Tahiri: Disa dënime me burg për kundravajtje zëvendësohen me gjoba

Prishtinë, 3 janar 2018 – Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, përmes një statusi në Facebook, ka bërë të ditur se më 1 janar ka hyrë në fuqi Ligji për Kundravajtje, i cili parasheh që dënimet me burg për kundravajtje të zëvendësohen me gjoba e sanksione të tjera.

Sipas tij, me ligjin e ri është hequr dënimi me burgim për kundërvajtje, duke iu dhënë mundësi organeve kompetente që të shqiptojnë gjoba dhe sanksione tjera për zbatim të ligjit.

“Përmes këtij ligji, të cilin e ka hartuar Ministria që unë e drejtoj, kemi vendosur parime dhe standarde cilësore ligjore, të cilat janë parakushte elementare për reformimin e fushës së kundërvajtjes, si dhe për zbatimin efikas të procedurave të shqyrtimit dhe zgjidhjes së veprave të tilla.

Gjithashtu, do të arrihet një reformë substanciale në fushën e kundërvajtjes, ku parashihet heqja e dënimit me burgim për kundërvajtje, mundësia që për një numër të caktuar të kundërvajtjeve të shqiptohen gjoba dhe sanksione tjera nga ana e organeve kompetente për zbatim të ligjit, pa ngarkuar gjykatat me këtë përgjegjësi, përcaktimin e kushteve të konfiskimit të masës pasurore të fituar nga kundërvajtja, kushtet për parashkrimin e veprave kundërvajtëse, përcaktimin e minimumit dhe maksimumit të sanksioneve për kundërvajtje dhe ofrimin e dyshkallëshmërisë në këtë procedurë, si dhe garanton të drejtën për inicimin e konfliktit administrativ” ka shkruar ai.

Ministri Tahiri ka vlerësuar gatishmërinë e institucioneve për ta zbatuar këtë ligj që, ndër të tjera, do të ulë edhe numrin e madh të lëndëve të kundërvatjtes nëpër gjykata.

“Një gjë e tillë u mundëson gjykatave shkarkimin nga numri i madh i lëndëve të kundërvajtjes’, ka theksuar ai.

“Prandaj, e vlerësoj gatishmërinë e institucioneve për zbatimin e këtij ligji dhe ftoj të gjitha subjektet në këtë procedurë që të realizojnë të drejtat dhe obligimet e përcaktuara në të”, ka përfunduar Tahiri. (r.m.)

Comment

*