Boston: Sy e zemër pranë Shqipërisë

Dhimbje e solidaritet i shqiptarëve të Bostonit, i shprehur në ceremoninë e ditës së Flamurit .Brenda ditës u mblodhën 15 mijë dollarë , në ndihmë të familjeve të dëmtuara nda tërmeti.

 

Nga Fuat Memelli

Shqiptarët e Bostonit dhe qyteteve rreth tij, ashtu si çdo vit, u mblodhën te sheshi para bashkisë , për të përkujtuar ditën e Pavarësisë si dhe atë të Çlirimit të atdheut. Vitet e tjerë kjo ditë ka qënë e ftohtë, me dëborë e shi, ndërsa sivjet koha mbajti mirë, megjithatë pjesëmarrësit ndjenin një “ngricë” tjetër. Ajo vinte nga dhimbja për viktimat e tërmetit të një dite më parë në Shqipëri. Simbolet e flamurit tonë kombëtar, i sheh kudo: te flamujt që mbajnë në duar, te shallet me këtë simbol, te stemat e vendosura në gjoks, etj. Te gazetari e shkrimtari Sami Milloshi, nuk vërej ndonjë simbol, prandaj me shaka e pyes: “Ku e ke simbolin e flamurit tonë?” Samiu më dha një përgjigje kuptimplote: “ E kam në zemër atë simbol” dhe vuri dorën në gjoks. Një thënie shumë e bukur! Vërtet simbolin nuk duhet ta kemi vetëm në sipërfaqe, por mbi të gjitha në zemër.
Takimin e hapi i riu Deni Hoxha, student në Universitetin e Harvardit. Duke folur për ditën e Flamurit, ai theksoi se kur u nisa për studime në Amerikë, ndër të tjera mora me vete një flamur të madh shqiptar, te cilin e kam vendosur në dhomë. Sa herë e hedh sytë te ai, më duket sikur më thotë:” Mos e harro Shqipërinë!”
E mer pastaj fjalën kryetari i Shoqatës “Mass. Besa” , Mark Kosmo, i cili lexoi përshëndetjen e kryetarit të bashkisë së Bostonit, zotit Marty Ëalsh, ku ndër të tjera theksohej se komuniteti shqiptaro-amerikan, ka një kontribut të madh në diversitetin e historisë dhe kulturës së qytetit të Bostonit. Është një komunitet vital dhe dallohet përmes përpjekjeve të organizatave të ndryshme, bizneseve, etj. Mark Kosmo njoftoi se Shoqata “Mass.Besa” do dhurojë 5000 dollarë për familjet e dëmtuara nga tërmeti i rëndë. Ishte një lajm i bukur ky që u duartrokit nga pjesëmarrësit.
Në mikrofon afrohet pastaj shkrimtari e poeti i njohur, Namik Selmani. Fjala e tij ishte një prozë e bukur poetike:” Sot në festën e Flamurit të kombit tonë, na vijnë para syve fytyrat e patriotëve tanë nga trojet e ndryshme shqiptare, të cilët nxitonin drejt Vlorës, pa e ditur se rruga e shtetit të ri do kalonte shumë sfida. Brenda dy luftrave, Shqipëria do mbetej pa dy gjymtyrët e saj, Kosovën dhe Çamërinë. “Nga lufta vijmë, në luftë shkojmë” do të shkruante më vonë Kadareja.
Është një rastësi e bukur që festa jonë e Pavarësisë, qëllon pranë ditës së Falenderimeve të Amerikës. Në këto ngjarje të shënuara, ne ngremë monumentet e urimit për ditën e Pavarësisë dhe atë të Falenderimeve të popullit amerikan”. Autori i këtij shkrimi, krahas urimit për ditën e Pavarësisë, theksoi se shpesh në veprimtaritë që organizojnë emigrantët shqiptarë për këtë ngjarje, harrojnë ditën e Çlirimit, që sivjet mbushen 75 vjet. Nuk duhet të harrojmë se për këtë ditë dhanë jetën mijra dëshmorë , krahas dëmtimeve të shumta. Në krahasim me disa vende të tjera të Europës që u ndihmuan nga aletaët, Shqipëria u çlirua me luftën e bijve të saj. Më pas ai recitoi poezinë kushtuar viktimave të tërmetit, me titull ”Loti na ngriu nga dhimbja”. Ja disa fragmente të saj: …”Ditë zie ka sot Shqipëria/ në zi jemi edhe ne/ loti na ngriu nga dhimbja/ nuk ariti dot përdhe/hijerëndë sot flamuri/ gjysmë shtize po qëndron/nuk i qesh atij sot nuri/ mu në zemër i sëmbon/pranë na u gjendën/ vëllezrit kosovarë/ në Kosovë dyert hapën/ siç i hapëm ne më parë”, etj.
Në emër të Shoqatës “Mass.Besa” dhe të Fondacionit Global Shqiptar, i cili është krijuar kohët e fundit, përshëndeti Ada Kokoshi, e cila theksoi kontributin e “Mass. Besës “ për shkollat shqipe e plot veprimatari të tjera, si dhe synimin e Fondacionit për të mbledhur kontribute për Shqipërinë. Recitimet e bukura të fëmijëve të shkollës shipe, e zbukuruan atmosferën dhe morën duartrokitjet e pjesëmarrësve.
Si çdo vit, edhe sivjet pjesë e veprimtarisë ishte edhe Shoqata “Kosova” e Bostonit. Krahas urimit, kryetari i saj, Nexhat Ibishi, theksoi se Shoqata e tyre ka dhuruar 1000 dollarë në ndihmë të familjeve të prekura nga tërmeti.
Një folës tjetër nga Ulqini, i ardhur në Amerikë për vizitë, zgjodhi Bostonin për të festuar ditën e Pavarësisë. Quhej Ilir Çapuni dhe ishte kryetar i kuvendit komunar të Ulqinit. Familja e tij qe me origjinë nga Çamëria por ishte shpërngulur që andej në vitin 1844. Ndër të tjera ai theksoi:”Shumë herë gjatë historisë së tij, populli shqiptar është rrëzuar dhe përsëri është ngritur në këmbë. Kështu do ngrihet edhe nga pasojat e tërmetit të fundit”.
Një përshëndetje e veçantë ishte sivjet nga Shoqata “Çamëria”, mbajtur nga veprimtarja e saj, Vera Gjata. Ndër të tjera ajo theksoi se Greqia interesohet për komunitetin grek në Shqipëri, por nuk e ka të njëjtin interesim edhe për komunitetin shqiptar në Greqi. Ajo nuk i lejon shkollat shqipe, nuk lejon flamurin shqiptar, nuk lejon çamët të shkojnë në trojet e tyre. Ata nuk heqin dorë nga Vorio Epiri dhe ndërhyjnë në zonën e Himarës e zona të tjera, duke vendosur emra në greqisht, kur ato vende kanë patur ndër shekuj emra shqip.
I moshuari Sami Hajdini, ashtu si vite të tjerë përshëndeti plot pasion, ku ndër të tjera lexoi edhe një poezi të tij për flamurin:” Folë moj shqiponjë folë/aty ngjitur në flamur/gjithë botës i trego/ se ti shqipe s’shuhesh kur’/folë shqipe mos ki frikë/ se ke mik një Amerikë” etj…
Me tingujt e falamurit amerikan dhe atij shqiptar, u mbyll kjo veprimtari përkujtimore e shqiptarëve të Bostonit, ku spikati dhimbja e solidariteti me Shqipërinë tonë, të plagosur nga tërmeti i datës 26 nëntor, por që me solidraitetin e shqiparëve në atdhe, në trojet arbërore, në emigracion si dhe të miqve tanë nëpër botë, do t’i mbyllë plagët e shkatërimeve të tërmetit. Vetëm plaga e jetëve që ikën, nuk do të mbyllet.
Solidariteti i shqiptarëve të Bostonit, vazhdoi edhe në darkën e organizuar në restorantin “Alba”, me pronar shkodranin, Leo Keka. I zoti i lokalit shtroi darkën falas për pjesëmarrësit dhe nga shqiptarët e paranishëm u mblodhën 8000 dollarëtë cilat tok me 5000 dollarët e “Mas.Besës” dhe 1000 të shoqatës “Kosova”, duke u shtuar edhe 1,000 dollarë të mbledhur të nesërmen, bëhen 15 mijë dollarë, që do të shkojnë në Shqipëri, për të mbyllur qoftë edhe një plagë të tërmetit.

 

Comment

*