Sulmohet fizikisht kryeredaktori i “Insajderit”, Vehbi Kajtazi

Prishtinë, 13 tetor 2017 – Kryeredaktori i Gazetës online “Insajderi”, Vehbi Kajtazi është sulmuar fizikisht të premten nga një person ende të panjohur.

Sulmi ka ndodhur në një nga lokalet, në qendër të Prishtinës. Një person e ka sulmuar Kajtazin, derisa ky ishte duke u larguar nga lokali.

Pas sulmit Kajtazit është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Pas trajtimit, ai është liruar në shtëpi, në gjendje të mirë shëndetësore.

Policia e Kosovës, pas intervistimit të personave që kanë qenë në lokal bashkë  me sulmuesin e Kajtazit, e kanë shoqëruar në polici Faton Ramadanin.

Ramadani njihet si mik i afërt i deputetit të Nismës për Kosovën, Milaim Zeka, i cili është përmendur në shkrimet e ditëve të fundit nga Gazeta “Insajderi”, në të cilat deputeti Zeka përmendet për një sërë veprash penale.

Sulmin fizik ndaj gazetarit Vehbi Kajtazi e ka dënuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK). Ky asociacion kujton se ky nuk është sulmi i parë fizik ndaj kajtazit dhe u bën thirrje institucioneve përkatëse që të hetojnë rastin dhe autorin ta nxjerrin para drejtësisë.

“Gazetari Kajtazi ka qenë cak i sulmeve dhe kërcënimeve të vazhdueshme edhe në të kaluarën. Fatkeqësisht disa nga këto raste ende nuk janë zbuluar, ndërkohë që ne presim hetime të pavarura dhe epilog të shpejtë. Hetimet për këtë rast duhet të dërgojnë në hetim të mirëfilltë të të gjitha dyshimeve”, thuhet në reagimin e AGK-së.

“Sulmet e tilla paraqesin shqetësim serioz për sigurinë e gazetarëve dhe lirinë e mediave në vendin tonë”, thekson AGK. (r.m.)

Comment

*