Tahiri: Dëshmitë për vrasjet politike të marrin epilog sa më parë

Prishtinë, 12 janar 2018 – Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se kryeprokurorit të shtetit i ka kërkuar që të trajtohen seriozisht deklaratat e dëshmitarit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Shkumbin Mehmeti, dhe të gazetarit Bajrush Morina lidhur me vrasjet politike të pasluftës në Kosovë.

Tahiri ka thënë se ai është duke përgatitur një kërkesë për organin e akuzës që pretendimeve të dy personave të publikuara ditën e enjte t’u jepet një përgjigje.

“Nuk mund të lejojmë terrorizim të qytetarëve me deklarime të tilla. Nuk duhet të lejohet as neglizhenca e kujtdo qoftë, por ato deklarime duhet marrin një epilog sa më parë”, ka thënë Tahiri për televizionin publik të Kosovës.

Ai ka thënë se është shumë i interesuar që të zbardhen vrasjet e pasluftës dhe është shprehur i gatshëm që, nëse është nevoja, të bëhen edhe ndryshime ligjore në mënyrë që ky proces të përfundojë sa më shpejt.

Ministri Tahiri ka theksuar se kushdo që nuk ka guxim të marrë veprime konkrete për ndriçimin e vrasjeve politike duhet të largohet nga pozita që mban.

“Nëse ne si qeveri dhe institucionet ligjzbatuese nuk kemi guxim të ndërmarrim veprime, atëherë fundi i këtij viti nuk duhet të na gjejë në këto karrige”, ka thënë ai. (r.m.)

Comment

*