Ta ngresh lart zërin e ndërgjegjes kundër së keqes

Sadik Elshani

Per deklaraten e Aktorit Rikard Larja per diktaturen dhe guximin intelektual

 

Shoqerite njerezore ne periudha te ndryshme historike kane kaluar edhe neper situata te tmerrshme. Mjafton te permendim vetem ato katastrofa njerezore me te cilat u ballafaqua njerezimi ne shekullin e kaluar: fashizmi, nazizmi, komunizmi. Ky i fundit ende eshte duke dhene frymen e fundit ne disa qoshe te rruzullit tokesor. Por edhe ne keto çaste te erreta, ne keto erresira njerezore, xixellonin ca shkendija, degjoheshin ca zera qe jepnin shprese. Ishin keta intelektualet, shkencetaret, artistet qe e sfidonin pushtetin totalitar, sfidonin diktaturat dhe diktatoret. Historia eshte e mbushur me plot shembuj te tille guximi e trimerie. Te permendim rastin e shkrimtarit te njohur francez, Emil Zola, qe i doli ne mbrojtje kapitenit me origjine hebreje, Drayfus. Me kete qendrim te guximshem intelektual Zola e ngriti zerin kunder padrejtesise dhe u be perfaqesues i denje i ndergjegjes njerezore. Por edhe ne historine tone me te re nuk mungojne aktet e guximit intelektual e njerezor. Te permendim rastin e shkencetares se pare shqiptare, Sabiha Kasimati dhe shkrimtares se pare shqiptare, Musine Kokalari e shume te tjereve. Sabiha Kasimati me guxim ia perplasi ne fytyre diktatorit pakenaqesite e saj me regjimin komunist: “Kam ardhur te te them se ti po vret gjithe intelektualet. Dua te te pyes se me cilet ke ndermend ta ndertosh Shqiperine, me teneqexhinjte apo me kepucetaret?!” Ndersa kryexhelatit, Mehmet Shehu, i ishte drejtuar ne hetuesi: “Ju jeni kriminele dhe tirane, qe kerkoni te nenshtroni shqiptaret me terror, por do te vije nje dite qe keto mizori do t’i paguani”. Te tjerat i ka thene historia. Edhe Musine Kokalari nuk iu nenshtrua diktatures, ne gjyq mbajti qendrim dinjitoz dhe tere jeten e kaloi ne burg e internim. Ketu mund te permendim edhe qendrimin guximtar e dinjitoz te intelektualeve shqiptare te Kosoves si, Esad Mekuli, Mark Krasniqi, Anton Çetta, Ali Hadri e shume te tjereve qe i dolen zot popullit ter vet ne çastet me te veshtira te historise se tij, nuk heshten por e ngrene zerin e tyre kunder padrejtesive, vuajtjeve qe i shkaktoheshin shqiptareve te Kosoves dhe viseve te tjera shqiptare ne ish Jugosllavi.
E bere kete hyrje, ndoshta pak te gjate, por vetem per te bere nje dallim te madh, nje kontrast ne mes te ketyre figurave te cekura me lart dhe nje deklarate te aktorit Rikard Larja ne nje interviste dhene diteve te fundit gazetes “Mapo” te Tiranes. Ne mes te tjerash, aktori i njohur shprehet keshtu per diktaturen shqiptare:
“Une ne diktature ia kam kaluar shume mire. Sepse te jesh ne qender te vemendjes, te jesh ne televizion per 20 vjet, çdo nate nuk eshte pak. Keshtu qe diktatura te une nuk ka qene…por, sigurisht si gjithe populli shqiptar kemi pasur probleme te medha e te vogla. Ka pas probleme, por per vete nuk mund te them ndonje gje, nuk mund te them: poshte diktatura. Nuk e them dot. Sigurisht si ajo diktature nuk mund te kthehet me, se diktaturat jane diktatura”. Kur degjon keto fjale, mbetesh pa fjale, nuk di çka te thote njeriu, te qaje apo te qesh. Te degjosh fjale te tilla nga nje aktor i madh, nga nje intelektual, gati tridhjete vite pas renjes se diktatures duket si e pabesueshme, por ja qe gati cdo dite hasim ne deklarata te tilla nga njerez te edukuar, nga intelektuale e shkrimtare, artiste e historiane, qe ende kane nostalgji per diktaturen. Zoti Larja nuk mund te thote: poshte diktatura se ai vete paska jetuar mire dhe kush e çane koken per te tjeret. Rikard Larja mund te jete nje aktor i madh, por deklarata te tilla nuk i bejne nder emrit te nje aktori te madh. Rikard Larja mund te thoshte se diktatura ka qene e tmerrshme, se eshte terroziuar nje popull i tere, edhe pse ai vete ka jetuar relativisht mire. Aktori, artisti eshte njeri i ndjenjave dhe me e pakta qe mund te pritet nga Rikard Larja, eshte shprehja e dhimbjes, keqardhjes per gjithe ato viktima te ferrit komunist. Lista e krimeve te diktatures shqiptare eshte shume e gjate, e dokumentuar mire dhe nuk ka nevoje qe ketu te zgjatemi me teper. Eliminimi i intelegjences, elites kombetare do te qendronte ne krye te kesaj liste famekeqe. Shume kolege te Rikard Larjes nuk e kane patur fatin e tij, jane burgosur e jane pushkatuar, si poeti Trifon Xhaxhika, varur ne litar, si poeti Havzi Nela, e shume te tjere qe jane kalbur e shfarosur neper burgjet e kampet e shumta. Isa Boletini tha: “Une jam mire, kur asht mire Shqypnia” – nuk tha: Une jam mire kur vete jam mire dhe kush e çane koken per te tjeret. Nese Rikard Larja nuk e ka patur guximin qe te ballafaqohet me diktaturen, per kete askush nuk e akuzon, sepse dihet mire se çfare sistemi ishte ai. Por ta mbrosh diktaturen tani 30 vite pas renjes se saj, kur kane dalur ne shesh krimet çnjerezore te atij regjimi, eshte e papranueshme. Sabiha Kasimati e shume te tjere e paten guximin intelektaul dhe u ballafaquan me diktaturen dhe diktatorin.
Te kritikosh shtetin, vendin tend kur eshte ne rruge te gabuar nuk eshte tradhti, perkundrazi, eshte detyre atdhetare. Nga komisari i drites pritet qe ta ngre zerin kunder erresires dhe jo te behet vete pjese e erresires. Te shohim me poshte sesi kane reaguar dy kolege aktore, dy bashkekombas te Rikard Larjes, Aleksander Moisiu e Bekim Fehmiu, kur koleget e tyre, populli i tyre jane ballafaquar me situata te veshtira. Ne vitet e 20-ta e te 30-ta te shekullit te kaluar kur ne Europe antisemitizmi kishte marre hov, Aleksander Moisiu u doli ne mbrojtje kolegeve te tij aktore me prejardhje hebreje, edhe pse vete ishte i perndjekur nga nazistet. Aleksandr Moisiu nuk tha: mua askush nuk po me nguc dhe kush e çane koken per te tjeret. Ne vitin 1987 aktori tjeter i yne i madh, Bekim Fefmiu, ne menyre demonstrative e braktisi skenen e teatrit, ne mes te shfaqjes se drames “Madam Kollontai”, ne Teatrin Jugosllav te Drames ne Beograd. Kete e beri per ta shprehur pakenaqesine, zemraten e tij kunder trajtimit shume te keq, te vrazhde qe i bente qeveria jugosllave popullsise shqiptare qe jetonte ne trojet e veta ne ish Jugosllavi. Siç e dime te gjithe, Bekim Fehmiu ka qene yll i kinematografise jugosllave qe ka lene gjurme edhe ne kinamatografine europiane dhe ate boterore. Fal talentit dhe punes se tij te palodhur Bekim Fehmiu ka jetuar shume mire, ka patur autoritet dhe e ka gezuar respektin, dhurimin e simpatine e te gjithe popujve te ish Jugosllavise. Ndersa per shqiptaret ai ishte nder e krenari, burim frymezimi per rinine shqiptare. Por ne ato çaste te veshtira per shqiptaret, ai e ngriti lart zerin e ndergjegjes se tij, e trazoi rehatine e tij, sepse fjalet, veprimet e Bekimit kishin peshe. Pakenaqesite, vuajtjet e popullit te tij ishin edhe vuajtjet e tij. Sikurse intelektualet e tjere shqiptare te brezit te mehershem qe i permendem me lart, edhe Bekimi e shfrytezoi famen e tij per t’i dal zot popullit te vet te shumevuajtur. Bekimi nuk tha: Une i kam te gjitha, jetoj shume mire dhe kush e çane koken per te tjeret. Por jo, ai e zgjodhi te kunderten, e sakrifikoi, e nderpreu karrieren e tij te shkelqyer per t’i dalur ne mbrojtje popullit te vet dhe popujve te tjere te ish Jugosllavise, sepse ai po e parandjente se nje katastrofe ishte duke u afruar, siç edhe ndodhi ne te vertete.
Ne çaste te veshtira, intelektualit, artistit, shkencetarit e shume te tjereve, nuk u ka hije te heshtin, por duhet te ngrene lart zerin e ndergjegjes, kunder se keqes e ne mbrojtje te se drejtes. Daklarata e aktorit Rikard Larja per diktaturen, mendimet e historianit Pellumb Xhufi per kampin e Tepelenes e shume te tjereve qe shprehin simpati per diktaturen dhe diktatorin, si dhe rezultatet e nje sondazhi, sipas te cilit, mbi gjysma e te anketuarve kane mendim pozitiv per regjimin e kaluar, shfaqin simptomet e nje shoqerie te semure, te nje kombi me ndergjegje te vrare. Derisa te mos denohen krimet e komunizmit, do te jemi te tille. Nese zoti Larja nuk mund ta thote dot, atehere po e themi ne me nje ze te fuqishem: Poshte diktatura!

Philadelphia, 5 qershor, 2018
Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Comment

*