Sylës tonë, paqe, dritë, lumturi në amshim, ndërsa familjes, miqve dhe dashamirëve, ngushëllime

Don Lush Gjergji

I dashuri Selajdin, familje e dashur, miq të pikëlluar dhe të ngushëlluar,

Të pikëlluar për ndarjen prej kësaj bote të Sylejman Gashit; të ngushëlluar, që me jetën dhe veprimtarinë e tij, nderoi veten, familjen, Popullin, verçmas gazetarinë tonë në Kosovë dhe në SHBA-në.
Sot mora vesh për kalimin në amshim të Mikut tim, Vellait Tuaj – tim – tonë, Sylejman GASHI-t.
Ai për mua ishe dhe mbetet një Njeri mjaft i kompletuar, një Gazetar në kërkim të së Miresë, të Vërtetës, Jetës, mbi të gjitha të Vëllazërisë dhe Dashurisë, jo vetëm si përshkrues i ngjarjeve apo ndodhinave, por si pjesëmarrës me mish e me shpirt, në rrethanat tona, shpesh të dhimbshme dhe tragjike.
Kam pasur fatin që ta njoh si bashkëpunëtor dhe gazetar në Prishtinën tonë, në kohë “pa kohë”.
Ai dinte ta nxjerrte prej bashkëbiseduesit atë që ndoshta struket  diku në mendjen e nëndijes, apo në skutat e zemrës…
I përmbahej thënies popullore: Pyet diçka me mend, që të përgjigjem me vend.
Disa intervista që kam pasur me tashmë të ndjerin Sylejman – apo siç e quanim ne Sylën, rreth gjendjes tonë të përgjithshme, sidomos asaj kulturore, shpirtërore, morale, etike, në veçanti mbi Shën Nënën tonë Tereze, mbesin të gjalla dhe gjithnjë të pranishme në mua.
Sylës tonë, paqe, dritë, lumturi në amshim, ndërsa familjes, miqve dhe dashamirëve, ngushëllime.
Me nderime dhe falënderime, uratë dhe dashuri.
Don Lush GJERGJI

Comment

*