Tahiri premton proces transparent të zgjedhjes së drejtorit të IML

Prishtinë, 8 mars 2018 – Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, së bashku me shefen e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Alexandra Papadopoulou dhe me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruari O’Connell, e kanë vizituar sot Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML).

Duke pasur parasysh rëndësinë që ka ky institucion në aspekte shumë të ndjeshme të shoqërisë, e sidomos në trajtimin e çështjeve siç është ajo e personave të zhdukur, ministri Tahiri ka bërë të ditur se nga një departament i Ministrisë së Drejtësisë, Instituti i Mjekësisë Ligjore është shndërruar në agjenci.

Tahiri ka falënderuar Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, e cila në bazë të marrëveshjes që ka me Qeverinë është angazhuar në konkursin për përzgjedhjen e drejtorit të këtij Instituti.

Meqenëse konkursi nuk ka qenë i suksesshëm dy herë për shkak të mungesë të aplikuesve të mjaftueshëm që kanë plotësuar kriteret e caktuara, Tahiri u ka bërë thirrje publike të gjithë atyre që i plotësojnë kushtet që të aplikojnë kur tyë shpallet konkursi për herë të tretë, duke garantuar se i gjithë procesi do të jetë fer dhe transparent.

Ai ka theksuar nevojën për fuqizimin e këtij Instituti përmes ngritjes profesionale të kuadrit që këtij instituti i mungojnë.

“Si Qeveri e Republikës së Kosovës, jemi të interesuar që t’i ngrisim kapacitetet. Jam i interesuar që të angazhohemi bashkërisht të investojmë në kuadro të reja, kemi deficit të kuadrove për shumë arsye. Si ministër i Drejtësisë, do të mundohem t’i mobilizoj të gjitha resurset relevante që të gjejmë forma dhe burime financimi për shkollimin e të rinjve tanë në fushat specifike deficitare të mjekësisë ligjore, në mënyrë që nesër t’i kemi pranë këtij instituti”, ka thënë Tahiri.

Shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopoulou, ka falënderuar ministrin për iniciativën në plotësimin e kapaciteteve të këtij Instituti.

“Dua të falënderoj ministrin për angazhimin e tij në iniciativën për të plotësuar kapacitetet e Institutit. Pasi EULEX-i është duke u tërhequr ngadalë, jemi duke kërkuar partnerë kredibilë dhe kompetentë për t’ia dorëzuar lëndët tona dhe për të punuar me ta për t’i shërbyer sa më mirë qytetarëve të Kosovës” ka thënë Papadopoulou.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruari O’Connell, ka thënë se anulimi dy herë i konkursit për Drejtor të Institutit tregon përkushtimin për gjetjen e një drejtori të mirë.

“Për mua ky nuk është dështim, për mua ky fakt tregon që Qeveria e Republikës së Kosovës ka qenë serioze për të gjetur drejtorin e mirë nga një fushë e gjerë e kandidatëve. Kjo është shumë e rëndësishme, jo vetëm për këtë institucion, por gjithashtu për parimin në Kosovë, që rekrutimi duhet të bëhet në bazë të meritës”, ka thënë ambasadori.

Ndërkaq, rejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka falënderuar për mbështetjen që ka marrë ky institut.

“Jam i kënaqur me ndërhyrjet e shpejta të ministrit, i cili është i interesuar që ky institut të marrë kahjen e duhur” ka thënë Gërxhaliu, transmeton AktivPress. (r.m.)

Comment

*