Studiuesi Plaka sjell: “Lufta e Madhe” dhe shqiptarët-Mësime për të mos u harruar!

Ekspozitë dokumentare-fotografike me rastin e 100-vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore

Gazetari dhe studiuesi Armand PLAKA sjell për publikun një fond të konsiderueshëm arkivor të dorës së parë me materiale grafike ( foto, skica, gazeta, revista, harta, thirrje e pllakate) nga një sërë burimesh të ndryshme brenda e jashtë vendit, të cilat revokojnë periudhën e Luftës së Parë Botërore në territoret shqiptare, ku veç përgatitjeve e atmosferës së luftës, bien në sy edhe fragmente nga përditshmëria në qytete e fshtra të ndryshme të Shqipërisë ( Shkodra, Lezha, Shëngjini, Tirana, Durrësi, Vlora, Saranda, rajoni Korçë-Kolonjë, Berati, Fieri, Lushnja, rajoni i Mallakastrës, Labërisë dhe zona e lumit Vjosa).

Me një volum prej më shumë se 120 materialesh të gatshme për ekspozim, marrë më së shumti nga arkivat e vendeve pjesëmarrëse në luftë në frontin shqiptar: Austro-Hungaria, Franca, Italia, Serbia (edhe pse pak e përfaqësuar, edhe Bullgaria e Gjermania ) , shumë prej të cilave shfaqen për herë të parë për publikun, si dhe disa videokronika të kohës, synohet përveçse të vihen në dukje një sërë realitetesh thuajse të harruara të historisë sonë të vonë kombëtare, edhe të jepen mesazhet e duhura për pasojat që lufta la pas.

Ky mesazh vjen pikërisht në 100-vjetorin e përfundimit të “Luftës së Madhe” ( 11 nëntor 1918), në një kohë ndryshimesh e sfidash të mëdha globale, edhe për një vend si Shqipëria e rajoni, duke u kthyer vetvetiu kësisoj në një thirrje për politikanët në mbarë botën e pikësëpari për ata shqiptarë, për të punuar më shumë për paqen, fqinjësinë e mirë dhe përparimin.

Ekspozita përbën një ftesë edhe për brezin e ri të pasviteve ’90, të cilët kanë rastin të njihen edhe më në detaj me një fragment të historisë së tyre kombëtare, pak të njohur e të vlerësuar, duke lundruar përtej tabuve e shablloneve skematike.

Kjo ekspozitë është e dyta brenda tre vjetëve e çelur nga autori Armand PLAKA ( të parën e çeli me rastin e 100-vjetorit të ardhjes së Princ Vidit në Shqipëri), i cili ka qenë vazhdimisht prezent në shtypin shqiptar me risi dokumentare që kanë pasuruar etapa të vona të historisë sonë kombëtare.

Ekspozita u çel më datë 10.11.2018 në ambientet e Resortit “Stela” në Tiranë dhe do të mbahet e hapur me akses të lirë për publikun për një javë. Fjalën përshëndetëse nga Prof. Dr. Lisen Bashkurti e të ftuar janë përveç anëtarëve të Trupit Diplomatik të akredituar në vend, edhe profesorë, historianë, gazetarë, politikanë, studentë e qytetarë të interesuar. Gjithashtu pritet që ekspozita të udhëtojë edhe në dy-tre bashki të tjera në Shqipëri dhe brenda mundësive ( gjendet në tratativa) edhe në Prishtinë e Gjilan, ku veç të tjerash, pritet të vihen në dispozocion pamje shtesë, ekskluzive nga periudha 1915-1918 në territoret që i përkasin Kosovës.

Një ekstrakt nga materialet që priten të paraqiten në këtë ekspozitë, i gjeni më poshtë bashkë me diçiturat përkatëse:

Lagja muslimane gjatë periudhës së pushtimit austro-hungarez në Berat, 1917.

Godina e Prefekturës dhe e Xhandarmarisë në Lushnjë, gjatë pushtimit austro-hungarez. Viti 1916 dhe një rrugë në Prishtinë, pas mbërritjes së trupave perandorake austro-hungareze. Pranverë 1916.

Ushtarë shqiptarë të Esad Pashë Toptanit, duke u stërvitur nga francezët në rrethinat e Selanikur për mësymjen në Frontin Lindor në Ballkan, 1917 dhe Themistokli Germenji, shef i Xhandarmarisë Shqiptare në një inspektim me krerët ushtarakë e guvernatorët francezë të Republikës Autonome të Korçës, 1916.

Nga zbarkimi i trupave franceze në Sarandë, nga ku u nisën drejt Korçës e Selanikut. 1916 dhe Urë mbi lumin Vjosë përdorur për nevoja ushtarake nga italianët në vitin 1917.

Fëmijë shqiptar në Shkodër, duke i dhuruar lule Gjeneralit Kovesz pas mbërritjes së trupave Austro-Hungareze në Shqipëri, Janar 1916. Në krah shquhet edhe Komandanti i trupave perandorake të pushtimit në Shqipëri me qendër në Shkodër, Feldmarshalli Trollmann.

Rreth Autorit


Armand Plaka ka lindur në Tiranë më 1975. Është gazetar, përkthyes e studiues, diplomuar për gjuhë e kulturë gjermane nga Universiteti i Tiranës. Ka kryer disa studime pasuniversitare e trajnime në fushat e politikës, shkencave të komunikimit e diplomacisë, në Shqipëri, RFGJ, e rajon. Ka bashkëpunuar me të përditshme të ndryshme shqiptare si “Panorama”, “Shqip”, “Shqiptarja.com”, “Gazeta Shqiptare”, “Albanian Daily News” , duke sjelle nje volum të madh artikujsh studimorë, dossier-esh, intervista, komente dhe analiza. Ka përkthyer gjithashtu qindra artikuj në shtypin e përditshëm, si dhe ka botuar e përkthyer disa libra. Armand PLAKA ka qenë bursanti i parë shqiptar në Bundestagun Gjerman, dhe po ashtu edhe bursanti i parë shqiptar në Berlin, pranë Fondacionit “Konrad Adenauer”. Kontributi i tij është sidomos i spikatur në fushën e studimeve deontologjiko–mediatike; në trajtimin e figurave e fenomeneve të ndryshme, duke i vlerësuar ato në aspektin profesional gazetaresk, atë politik e historik. Është njohës i mirë i kulturës e politikës së vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, Europës Qendrore e Lindore, Gjermanisë, të ish–republikave sovjetike e çështjeve të integrimit europian.

Comment

*