Tahiri: Tani flet populli. Kosovë, urime zgjedhjet!

Tiranë, 22 dhjetor 2020 – Sekretari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se Kosova do të ruajë stabilitetin institucional dhe do të organizojë zgjedhje të lira e demokratike.

“Kosova ka dëshmuar se di të ruajë stabilitetin institucional. E ka dëshmuar edhe në kohë të vështira se di të organizojë zgjedhje dhe shpresoj që do të kalojmë mirë dhe me sukses”, tha Tahiri, pas takimit me ushtruesen e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Tahiri tha se në takimin me zonjën Osmani është bseduar për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Ishte një takim me u.d e Presidentit të vendit. Temë diskutimi ishin zgjedhjet dhe vendim i Gjykatës Kushtetuese që e detyron vendin që të shkojë në zgjedhje për 40 ditë. Diskutuam potencialisht kohën optimale që këto zgjedhje të ndodhin“, tha ai.

Tahiri tha se tani duhet ta thonë fjalën e tyre qytetarët dhe theksoi se zgjedhjet janë festë për qytetarët.

”Në çfarëdo situate, kur vendimi transferohet te sovrani, kjo është një festë për të gjithë ne. Të gjithë ne tanimë kemi një qartësi dhe vendimi është te populli”, tha ai.

Tahiri tha se me ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës kanë diskutuar edhe për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.

“5 maji është një datë kur skadon edhe mandati i ushtrueses së detyrës së Presidentit. Osmani u zotua se për këtë çështje do të vazhdojë diskutimet edhe me partitë tjera”, ka thënë Tahiri.

“Kosovë urime zgjedhjet! Shihemi pas zgjedhjeve, në rrethana të tjera”, ka thënë sekretari i AAK-së, Besnik Tahiri, në deklaratën e tij para gazetarëve.

(r.m.)

Comment

*