiedler, Buchholz, Uhlisch, Hetzer etj.

Pos zhvillimeve në fushën e historisë së gjuhës, ku ndër të hershëm duan përmendur edhe Krahe, Stadtmüller, sidomos Ölberg, me ndihmesat e drejtpërdrejta, duan përmendur edhe emra si Knobbloch, Reiter, Schmaus, Schmitt-Brandt, Porzig, etj. pak më vonë të Klingenschmitt me ndihmesat e tij specifike për raportet me armenishten, Eichner, Ködderitszch, Steinke, Schumacher, Matzinger që po shquhen gjithnjë e më shumë me ndihmesa serioze.

Në fushën e studimeve ballkanistike, ku shqipja shihet si thelbësore, pas Kopitar-it, Miklošič-it, Jokl-it, Weigand-it, Lambertz-it, Treimer shquhen ndihmesat e nivelit të lartë me veprat sintetizuese të Solta-s, Schaller-it, Steinke-s, sidomos të Fiedler-it, kurora e veprimtarisë së të cilit në këtë fushë pritet të dalë vitin që vjen në këtë Akademi.

Dialektologjia shqiptare dhe realitetet gjuhësore në terren kanë tërhequr vazhdimisht vëmendjen e studiuesve nga kjo hapësirë, kështu që janë realizuar vepra me vlerë, qysh nga Hahn-i e më vonë Meyer-i, Pedersen-i, Jokl-i, Weigand-i, Lambertz-i,  etj. Posaçërisht me vlerë kanë qenë interesimet për diasporën dhe botën arbëreshe nga Camaj, Breu, Glaser, pastaj Haebler, sidomos Sasse e tash vonë E. Botsi e të tjerë për arvanitishten.

Kontaktet e gjuhës shqipe me gjuhët përreth kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve gjermanishtfolës qysh nga fillimet. Duan përmendur në këtë drejtim studimet e Miklošič-it, të Meyer-it, të Pedersen-it, të Weigand-it, Kristophson-it, Boretzky-t, Svane-s, Stadtmüller-it, Yllit, e të tjerëve.

Qysh herët nuk kanë munguar as interesimet për gjuhën e shkruar dhe për çështjet standardologjike. Atje e kanë pasur një epiqendër interesimet e Pekmezit, të Nachtigal-it, të Lambertz-it, të Haebler-it, të Fiedler-it, Buchholz-it, Nehring-ut, Hetzer-it e të tjerëve.

Pa pasur mundësi të bëjmë bilance, do të themi me këtë rast se në botën gjermanishtfolëse janë nyjëtuar ide, studime, diskutime të gjithanshme për gjuhën dhe kulturën shqiptare. Për ndihmesa në fusha të ndryshme janë bërë të njohur autorë si Steinmetz, Weigand, Godin, Lambertz, Nopcsa, Ölberg, Knobbloch, Reiter, Schmaus, Schmitt-Brandt, Porzig, Fiedler, Buchholz, Bartl, Eichner, Ködderitszch, Steinke, B. Demiraj, Schumacher, Matzinger, Uhlisch, Hetzer, Finger, Nehring, Breu, Glaser, Birken-Silverman, Haebler, Sasse, E. Botsi, Kristophsont, Boretzky, Svane, Stadtmüller, Ylli , Gashi, Arapi, Jusufi, Lafe, Kabashi, Pani, Prifti, Sadiku, Jusufi, e të tjerë.

Në fushat e përkthimit nga gjuha shqipe në gjuhën gjermane veprimtaritë kanë qenë më pak të shtrira. Nga të hershmet e vlen të theksohen sidomos përkthimet e Lambertz-it, në radhë të parë përkthimi i Lahutës së Malcisë, pastaj të albanologëve si Fiedler, Buchholz, Elsie dhe vetëm tani vonë të përkthyesve me profil të identifikuar në translatologjinë gjermane si Lanksh e Röhm.

Me Jokl-in, Weigand-in, që vinte nga pak anash nga studimet ballkanike, por me ndihmesa me peshë për shqipen, me M. Lambertz-in,  me G. Stadtmüller-in, K. Treimer, M. Camajn, W. Fiedler-in. e të tjerë, albanologjia e vendeve gjermanishtfolëse sa vinte e po bëhej gjithnjë e më qendrore në zhvillimet në rritje të saj dhe paralelisht me zhvillimet krejtësisht të veçanta brenda shkencës shqiptare në Shqipëri, në Kosovë e Ballkan e më gjerë. Zhvillimet e rëndësishme albanistike në botën gjermanishtfolëse kanë qenë të ndërlidhura dhe me zhvillimet e tjera brenda saj (shtete të ndryshme me zhvillime bashkimi e pavarësimi, me interesime dinamike gjeopolitike). Nuk ka dyshim se intensiteti i studimeve brenda vetë shqiptarëve do të jetë po ashtu faktor me rëndësi. Pas LDB-së pati zhvillime me theksim ideologjish dhe ndarjesh të luftës së ftohtë, pra edhe çrregullime komunikimesh midis zhvillimeve në fushën e studimeve albanistike në Shqipëri, në Kosovë dhe në vendet e tjera të Perëndimit e të Lindjes. Një formë e kontakteve u zhvillua me konferencat e mëdha për studimet ilire në Tiranë (1972), në konferencën për N. Jokl-in në Innsbruck (1972), në kon-ferencën për Lidhjen e Prizrenit në Prishtinë (1978) dhe sidomos përmes Seminarit të përvitshëm Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare nga viti 1974 e në vijim. Përpjekje për komunikime të këtilla ka pasur vazhdimisht në Prishtinë e në Tiranë, ashtu si nga Departamenti i studimeve albanologjike në Mynih (nga vitet 1960), sidomos me tri-katër konferencat e fundit, apo edhe nga arbëreshët. Më 2006 në Vjenë u mbajt një Konferencë për gjendjen dhe perspektivën e studimeve në historinë shqiptare të kuptuar gjerësisht, prej nga doli një vëllim i bukur me ndihmesa me vlerë të pjesëmarrësve vetëm nga “bota e jashtme”, duke lënë anash studiuesit nga rajoni. Synimi i shprehur ishte që kjo t’i shërbente më vonë një komunikimi më substancial me studiuesit nga rajoni. Nuk ka dyshim se nuk mund të mos pajtohemi me nevojat për dialog dhe komunikim substancial, gjithë duke synuar evitimin e politizimeve të panevojshme, sidomos në ndarjet midis ‘nesh’ dhe ‘atyre’, siç mund të ketë ndodhur në të kaluarën në të gjitha anët.

Studimet albanistike në botën gjermanishtfolëse janë zhvilluar shpesh brenda suazave të disiplinave të ngjashme e të afërta: romanistikë, sllavistikë, gjermanistikë apo gjuhësi e krahasuar dhe, për fat të mirë, kështu ato kanë përfituar nga përvojat pozitive shpesh më të avancuara të atyre disiplinave. Vetëm vonë pas viteve ’60 të sh. XX në München, pastaj mbase në Berlin, për një pjesë edhe në Leipzig më herët, Jena, Erlangen, ka pasur dhe vijon të ketë (Mynih) departament të veçantë për studimet shqiptare. Duke qenë pjesë e interesimeve ashtu të veçanta, apo shpesh ballkanistike, këto studime kanë qenë ndikuar dhe nga ide krejt të zakonshme në ato fusha. Ta zëmë, studimet e raporteve të shqipes me gjuhët e Ballkanit në faza të ndryshme kanë qenë ndikuar në shkallën që në një kohë të caktuar të formuloheshin dhe ide për shqipen si për një gjuhë të përzier gjysmëromane, apo tash vonë ideja e shprehur ndonjëherë që studimet serioze për historinë e Ballkanit të shihen sikur nisin me ardhjen e sllavëve në Ballkan, apo stereotipet sipas të cilave sllavët në Ballkan u vendosën kryesisht në fusha e ultësira, ndërsa të tjerët, pra Arbërit në male me specializim jetësor në fushat baritore, etj. Kuptohet që komunikimet më të ngjeshura midis qendrave ku zhvillohen studime të këtilla mund të sqarojnë shumë moskuptime të kësaj natyre.

Një pjesë e madhe e mangësive në fushën e komunikimeve të ndërsjella rrjedh nga mosnjohja e gjermanishtes nga studiuesit shqiptarë, po jo rrallë dhe e kundërta. Për një pjesë të studimeve albanistike kjo nuk vlente, sepse brezi Xhuvani, Çabej, Buda, Riza e më vonë Ajeti kishin marrë formime në botën gjermanishtfolëse, në shkallën që arkeologu i njohur serb V. Popović, në librin e njohur Iliri i Albanci (1988), që ishte menduar si kritikë ndaj albanologjisë shqiptare, thoshte në mënyrë thumbuese se studiuesit shqiptarë ‘kanë marrë mësime të mira në shkollat filologjike gjermane’, çka për ne në fakt mund të jetë kompliment, jo kritikë.

Komunikimet më intensive me botën gjermanishtfolëse në studimet shqiptare, në kulturë dhe në dije ndër shqiptarë janë shënuar në sh. XX, sidomos deri në LDB. Në ato kohë në Shqipëri flitej madje për një orientim të tërë me emërtimin “deutsche Kultur”, me vatra të fuqishme rrezatimi në Tiranë, në Elbasan, në Shkodër, etj. U krijua dhe një traditë e mirë e përkthimit.

Me një fjalë, studimet albanistike në botën gjermanishtfolëse kanë tanimë një traditë treshekullore. Kanë shënuar kulme në sh. 19-20, në shkallën që gjuha gjermane mund të konsiderohet gjuhë e profesionit në albanistikë. Historia e zhvillimeve të studimeve albanistike e albanologjike pa zhvillimet në këtë gjuhë nuk mund të merret me mend. Nuk ka fushë në të cilën të mos ketë ndihmesa me vlerë që nuk mund të kapërcehen. Ndër shqiptarë njohjet e gjuhës gjermane, pra edhe komunikimet me këtë begati studimesh nuk kanë qenë gjithmonë në nivelin e dëshirueshëm. Para LDB-së në Shqipëri ishte krijuar një brez njohësish të gjuhës, të kulturës e të traditave albanistike në këtë gjuhë në Shqipëri. Në Kosovë njohjet e traditës albanistike gjermanishtfolëse kanë qenë më të pakta. Interesime të shtuara të organizuara do të kemi pas themelimit të departamentit të gjuhës gjermane në vitet ’90 të sh. XX. Tani kemi qendra studimi dhe në Prishtinë, në Prizren, në Tetovë, në Elbasan, në Tiranë, në Shkodër, pra një gjerësi më të madhe interesimesh.

Me kohë rrethanat kanë ndryshuar, sot janë dy shtete ku flitet shqipja si zyrtare, ndërsa në Ballkan ka lëvizje pozitive dhe për statusin e saj në hapësirat e tjera, bota shqiptare synon integrimet në BE ku shqipja do të ketë një prej vendeve ndër 20 gjuhët më të përhapura të Europës, ndërsa diaspora shqiptare është e pranishme gjerësisht në botën ku flitet gjermanisht, njohja më sistematike e gjuhës shqipe dhe e botës shqiptare sa vjen e po rritet. Bota gjermanishtfolëse si një prej shtyllave të mëdha të Europës në këtë rast merr një rol më specifik edhe në këto fusha. Duket krejt normale që edhe mësimdhënia dhe angazhimet për veprimtaritë kulturore e shkencore me organizime të ndërsjella të ridimensionohen sipas rrethanave të reja, si në botën gjermanishtfolëse, ashtu ndër shqiptarë. Të shpresojmë se edhe konferencat si kjo jona do të japin një impuls në këtë drejtim.

 

 (Fjala e hapjes së Konferencës Shkencore “Studimet albanistike në vendet ku flitet gjermanisht”, e mbajtur më 26 e 27 tetor 2017 në Prishtinë, në organizim të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë). 

Comment

*