Londër, 7 dhjetor 2020 – Një test gjaku që po zhvillohet nga studiuesit mund ta parashikojë nëse një pacient me Covid-19 do të ketë nevojë për kujdes intensiv apo kush ka më shumë gjasa të mbijetojë pas shfaqjes së simptomave, shkruan “The Guardian”.
Në artikullin e gazetës angleze prestigjioze thuhet se ky test mund t’u mundësojë doktorëve që të orientohen drejt trajtimit intensiv të pacientëve që kanë nevojë, duke rritur shanset e tij për mbijetesë.
Ky test mund të rrisë edhe vendosmërinë e mjekut me rastin e vendimeve të rëndësishme për pacientët.
Më herët këtë vit, biokimisti Markus Ralser me bazë në Londër dhe kolegët e tij identifikuan 27 proteina në gjakun e pacientëve me COVID-19 që ishin të pranishme në nivele të ndryshme në varësi të ashpërsisë së simptomave.
Që atëherë, ata i kanë ndjekur 160 pacientë me COVID-19, gjaku i të cilëve u testua kur u shtruan në spital, për të eksploruar nëse mund të parashikonin përmes proteinave përparimin e sëmundjes.
Ideja është që mjekut t’i sigurohet një “pamje digjitale” se sa i sëmurë është një pacient.
Për shembull, në rastin e COVID-19 vihet re një fenomen i quajtur “hipoksi e lumtur”, që do të thotë që një pacient mund të ndihet relativisht mirë, por pastaj përkeqësohet shpejt. Deri më tani, testi është aplikuar te 24 pacientë të sëmurë dhe e parashikoi saktë rezultatin për 18 nga 19 pecientë që mbijetuan dhe 5 pacientë që ndërruan jetë.
(Panorama.al)