Tahiri kundër nismës për shkarkimin e Osmanit: Ky është momenti më i rëndë në histori të LDK-së

Prishtinë, 20 qershor 2020 – Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lidhjes Demoratike të Kosovës (LDK) ka reaguar kundër propozimit për shkarkimin e Vjosa Osmanit nga pozita e nënkryetares dhe e anëtares së Kryesisë së partisë.

Tahiri, i cili e ka vlerësuar këtë si momentin më të rëndë në histori të LDK-së, ka bërë të ditur se ai ka votuar kundër propozimit të kryetarit të partisë, Isa Mustafa.

“Lidhja Demokratike e Ibrahim Rugovës nuk e ka pasur praktikë të përjashtojë njerëzit e vet, aq më pak, nënkryetaren e vet, kandidaten e parë grua për Kryeministre, për shkak të mendimit ndryshe. Në AND-në e LDK-së është liria e mendimit, liria e individit. Dr. Vjosa Osmani i ka mbrojtur parimet për të cilat ka kërkuar besimin e votuesve të LDK-së. Të gjithë e kemi ditur që Vjosa nuk i ndryshon parimet e saj, të gjithë e kemi kërkuar në krye të listës së LDK-së dhe të gjithë e kemi përkrahur. Sot, si anëtar i KP të LDK-së, Kryetar i Vushtrrisë e nënkryetar i Degës së LDK-së në Vushtrri, nuk mund të përkrah përjashtimin e Vjosa Osmanit. Prandaj sapo votova ‘JO’”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

“Ky është momenti më i rëndë në historinë 30 vjeçare të LDK-së. Si qytetar i Kosovës, si anëtar i LDK-së, si babë i 3 vajzave, nuk po mundem të besoj që një grup i ngushtë në LDK po kërkon përjashtimin e një gruaje intelektuale e parimore, që e ka mbështetjen e anëtarëve të LDK-së dhe të qytetarëve të Kosovës. LDK-ja që e ka themeluar Ibrahim Rugova dhe intelektualët më të mëdhenj të kohës është më e madhe e më e fuqishme se ky grup i ngushtë. LDK-ja ka për t’u rikthyer te gjeneza e vet, bashkë me Vjosën e bashkë me ata që e kanë në ADN parimin e lirisë së mendimit”, ka shkruar Xhafer Tahiri. (r.m.)

Comment

*