Sum terrorist në Barcelonë – 13 të vdekur dhe 80 të plagosur

13 vetë kanë humbur jetën dhe 80 janë plagosur, sipas një zyrtari rajonal të Katalonjës, kur një person përplasi një furgon mes dhjetra vetëve në qendër të Barcelonës.

Policia tha se 15 nga të plagosurit janë në gjendje të rëndë.

Televizioni publik spanjoll RTVE citohet nga agjencia Associated Press të njoftojë se një i dyshuar për përplasjen e furgonit është arrestuar. Policia spanjolli nxorri një fotografi të tij dhe e identifikon si Driss Oukabir.

Ndërkohë dy persona të armatosur janë mbyllur në një bar në qendër të Barcelonës.

Shërbimet e ndërhyrjes së shpejtë thanë se banorët duhet të shmangin sheshin Catalunya dhe se kishin kërkuar mbylljen e stacioneve hekurudhore dhe të metrosë në zonën pranë shëtitores Las Ramblas në qendër të qytetit.

Policia ka izoluar zonën dhe ka urdhëruar mbylljen e dyqaneve përreth. Gazeta “El Pais” citon policinë të thotë se personi që i jepte furgonit, doli prej tij dhe u largua në këmbë.

Media spanjolle “El Periodico” njoftoi për shkëmbim me armë zjarri në tregun “La Boqueria” , po nuk tregonte burimin e infromacionit.

Policia spanjolle tha se incidenti mund të jetë një “sulm terrorist”.

Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy tha në Twitter se përparësia e qeverisë është kujdesi mjekësor për të plagosurit.

Presidenti Donald Trump shkruante në Twitter se “Shtetet e Bashkuara e dënojnë sulmin në Barcelonë të Spanjës dhe do të bëjnë gjithçka të nevojshme për të ndihmuar”.

Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson tha në Departamentin e Shtetit se incidenti “kishte shenjat e një sulmi terrorist”.

Ai tha se diplomatët në Spanjë po ndihmojnë amerikanët atje dhe u bëri thirrje atyre që janë shëndoshë e mirë që të njoftojnë familjet dhe të dashurit e tyre.

Kryediplomati amerikan tha se “terroristët në gjithë botën duhet ta dinë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre janë të vendosur që t’i gjejnë dhe t’i vendosin para drejtësisë”.

Comment

*